Regjisori i ‘Kapedanit’: Si më çuan në riedukim

Regjisori i filmit “Kapedani”, Fehmi Oshafi kujton detajet e filmit, se si refuzoi fillimisht aktorin Albert Vërria për rolin e xha Sulos dhe sulmet që i erdhën pas suksesit të filmit, duke e çuar një vit riedukim në fshatin Shupal…

 I ka mbushur të tetëdhjetat, por ende ruan të njëjtën energji prej tridhjetëvjeçari, si atëherë kur xhironte “Kapedanin”, dhe kujtesa është po ajo e një djali të ri, i cili kujton me detaje kohën kur bënte karrierë si regjisor nën censurë…

E kujton si të ishte dje, kohën kur mori në dorë skenarin e Skënder Plasarit, se si u bllokua fillimisht nga ministria për shkak se Niko Koleka ishte shprehur se xha Suloja hidhte baltë mbi veteranët e luftës dhe se si refuzoi fillimisht Albert Vërrinë në rolin e xha Sulos.

“Pas kinoprovës, i thashë shtabit të filmit se unë isha i pari që do të dërgohesha për riedukim me xha Sulon që na solli Albert Vërria”, – rrëfen Fehmi Oshafi, thuajse gjysmë shekulli pas realizimit të filmit “Kapedani”, që rezultoi një sukses i madh jo vetëm për kohën, por deri sot mbahet mend si një nga prodhimet e Kinostudios “Shqipëria e Re” që mbetet aktual me batutat dhe karizmën e pashoqe të plakut babaxhan mustaqelli.

Pas perdes së suksesit, regjisori ka histori pafund për të treguar, me imtësi mbresëlënëse por edhe me një intonacion dhe narracion që të përfshin në bisedë, duke mos i humbur instinktet e aktorit, pasi vetë Hoshafi rrëfen se përpara karrierës si regjisor e kishte nisur si aktor i Teatrit Popullor.

Madje kishte luajtur edhe në filmin “Përse bien këto daulle”, sipas romanit “Dasma”, në rolin e bashkëpunëtorit shkencor që mblidhte formula urimi- një film që u ndalua për transmetim nga regjimi asokohe. Por ishte pikërisht në këtë sheshxhirim që ishte njohur me aktorin Albert Vërria, i cili luante rolin e një pijedashësi qylaxhi që mezi ç’priste të dëgjonte ku bëheshin dasma për të pirë falas.

“Njiheshim mirë qysh nga ai film. E megjithatë, unë i thashë shtabit se nuk isha për kandidaturën e Bertit. U thashë se ai do të na jepte një xha Sulo negativ dhe mund ta çonte filmin pikërisht aty ku donte ministria”, – rrëfen regjisori ndërsa zbulon se preferenca e tij e parë për këtë rol ishte aktori Pandi Raidhi.

“E para, ishte aktor me humor, nuk diskutohej. Humor i natyrshëm. E dyta, ishte tipi i fshatarit, e treta ishte babaxhan, zemërmirë. Përse më duhej mua një fshatar babaxhan? Sepse, Niko Koleka në ministri në atë kohë u kishte mbushur mendjen se ky skenar nuk duhej miratuar se hedh baltë mbi veteranët e luftës dhe Kinostudioja nuk e fuste në prodhim skenarin”, – vijon regjisori duke kujtuar presionin e madh për një tridhjetëvjeçar, aq sa ishte mosha e tij kur nisi projektin e “Kapedanit”.

Ndodhi që për shkak të angazhimeve me Teatrin e Korçës, Pandi Raidhi nuk mund t’i linte shfaqjet në mes e as të siguronte një leje, e kështu shtabi i filmit “Kapedani” u detyrua të kërkonte një aktor tjetër për rolin.

“Më thanë ta merrnim Bertin në kinoprovë. Emrin e tij e propozoi Muharrem Fejzo. E morëm Bertin dhe thamë nuk do të ndërhyjmë. E lamë të bënte sipas qejfit. Mbaroi kinoprova dhe i thashë shtabit: “Me ketë xha Sulo, unë do të shkoj i pari për riedukim”, – vijon Hoshafi, i cili aty për aty i tha shtabit se kishte edhe një tjetër problem. Vërria ishte vetëm 32 vjeç në atë kohë, shumë i ri për rolin e një veterani si xha Suloja.

