Reformat amorfe në arsimin shqiptar
Nga Eustrat Zhupa, University of Rochester
Shqetësimet e pandemisë, së bashku me përthithjen e energjive dhe vëmendjes nga një fushatë zgjedhore pa fund e krye, mbulojnë edhe më tepër me pluhurin e harresës problemet endemike të arsimit të lartë në Shqipëri.
Pas pothuajse 8 vitesh panorama e arsimit të lartë nuk është ajo e kartolinave të fushatës së atëhershme, as ajo që trumbetohej në ato vitet e para të reformës së vetëquajtur “rilindase”. Dhe në fakt nuk është më aty. As kartolina nuk dalin më në fushatë. Nuk dihet si shkoi ajo punë dhe nuk dihen efektet deri më sot. Për ta thënë me “sportivitet”, nuk kemi asnjë të dhënë nëse ekipet lozin akoma në kategorinë e dytë apo janë ngjitur në të parën a kanë rënë në të tretën. Ajo që dimë me siguri është se karrigen e ministrit e kanë “ngrohur” shumë syresh deri tani. Nuk dihet si erdhën dhe as pse ikën e çfarë lanë. Kryeministri e konsideron ministren aktuale si më të suksesshmen. Nuk e dimë arsyen, aq më tepër se nuk ka shumë kohë në detyrë. Ndoshta kryeministri do na tregojë, edhe sepse e ka detyrim të japë llogari dhe të bëjë transparente arritjet ose mosarritjet e Ministrisë.
Një fakt interesant më bëri përshtypje në profilin publik të ministres Kushi. Ajo ka marrë titullin “Profesor i Asociuar” në Universitetin e Durrësit. Nuk e di nëse zonja Kushi e di këtë, por, pak muaj para se ajo të merrte titullin, Universiteti i Durrësit nuk kishte asnjë shans të jepte tituj. Ishte falë përpjekjes dhe luftës së një grupi pedagogësh nga Universiteti i Vlorës që monopoli i universiteteve të Tiranës mori fund. Shumë nga ata pedagogë u përndoqën ligësisht dhe u pushuan nga puna prej qeverisë së kohës. Duket se ministrja ishte një nga përfitueset direkte të atij ndryshimi të madh dhe më bëhet qejfi. E sjell këtë fakt në vëmendjen e lexuesit, sepse besoj që ndryshime të tilla historike duhet të motivojnë ministren e re. Zakonisht njerëzit që vuajnë pasojat e një sistemi të ndërtuar keq janë të parët që vrapojnë ta ndryshojnë. Uroj dhe shpresoj që t’i japin impulsin e nevojshëm ministres për transformime rrënjësore në arsimin e lartë.
Pas një periudhe të gjatë qeverisje markuar “Rama” dhe tregtuar si “Rilindje”, arsimi i lartë ka të njëjtat probleme, madje dhe më keq. Përfaqësues të partisë në pushtet vazhdojnë qokat nëpër kioskat universitare. Të krijohet përshtypja se askush nuk është i interesuar që të ndryshojë diçka. Nuk habitem që vizioni i këtyre politikanëve shkon deri te zgjedhjet e radhës. Kjo miopi nuk është vetëm karakteristikë e pozitës. Edhe prurjet e reja në politikën aktive nuk kanë shpenzuar ndonjë fjali dixhitale për arsimin e lartë.
