Reportazh/ Stokholmi i rrugëve të ngushta dhe mendjeve të hapura

Nga Elona Elezi

Rreth 12 vite më parë Marie Tomicic braktisi profesionin e saj dhe punën kërkimore në administrim biznesi, për t’iu dedikuar tërësisht librave për fëmijë në Suedi. Që nga viti 2007 ajo drejton shtëpinë botuese “Olika”, që nga suedishtja në shqip do të përkthehej “E ndryshme”. Gjithçka nisi gjatë viteve të para të edukimit të djalit, fëmija i saj i parë. Si një nënë beqare, ajo habitej dita-ditës teksa lexonte tekstet e librave dhe shihte ilustrimet e tyre. Gjithmonë familje të plota, dy prindërit dhe fëmijët, me lëkurë të bardhe dhe të buzëqeshur. Nuk ndihej rehat kur nisi t’i shpjegonte të birit pse në familjen e tyre mungonte prania e një burri. Ajo nisi me argumentimin se në realitetin e sotëm, familjet nuk ishin vetëm kështu, pra nëna dhe babai gjithmonë krah njëri-tjetrit. Jo! Maria ishte divorcuar pas lindjes dhe si ajo kishte shumë gra të tjera në Suedi. Këtu ishte pikënisja për shtëpinë e botimit që do të hapte. Ajo e ndjente se kishte ardhur koha që dikush të përfshinte në literaturën e librave për fëmijë diversitetin. “Qëllimi im nuk ishte t’u imponohesha familjeve. Thjesht t’u tregoja atyre që fëmijëve u duhet folur mbi çdo gjë që është e ndryshme” – thotë Maria. Gjatë punës së saj ka pasur edhe skeptikë. Sot, 12 vite më pas, librat e “Olika” po hyjnë vrullshëm edhe në tregun amerikan. Librat e Marias dhe ekipit të saj prezantohen si “mënyra suedeze e prindërimit”.

Por Maria është veçse një prej njerëzve të shumtë që përpiqen të luftojnë sa më shumë në përditshmërinë e tyre për diversitetin dhe të zbehin sa më shumë stereotipet në Suedi: që burrat janë të fortë dhe gratë janë seksi i dobët, që në kisha duhet të ketë vetëm priftërinj (Stokholmi ka në kishat e tij priftëresha që nga vitet 1960), që njerëzit me preferenca të ndryshme seksuale janë të sëmurë mendorë e shumë të tjera si këto. Në fakt, Suedia e në veçanti Stokholmi, sot joshin shumë turistë nga e gjithë bota pikërisht me logon: “Stockholm, city of narrow streets meet open minds”, “Stokholmi, qyteti i rrugëve të ngushta dhe mendjeve të hapura”. Në të ashtuquajturin kryeqyteti i Skandinavisë, në datën 3 gusht të këtij viti rreth 500 mijë persona ndoqën paradën LGBT dhe 50 – 60 mijë anëtarë të këtij komuniteti marshuan në rrugët e qytetit. Kjo është një traditë që vazhdon nga viti 1998. Karin Mantymaki nga “Visit Stockholm”, agjenci e Bashkisë për promovimin e turizmit, e konsideron këtë paradë si një nxitës shumë të mirë për rritjen e ekonomisë. “Ne punojmë vazhdimisht për të qenë të hapur dhe tolerantë, në mënyrë që kushdo që vjen këtu të ndihet i lirë” – shprehet Karin. Bashkia që ajo përfaqëson e konsideron shumë të rëndësishëm turizmin pink dhe punon për të qenë në majat më të larta të renditjes së kryeqyteteve miqësore me këtë komunitet.

“Fotografi i gjinive” u quajt Tomas Gunnarsson pasi bëri revolucion me imazhet që ndryshuan klishetë e portreteve në reklama, televizion, revista e kudo në Suedi. Gazetari dhe fotoreporteri ngjalli shumë kureshtje në punët e para të tij, kur në kopertinat e revistave një shefe kuzhine e fotografoi si të ishte një modele pasarelash, provokuese dhe joshëse. Me anë të objektivit të tij ai fotografoi burra të pushtetshëm duke bërë punë shtëpie dhe duke u kujdesur për fëmijët, dhe gra shtëpiake të shndërruara në sipërmarrëse të suksesshme. “Imazhet mund të çimentojnë stereotipe të ngurta gjinore që na kufizojnë secilin prej nesh – vajza dhe djem, gra dhe burra, dhe ata që nuk identifikohen tek asnjëra nga këto kategori. Por imazhet mund të tregojnë të kundërtën. Kur bëhen siç duhen, ata mund të jenë pasqyra e vërtetë e një njeriu” – thekson Gunnarsson.

 

SHKARKO APP