“E çuam te grimieri. Më tha: ‘Mos u shqetëso fare se ta bëj plak. Eja pas një orë’. I kishte vënë mustaqe, grim… kur e shoh, tamam si xha Suloja. I thashë shtabit, do ta marrim”, – vijon rrëfimin ai, ndërsa kujton se asokohe edhe aktori Naim Frashëri, i cili ishte një yll në ngjitje në teatër dhe kinema, kishte shprehur dëshirën të bënte një kinoprovë për rolin e xha Sulos.

“I thashë që nuk ishte për këtë rol, ishte shumë intelektual për rolin e një fshatari të pagdhendur. I thashë se nuk doja ta turpëroja, të thoshin pastaj që e mori Fehmiu e nuk ia dha rolin”.

Hoshafi thotë se në të gjithë filmat e tij, përfshi këtu edhe “Kapedanin”, ai ka qenë vetë aktori i parë i rolit, ose të paktën në të shumtën e rasteve, kur i duhej t’ua demonstronte konceptin regjisorial të rolit aktorëve. E njëjta kish ndodhur edhe me Vërrinë, mban mend ai.

“Nisëm kinoprovën, Berti nuk ishte gjëkundi me rolin. Nuk e kuptonte konceptin tim regjisorial. I thashë: “Kemi një personazh fshatar, kapadai, i duket vetja sikur ai ka bërë luftën, më i madhi i fshatit, por është njeri pozitiv, i mirë, i dashur. Ai nuk i duron gratë të kenë funksione shoqërore, por kaq. Ne duhet të dënojmë sëmundjen, por duhet ta mbrojmë xha Sulon. Xha Suloja është i yni”. Mora si pikënisje batutën tek ëndrra që sheh kur duan t’i presin mustaqet dhe vjen Ropi thotë: “Xha Suloja është i yni”. Kjo ishte motoja, që spektatori ta donte xha Sulon, sa babaxhan që ishte por që e ka këtë dreq të mete që nuk i duron dot gratë. Ishte koncept i gjerë. U mundova një, dy, tri herë. E pashë që nuk e arrinte dot. Dhuntia ime si aktor, më ndihmoi t’ia demonstroja rolin Bertit. Nisa t’ia demonstroj rolin Vërrisë, tekstin komplet. A do të të them ndonjë batutë?” – thotë ndërsa pa pritur përgjigje nis të recitojë pjesë nga roli i xha Sulos, duke marrë të njëjtin qëndrim hijerëndë si plaku grindavec i filmit.

“Berti e arriti figurën, edhe në sajë të talentit, sepse pa talentin e tij çdo përpjekje e imja do të kishte qenë e kotë, por sa i përket të drejtuarit, e kam drejtor unë. Pas Kapedanit, Bertin e kam marrë në pesë filma. E kam marrë te filmi “Thirrja”, pastaj e kam marrë te “Dëshmorët e monumenteve”, “në emër të Lirisë” dhe i kam dhënë rolin e çobanit te “Melodi e pandërprerë”.

Në sajë të talentit të tij dhe punës që kam bërë me të, arriti të bëhej artist i merituar, pastaj i popullit”, thotë Hoshafi, ndërsa nis të tregojë edhe historinë pas rolit të xha Beqos dhe arsyet përse zgjodhi Nikolin Xhojën.

“Skënder Plasari më thoshte që për rolin e xha Beqos të merrnim Mihal Popin, sepse duke shkruar skenarin, atij i dilte parasysh Mihali. Mirëpo regjisori ka përfytyrim e vet. Mua nuk më dilte Mihali, por Nikolin Xhoja. I morëm të dy për të parë kush ishte më mirë. Nikolinin e shihja komplet, nuk ishte nevoja për prova. E thirra Skënderin dhe ai ra dakord që ishte më mirë Nikolini”.

Pasi filmi ishte realizuar, Hoshafi tregon se operatorit Ilia Terpini i erdhi ndërmend që përpara se të shfaqej në kolektiv, atë ta shihnin një herë gratë e anëtarëve të shtabit të filmit. Nëse ato do e pëlqenin, atëherë po…do ta shfaqnin. “

“Ilia më ka qëndruar shumë afër gjatë xhirimeve dhe ka merita të veçantë për filmin. Nuk e imagjinoj dot pa punën e tij filmin ‘Kapedani’. I thirrëm gratë, e panë filmin. Filloi Ilia të pyesë gratë. Të gjitha folën me superlativa. Ishin kënaqur. Ime shoqe nuk qeshte fare gjatë filmit.

