Regjistrimi të bën gropën

Edhe në ikje mjeshtri Lalo ngatërroi dynjanë. Mbrëmë, pasi mbylli sytë njëherë e përgjithmonë, bëri për ujë të ftohtë një televizion të tërë, duke i nxjerrë sheshit një sekret që prezantuesja Marina Vjollca sapo e kishte paketuar bukur bukur me letër e fjongo, duke theksuar se ‘C’est la vie’ ishte “live”.

“Duke dëgjuar kohët e fundit komentet e njerëzve, shpeshherë edhe disa media kanë abuzuar pa të drejtë që ‘C`est ka vie’ s`është live, por ‘C`est la vie’ është live nga fillimi deri në fund.” Altin Goci e përforcoi duke thënë: “100% live”. Këto sekuenca sot gjenden me vështirësi se janë fshirë.

Mund ta kishte fjalën për orkestrën dhe të kënduarin, megjithëse pak vështirë ta besojnë se në një program të regjistruar, u këndoka live. Se që ishte i regjistruar e morëm vesh të gjithë. Mjeshtri Lalo vdiq ndërkohë që spektakli “live” i Marinës e shfaqte në juri, mirë e bukur, duke lezetuar spektaklin me batuta gjithë kripë. Pastaj doli Reis Çiço në një edicion special dhe njoftoi humbjen e Mjeshtrit Lalo dhe sqaroi se programi ishte regjistruar dy ditë më parë. Dhe si të mos mjaftonte kjo, do ta kemi edhe javën tjetër Aleksandër Lalon mes nesh, sepse po sipas Reisit, është regjistruar edhe një tjetër puntatë, dhe kësaj here duhet t’ia dimë për nder programit me regjistrim që do na japë mundësinë ta shohim për herë të fundit. Por gjithsesi, çfarë sikleti duhet të ketë kaluar Marina, Altini dhe një televizioni i tërë, që për të ecur në shina të sigurta ka vendosur që spektakli të shfaqet i regjistruar, pa marrë parasysh se pa dashje po thonë edhe një gënjeshtër?

Po se mos është hera e parë. Sa herë e kemi parë atë grusht analistësh që shëtisin sa në një studio tek tjetra, që flasin në të njëjtën kohë sa tek Fevziu për Gjirin Persik e sa te Balla si specialistë të midhjes dhe të peshkut? Ku ta gjesh se cili po na flet për së gjalli? Në tre ekrane njëkohësisht e pamë para pak javësh Lorenc Vangjelin.

“Pas fejesës vendosa të largohem përfundimisht në Gjenevë”, sqaroi Floriana Garo ca ditë të shkuara tek Fevziu, me fustanin ngjitur pas trupit, ndërkohë që rrjeti ziente për shtatzëninë e saj. Largimi i saj nuk do ishte lajm i vjetër nëse programi i regjistruar një muaj më parë do ishte shfaqur para lajmit të shtatzënisë.

Dhe meqë jemi këtu, 10 muaj shtatzëni patën Ilva Tare dhe Rudina Xhunga. Jo se thyen ndonjë ligj të natyrës. Ato lindën mirë e bukur në muajin e nëntë pasi punuan deri në minutën e fundit, ama programet e lëna me regjistrim, për të respektuar çdo afat e pikë të kontratave me sponsorat, i shfaqnin sërish me barkun e madh edhe pse bebet në shtëpi po bënin nani nani.

Emisionet me regjistrim nuk janë shpikje e jona. E bëjnë të gjithë, edhe programet më të njohur të ekraneve më të besuar të botës regjistrojnë e pastaj shfaqin. Ky është një proces teknik, që ne s’ka pse të na interesojë. Ne e shijojmë njësoj diçka të bukur. Vetëm s’na pëlqejnë të na gënjejnë.

Se sot ekranit kanë edhe një spiun të tmerrshëm: rrjetet sociale. Sa herë i kemi parë personazhet televizivë që ndërkohë që flasin në studio të përlotur për atë ngjarjen tronditëse të jetës së tyre, në Instagram i gjen duke bërë “live” me fansat nga buza e ndonjë pishine.

E ka fajin programi me regjistrim, që në ndonjë rast klonon njerëz, në ndonjë tjetër shfaq publik të përgjumur se regjistrimet janë bërë në orët e para të mëngjesit e në ndonjë si i mbrëmshmi na jep mundësinë të shohin të vdekurit të gjallë. Regjistrimi të bën gropën, me pak fjalë!

Tirana Post

SHKARKO APP