Reportazh nga Zymi i Prizrenit me personazh shtjefën Gjeçovin në takimin e 46-të

Nga Sefer Pasha

Zymi i kësaj vjeshte ka marrë ngjyrën e mjaltit dhe është në festë. Mbi krye i rri mali i Pashtrikut me borën e parë përsipër e që prej këtej ngjan si një grup valltarësh të veshur me kostum kombëtar. Kështu ngjan Pashtriku. Kurse në këmbët e Zymit Drini i Bardhë më duket sikur këndon: /Sulejman Vokshi ka hyp në thep/ /Bash si zana po pisket/ /Po pisket si zanë Pashtriki/ /Unë Gjakovën se koriti/. Mes zymianëve ka ardhur dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ecën mes malësorëve dhe miqëve të ardhur nga larg fare natyrshëm. I gjatë e i drejtë si lis e pa asnjë lloj kompleksi se është i pari i Kosovës. Njerëzit e duan, e përshëndesin dhe i japin dorën. Sa ka ndryshuar komandanti i luftës së Kosovës. E kam takuar fill pas luftës çlirimtare. Ishte i qeshur. Kështu është dhe në fotografinë ku kemi dal së bashku. Atëherë ishte i qeshur. Nuk kishte asnjë thinjë. Tani thinjat për çudi ngjajnë si manushaqe të bardha. E kqyr me kujdes. Fletë i përmalluar me malësorët, por sikur nuk qesh. Seç ka një trishtim në fytyrën e tij me pamje dardani. Mesa duket dramat pas çlirimit të Kosovës janë po aq të mëdha sa ato të luftës. Mes emocioneve tronditëse përballë shtatores së Shtjefën Gjeçovit Hashim Thaçi e hedh vështrimin nga maja e malit të Pashtrikut. Çfarë i kujton ky mal legjendës së luftës. Poshtë varrit të shënjtë në vendin e quajtur Qafa e Mullarit djaloshi i ri Hashim Thaçi i shoqëruar me trimat e tij kapërxeu malin dhe po shkonte për në Rambuje. Mali ishte i lart 1274 metra. “Çe Gue Vara” me këpucët me qafa i shtyrë nga një tis i artë e me armët e grushtin idhnak si të ishte në mitologji i la në “gjumë” forcat e Millosheviçit që e kishin zaptuar malin e Pashtrikut. Hashim Thaçi me syrin e mprehtë mes yjeve dhe hyjnive e kapërxeu Qafën e Mullarit. Domosdo në mes të peisazhit tragjik luftëtari i madh la një lule në qafën e Mullarit të mbrojtur nga millosheviçianët. Aty vite më parë ishte vrarë vëllai i Rramush Haradinajt, Luan Haradinaj. Thaçi zbriste malin për në Vlahën të Hasit dhe si të ishte aktor në ndonjë film përfytyronte bashkëluftëtarin e tij Rramush Haradinaj, i cili i shoqëruar nga ilegalët me mundime të mëdha e ulën nëpër mal Luanin e vrarë dhe e varrosën tek Ara e Muhadrit në Vlahën. Nuk i teproj koha të shkonte tek varri në mes të arës i Luan Hardinajt. E prisnin betejat më të tejme. Do të hiqte këpucët me baltë e do të vishej si diplomat. Rambujeja ishte prova autentike për prijësin e ri të Kosovës. Dikur Dervishi i Luzhës pati bërë një profeci për të. “Ka lindur një djal që do të bëhet komandant i luftës” pati thënë Dervishi i Luzhës. Dhe në Malsinë e Gjakovës thonë se dervishit i doli profecia. Kam shkuar në Qafën e Mullarit. Pikërisht në Qafën e Mullarit ushtarët e UCK-së Ali Peca dhe Sali Gera mendojnë të vendosin një pllakë ku të shkruhet: – “Këtu kaloj për në Rambuje Hashim Thaçi”. Po në Qafën e Mullarit nuk ka udhë e as njerëz që ta lexojnë. Ani bre, më thonë ata. Mbishkrimin e pllakës le ta lexojnë shqiponjat e Pashtrikut.

      Bukuria e kujtimeve sjell vegime të qashtra jo vetëm për Hashim Thaçit, por për të gjithë sojllinjtë e Zymit. Jepet një koncert në amfiteatrin modest të Zymit. E ndërsa kërcehet një valle sjell në mendje një detaj nga jeta e këtyre njerëzve, që humbën shumë të dashur në luftën Çlirimtare në Drenicën e Pashës. Po koreografi ndihej keq. Për vallen kishte vajza, por nuk mjaftonin djemtë. Ata ishin vrarë në luftë. Vetëm në Krushë ka 200 të vrarë nga paramilitarët e Arkanit. Dhe korografi e përgatiti vallen. Por valltarët djem mungonin. Ata ishin në varre. Motive të kësaj natyre rrëfehen në Zym në javën kushtuar Gjeçovit. Në takim jepet portreti i ngohtë e shumëdimensional i fratit Shtjefën Gjeçovi. Flasin dhe admirues të Gjecovit të ardhur nga Vlora. Entografi, arkeologu, historiani, mësuesi, poeti, prozatori, dramaturgu e përkthyesi Shtjefën Gjeçovi merr pjesë në luftën për çlirimin e Vlorës nga Italia. Ai ngre flamurin mbi varrin e Ismail Qemalit në Kaninë fill pas fitores. Me xixa gëzimi studjuesit e Gjeçovit i thonë auditorit se Shtjefën Gjeçovi me staturën e tij fisnike në luftën e Vlorës u shqua si strateg ushtarak dhe domosdo si përsonazh intrigues ai në shtypin e kohës shkroi për këtë luftë të pashoqe. Njohësi më i madh i Gjeçovit Frrok Kristaj i njohur dhe si mjeshtër i të shkruarit hulumton gjithëanshmërisht për të mësuar hollësira të nginjura e të panjohura rreth veprimtarisë së këtij burri të madh në betejën legjendare për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italian. Frati i madh Shtjefën Gjeçovi pa me sytë e tij sesi lufëtarët shqiptarë hodhën në det një supërfuqi të kohës si Italia. Por studjuesi i tij Frrok Kristaj do të dijë dhe të panjohurat e të padëgjuarat nëse frati fantastik që u ndodh në frontin e luftës me lebërit që e zunë “topin nga gryka”, a bashkëpunoj me heronjtë e mdhenj proverbial të kësaj lufte si Zigur Lelo, Selam Musai, Kanan Mazja e të tjerë? Rrëfenjat janë të shumta.

