Reportazhi/ Lufta e nënës nga Tirana për t’i kthyer fëmijët nga Siria

Një nënë nga Tirana ka mbi pesë vjet që po mundohet t’i kthejë dy fëmijët e saj nga Siria. Në vitin 2014, burri i saj mori vajzën dhe djalin dhe shkoi në Siri për të luftuar në krah të grupit ekstremist Shteti Islamik.

Mi mori fëmijët, më tha do iki për në Mal të Zi. Kur erdhi kunati më tha të ka lënë një letër që ka ikur për Siri. Unë jam një nënë e vuajtur qe pesë vjet. Unë dhe fëmijët e mi. Ata edhe me babanë kanë qëndruar shumë pak. Ai u vra”  ka thënë ajo për Radio Evropa e Lirë.

Në Siri fëmijët tani kanë emra arabë dhe kërkohen nga Interpoli

“Po si çdo nënë, siç thonë ku rrinë fëmijët, të rrijë edhe nëna. Mendja është gjithmonë atje pavarësisht që u bënë pesë vjet këtu. Ata që janë prindër mund ta besojnë këtë që më ka ndodhur mua, tjetërkush nuk e beson. Tani vajza është 14 vjeçe, çuni është 12, shumë të vegjel”

Pas vrasjes fëmijët mbetën vetëm dhe tek ta shkoi më pas gjyshja e tyre. Ata jetojnë në kampin al-Hol në Siri.

Të keni durim ju dhe ne. Kemi qëndruar qe gjashtë vjet këtu në luftë, tani jemi rehatuar pak a shumë me ushqime dhe veshmbathje. Mos na e keni gajlen, kur të ikin të gjithë shqiptarët, edhe ne me shqiptarët bashkë”, thotë gjyshja e fëmijëve në një video.

Daja i fëmijëve, Xhetan Ndregjoni,  ka bërë shumë kërkesa ndaj autoriteteve shqiptare që t’i ndihmojnë në kthimin e mbesës dhe nipit. Mbesa i shkruan shumë shpesh dajës së saj.

“Kemi mesazhe të pafund të vajzës që çdo ditë thotë: o daja, o daja, çka po bëhet? Kur po vjen shteti të na marrë? A po vjen ambasada të interesohet për ne? Kërkesa të tilla thotë për t’u bashkuar me motrën dhe me nënën e vet. Edhe njëkohësisht edhe me ne, me fëmijët tonë, të rriten bashkë. Janë lot të përditshëm këta. Më ka rënë të udhëtoj 200 deri 300 kilomtra në ditë, meditoj, kujtoj fëmijët, derisa e ndjej vetën të pafuqishëm për të ecur, hap krahun, ngopem, vazhdoj rrugën”, thotë ai me lot në sy.

Ndër të tjera ai fajson institucionet për këtë ngjarje.

Para se te radikalizohej Shkëlzeni punoi si instalues uji në Arabinë Saudite. Gruaja e tij thotë se burri nisi të radikalizohej kur u kthye nga Arabia Saudite.

Ajo shpreson që edhe fëmijët e saj të kthehen siç janë kthyer disa fëmijë nga Siria në Kosovë.

Në prill të këtij viti Kosova ka riatdhesuar 110 persona të kthyer nga zonat e luftës në Siri. Prej tyre 74 ishin fëmijë.

*Ky reportazh u përgatit dhe publikua nga Radio Europa e Lirë (REL”

SHKARKO APP