Shpesh dëgjoj se Shqipëria vuan mungesën e profesionistëve. Kjo mungesë është e lidhur ngushtë me cilësinë e shkollimit. Ne aktualisht nuk edukojmë njerëz të aftë për tregun e punës. Drejtimi i universiteteve ka një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë. Shpesh është diskutuar, në opinionet e atyre që kanë se çfarë të thonë, se sistemi i përzgjedhjes së drejtuesve nuk funksionon. Qeveria në këtë pikë iu dorëzua presionit të oligarkisë universitare, u përkul nga ndikimi i “shokëve” që kishin interesat e tyre personale dhe nuk bëri atë “katharsis” që premtoi. Profili që i karakterizon vendimmarrësit e arsimit të lartë është tipik dhe grotesk. Ata japin mësim në universitete që paguhen me fonde publike, pastaj shkojnë edhe në ndonjë kioskë universitare të nxjerrin ca lekë te privati, po pse jo edhe ndonjë ditë andej nga Tetova dhe Struga. Ata që janë më “lojtarë” marrin ndonjë lek edhe nëpër borde. E pra, që ta ndryshosh këtë “status quo” duhet të bëhesh gati të ngelesh pa punë. Duhet të kesh kurajon qytetare të thuash të vërtetën, të shkaktosh dhimbje te disa njerëz dhe të marrësh kosto personale, familjare dhe politike. Ndryshe nuk bëhet. A është gati ministrja për këtë? Rektorë dhe dekanë me tituj të marrë me klering, që duan të japin edhe mësim në Strugë e Tetovë, pse jo edhe në kioskat e ortakëve të qeverisë, nuk mund të rregullojnë universitetet tona.
Një tjetër problem i sistemit tonë universitar është numri i universiteteve. Ne nuk mund të mbajmë me lekët e taksave një duzinë universitetesh. Eshtë e papërballueshme, jo vetëm për financat tona, po për shumë vende europiane. Kjo është një tjetër sfidë e ministres Kushi. Një ditë të bukur ajo duhet të gjejë kurajon të njoftojë se Shqipëria do ketë vetëm 3-4 universitete dhe se shumë pedagogë, që e meritojnë të jenë atje, do transferohen. Po me të tjerët çdo bëhet? Kjo varet nga filozofia e kryeqeveritarit. Po të pyesësh Z. Rama, do mësosh se ata që ngelen pa punë në Shqipëri mund të gjejnë punë në vende të tjera. Po unë nuk jam ai. Për këtë çështje mendimi im anon më shumë nga karakterizimi që i bën emigracionit Albin Kurti kur thotë se “emigracioni është tragjedi kombëtare”. Prandaj mendoj se ka një zgjidhje tjetër. Për gjithë ata pedagogë, të cilët nuk kanë marrë lekë për provime, për ata që nuk kanë paguar për titujt e tyre dhe që janë përpjekur në mënyrë të ndershme të plotësojnë formimin e tyre, qeveria ose vetë universitetet duhet të krijojnë mundësinë për kualifikime. Kjo është një praktikë që u ndoq edhe në Universitetin e Vlorës në periudhën 2008-2011. Shumë pedagogë të rinj u futën në mësime dhe provime me pedagogë që dinin pak më shumë se ta. Pra nuk është utopi, është një metodë e përdorur gjerësisht në universitete të mira dhe është një nga mënyrat për të shpëtuar ekonominë e qindra familjeve të prekura nga reforma e dhimbshme, por e domosdoshme. Alternativa është ajo që kemi, universitete mediokre që prodhojnë të papunë me diplomë.
Në mbyllje të këtij refleksioni do theksoj për të disatën herë, duke shpresuar në mirëkuptimin e lexuesit, se ne kemi nevojë për drejtues idealistë, që njohin mirë sistemet arsimore të suksesshme. Kemi nevojë për profesorë që edukojnë studentët me njohuri bashkëkohore, me praktikat më të mira akademike dhe profesionale. Do duhet të kalojnë vite të dhimbshme, me sakrifica dhe netë të gjata pa gjumë, por kjo është mënyra e vetme që të rinjtë tanë të kenë të ardhme. Kjo është e vetmja mënyrë që të rinjtë të mos largohen nga vendi i tyre, por të ndërtojnë jetën dhe karrierën pranë familjes dhe aty ku kanë lindur, nëse dëshirojnë. Eshtë e provuar se, nëse do kemi këtë “kapital” human, bota do vijë te ne dhe nuk do jemi më të detyruar të shkojmë tek ata.