     Për kryeëngjëllin e Zymit dhe të gjithë Shqipërisë Shtjefën Gjeçovi kumtojnë shumë përsonalitete që kanë ardhur nga Prishtina, Tirana, Tetova e nga diaspora. I dëgjoj folësit dhe e hedh vështrimin nga shtatorja e At Shtjefën Gjeçovit e punuar për merak. Okupataori serb e vrau legjendën më 14 tetor të vitit 1929. Sa e kujtoj togëfjalshin “okupatori serb” më duket sikur At Gjeçovi na porositë që të jemi vigjilent. Pikërisht nipërit e serbëve që e vranë Gjeçovin kanë bërë krime çnjerëzore në Kosovë. Janë pikërisht ata që në luftën e fundit bën gjenocid, vranë qindra njerëz dhe zhdukën mijëra të tjerë midis të cilëve dhe birin e këtyre anëve Ukshin Hoti, djali I të cilit Andin Hoti është deputet I Kosovës. Pasardhësit që vranë Gjeçovin në luftë përdhunuan gratë e Kosovës, çanë me bajoneta barkun e nuseve të reja dhe ua nxorën fëmijët të gjallë, hapën varre masive dhe shumë kufoma i hodhën në Drinin e Bardhë. Zymasit janë prekur nga kjo lufte e ashpër e mizore. Edhe në një arë kur korrin misrin apo grurin kanë frikë se brenda arës janë eshtrat e familjarëve, të cilët janë zhdukur pa nam e pa nishan. Memorja e Zymit nuk harron. Erozioni i kohës nuk ndryshon asgjë. Pjezëza të kësaj tragjdie drithmërojnë si në një spektakël të kobshëm të gjithë qytetarët, që janë rrotull satujës pa kulm mbi kokë. Për ikonën indentifikuese fletë historiografia shqiptare. Gjeçovi e ka marrë statusin e legjendës. Edhe në rrethanat e reja betimi i zymasve dhe i të tjerëve në këtë audiencë është i madh. Një yll televiziv i këngës në Kosovë këndon këngën “Pa u bashkuar shqiptarët, nuk bashkohen trojet”. Kënga përcjell emocione e paraqet metaforikisht me forcë të epërme dhe dramat e kohës për të cilat luftoi Gjeçovi. Në këngë ngërthehen çështje nervalgjike për të pastruar egjërin në këtë të uruar Shqipëri, ku e gjithëimagjinueshmja, megjithëse është e bekuar parë së larti, ka ende probleme të zgjyrta si në Kosovë dhe në Shqipëri e që kërkojnë përgjigje prej sfinksi.

       At Shtjefën Gjeçovi i ka autentike profecitë e tija të vyera. Veprimtarinë e shënjtëruan me komunikim të shumfishtë pamëdyshje vetërrëfimet e historianëve, poetëve, këngëtarëve dhe valltarëve. E në këtë krah bëri përshtypje me sipikamë botimi i librit të Tonin Alisë me titull:- “Aliajt e Kryeziut (Pukë) paraardhës të Gjeçovit”, ku nga një këndvështrim i epërm jepet pema gjenealogjike e të parëve të Gjeçovit. Studjuesi Tonin Alia i cili u nderua me çmim në Zym me ngjyra të vezullimta e ndjenjore përcjell me kontunitet kulturor faktin e pakundërshtushëm se oxhaku i tij në Kryezi, Aliajt, janë paraardhësit e të madhit At Shtjefën Gjeçovi. Deri tani në Kryezi flitej për “kopshtin e Gjeçovit” “për kroin e Gjeçovit”, e për arat, qershitë, përroin, gështenjat të cilat i mësojnë fëmijët në bankat e shkollës, kurse me botimin e librit të Tonin Alisë del se qysh nga viti 1700 fisi i tij dhe i Gjeçovit janë të një zjarri e të një vatre dhe kjo ka vazhduar për dy shekuj në trojet e veta. Për herë të parë lexuesi mëson për rrënjët e fisit të Gjeçovit, që janë Aliajt të parët e familjes së Tonin Alisë qysh qëmoti.

Takimi i 46 i Gjeçovit në Zym të Kosovës promovon me stil novator e gjuhë kancelarie varshmërinë nga e kaluara, ku janë rrënjët tona siç janë një varg vetjesh si ajo e figurës monumentale të At Shtjefën Gjeçovit për të cilin mbajtën kumtesa Muhamet Bela e Bilbil Dervishi.

SHKARKO APP