Të gjitha folën mirë, vetëm gruaja ime jo. Prisnin nga Sofia të bënte kompliment. Pyetjes së Ilias iu përgjigj vetëm me një “çka!” Dolëm jashtë dhe i thashë: “Po mirë moj zonjë, a nuk të erdhi zor, kur Ilia priste një fjalë të mirë, i thua ‘çka’? “E çka, posi. Pse ç’kujton ti? Të duket vetja më i mirë se xha Suloja?!” – më thotë ajo. Aty i thashë vetes që filmi do të ketë sukses. Në mënyrë instinktive kisha injektuar diçka nga vetja te xha Suloja”, – tregon me humor regjisori.

Frika për reagimin e qeverisë së asokohe për filmin sikur shuhej me suksesin e gjerë që arriti filmi, por fjalët e mira Hoshafi thotë se i mësoi vite më vonë. Askush nuk i kish thënë asgjë.

“Filmi u prit në mënyrë të shkëlqyer, por mua nuk më erdhi asgjë për filmin. As mua, as shtabit. Vite më pas, më kap Bert Vërria dhe më thotë: “Shoku regjisor, e ke vëllimin 67 të shokut Enver Hoxha?”- Jo, – i thashë, – nuk kam arritur akoma. “Po flet për filmin dhe për xha Sulon”. Shfletoj librin, vizitë e shokut Enver Hoxha në familjen e Sulo Gradecit, shoqëruesi kryesor. Ai shkon për të respektuar shoqëruesin, i bën vizitë babait që ishte i sëmurë. Dhe pasi i jep dorën i thotë: “Hë mo, ç’kemi! Se m’u bëre më keq se xha Suloja.

–Shoku Enver, nuk e di kush është xha Suloja?

–Si nuk e di? Po është personazhi i filmit “Kapedani”, një film shumë i bukur, një film i tillë e i atillë që flet për emancipimin e gruas shqiptare…- analizon filmin Enver Hoxha, dhe mua gjatë gjithë atyre viteve nuk më kishte ardhur një fjalë. Kaq shumë më donin në Kinostudio? Kaq shumë më paskan dashur? Kaq figurë negative paskam qenë?” – thotë ai ndërsa sërish impostohet si një aktor në një monolog tragjik.

Por pas suksesit të “Kapedanit”, gjërat nuk do të shkonin mirë në karrierën e regjisorit. Ai e kujton ende ditën kur e thirrën për të realizuar një tjetër film të suksesshëm, por këtë herë për luftën kundër revizionizmit, sipas veprës “Sinjali i kuq” të Bashkim Kozelit. Por përgatitja e skenarit të këtij filmi do t’i kushtonte një vit riedukim në Shupal.

Argument për nevojën për riedukim të regjisorit ishte bërë një sjellje e tij në kohën kur diskutohej skenari i filmit “Duke kërkuar 5-orëshin”.

“Ma ngarkoi drejtoria pas suksesit të ‘Kapedanit’. U krijua shtabi i filmit dhe shkruanim skenarin tekniko-regjisorial te shtëpia e oficerëve. Gjatë shkrimit të skenarit më thanë që nga 5 faqe skenar letrar keni nxjerrë një shumë të madh tekniko-regjisorial, filmi duhet jetë me metrazh të shkurtër apo të mesëm. Ia hodha në tavolinë skenarin Vangjushit, dhe ai u tha që ua kisha hedhur skenarin në surrat. E konsideruan si thyerje disiplinore dhe më çuan për riedukim.

Kam qenë i persekutuar, por kurrë nuk e kam pranuar teserën e të persekutuarit”, – thotë ai.

Fehmi Hoshafi u lind në Tiranë më 28 shtator 1934. Filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë, Hakani dhe Dhamo, në filmat e tyre “Toka jonë”, 1964; “Vitet e para”, 1965; “Oshtimë në bregdet”, 1967; “Gjurma”, 1970. Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin “Estrada në ekran”, i cili u xhirua nga Kinostudioja në formën e një filmi artistik. Prej suksesit që pati ky film, iu besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur “Kapedani”, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Më vonë ai realizoi filma si “Ëndërr për një karrige”, 1984 dhe “Zëvendësi i grave” 1987.

Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi “Shoku ynë Tili” nderohet me çmim në Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë e të Rinj, Giffoni, në Salerno, Itali. Por “Kapedani” vazhdon të mbetet filmi ku kthehet shpesh në kujtime, dhe ku nëpër tryeza kafenesh i vijnë natyrshëm batutat e tij.

SHKARKO APP