Reshat Arbana, aktori dhe njeriu i dashur për të gjithë

 

    

 

 

Nga Shpendi Topollaj/

Është bërë zakon të thuhet se, ai brez, ata njerëz, ata artistë nuk vinë më. Kjo shprehje përdoret rëndom edhe kur bëhet fjalë për aktorët tanë të skenës apo ekranit që në mungesat e mëdha shpirtërore të kohës së diktaturës, me talentin e tyre të jashtëzakonshëm, mbushën atë boshllëk intelektual, estetik e deri argëtues që e ndeshnim në zymtësinë e përditshmërisë tonë. Dhe deri diku kemi të drejtë kur themi se vështirë të vijë më Naim Frashëri, Mihal Popi, Kujtim Spahivogli, Loro Kovaçi, Marie Logoreci, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Pjetër Gjoka, Ndrek Luca, Sulejman Pitarka, Prokop Mima, Tano Banushi, Nikolin Xhoja, Pandi Raidhi, Roland Trebicka, Roza Anagnosti, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Stavri Shkurti, Rikard Ljarja, Robert Ndrenika, e plot të tjerë. Shumë prej tyre fizikisht janë larguar nga ne, por kjo bota e artit ka favorin që t`i mbajë të gjallë përjetësisht. Ata shfaqen dhe rishfaqen herë pas here me tërë madhështinë e talentit të tyre, ndaj dhe ne i ndiejmë pranë, të afërt e të dashur edhe sikur të mos i kemi takuar ndonjëherë. Dhe në ndodhtë që të jesh njohur kur ishin gjallë apo t`i kesh miq ata që jetojnë, ky është një privilegj i lakmueshëm për këdo, pasi tek ata ka një koherencë të habitshme: në atë lartësi që i ngriti aftësia profesionale, i ka lartësuar edhe ana e tyre njerëzore. Dhe njeri nga këta është pa dyshim “Artisti i Popullit” Reshat Arbana, ai që me madhështinë e tij aktoreske, por dhe me thjeshtësinë që e karakterizon, gëzon respektin dhe mirënjohjen e kujtdo dhe që unë ndihem i nderuar që e kam mik të shtrenjtë.

Nisur nga roli i tyre më i spikatur, artistët shpesh marrin epitetin e personazhit që ka lënë mbresa të pashlyeshme te publiku. Kështu, shumë prej tyre njihen si Tuç Maku, Lokja, Prefekti, Kujdestari, Zonja nga qyteti, Sala, Jovan Bregu, Ofelia, Pashakua e kështu me radhë.

Kurse Reshat Arbanës, nuk di cilin epitet t`i vesh, pasi kudo ka shkëlqyer me të njëjtin rrezatim në cilindo rol që ka luajtur. Fare mirë mund ta quash Semi, por nuk mbeten pas Baca Isa, Pjetër Mustakuqi, Pilo Shpiragu, Beqir Aga, Dajlan beu, Peshkopi etj., etj.. Ai në dhjetëra rolet e tij si në teatër, ashtu edhe në kinematografi, nuk përsërit kurrë veten asnjëherë. Aktor i përmasave të mëdha dramatike, në të gjitha planet dhe shtresimet shoqërore, ai kudo shfaqet i ndryshëm, kudo i realizuar, kudo i suksesshëm. Me botë të pasur shpirtërore dhe emocione të përmbajtura, ai jo rrallë shpërthen bindshëm në sytë e spektatorëve me një zë stentorian dhe imponues. Jo vetëm në rolet kryesore, por edhe ato në dukje të parëndësishme, si te “Nëntori i dytë”, ai me një veprim të vetëm dhe shumë domethënës, arrin të na japë një portret të fuqishëm. Se është ashtu sikurse konstaton kritiku i njohur Josif Papagjoni, se ai “… ka plastikë të brendshme dhe të jashtme…” që e “ka të ekuilibruar racionalen me emocionalen.”

 Vetëm në jetë mbetet po ai; Reshati i qetë e miqësor, që duke të parë me dashamirësi drejt e në sy, të dëgjon me vëmendje pa të ndërhyrë asnjëherë. Seç ka një mister në sjelljen e tij me njerëzit. Të gjithë i flasin me përzemërsi dhe ai të gjithëve u përgjigjet me të njëjtin buzagaz. Për të nuk ka dallime mes tyre dhe nuk diferencon në marrëdhëniet shoqërore askënd. Për të, të gjithë, si shkencëtari, si shkrimtari, si zyrtari, si sportisti, si shitësi, si kamerieri, si karrocieri, si i riu, si i moshuari, janë njerëz që meritojnë vëmendje. Dhe ndofta, pikërisht kjo anë e tij, e formësuar si në familje ashtu edhe gjatë punës së dikurshme si tornitor, pra edukata e shëndoshë qytetare e bën atë edhe më të adhuruar në sytë e tyre. Vetë ai dikur ka thënë se: “Duke jetuar me popullin, duke pirë duhan e raki me njerëz të profesioneve të ndryshme, duke dëgjuar se si reagojnë, se si dëgjojnë, se si nxehen, se si bërtasin, kjo më ka ndihmuar shumë.”

 Më fliste në Durrës, për vlerat e tij njerëzore miku im Vangjel Heba dhe sidomos shokët e tij të mesit të viteve 60 – të, në shkollën e lartë të aktorëve “Aleksandër Moisiu”, Enver Plaku e Naim Nova. Ata nuk e hiqnin nga goja Pacin, djalin simpatik por hollak dhe ezmer të Hamitit, siç e shohim te “Familja e peshkatarit” a “Dueli i heshtur” në rolet e Selimit dhe Islamit, për cilësitë e tij të rralla. Venin ku venin, deri dhe te shakatë e moshës rinore, por kurrë nuk harronin të theksonin se Reshati i donte shumë shokët, ishte besnik i tyre dhe shumë i ndershëm.

“Dhe as që e shkonte ndërmend se do vinte një ditë që do të bëhej i famshëm. – më tregonte një ditë Veri – Atij i shkojnë më shumë se kujtdo ato fjalët e sinqerta të Marlon Brandos se: “… unë s`mund të nxjerr konkluzione për jetën time, sepse është një proces përsosjeje dhe i hapur. Nuk e di se ç`vjen më pas. Por më shumë se gjithçka tjetër, jam i befasuar se si ndryshova. As e kujtoj që përpiqesha të isha i suksesshëm. Unë veçse rrekesha të mbijetoja dhe hedh sytë me habi pas në gjërat që kam bërë në jetë. Historia e jetës sime, është një kërkim për dashuri, më shumë se kaq, një përpjekje për të riparuar veten…”

Nisur edhe nga këto konsiderata, diçka e pashpjegueshme më shtynte që t`i afrohesha më shumë atij. Ndaj, sa herë shkoja për ndonjë punë në Tiranë, nuk rrija dot pa e marrë në telefon dhe ai menjëherë tregohej i gatshëm që të takoheshim te ajo kafja modeste pranë shtëpisë së tij, atje pas Ministrisë së Arsimit.

Dhe unë, në kënaqësinë që më jepte prania e tij dhe biseda me të, doja të merrnin pjesë edhe miq të tjerë, poetë e shkrimtarë. Kështu që i thërrisja dhe ata pa ngurruar vinin e uleshin në tavolinë me ne. Reshatit i shkëlqenin ata sytë e bukur, ç`ka donte të thoshte se ishte i gëzuar nga prania e tyre. Pastaj, kriste muhabeti dhe koha pa e kuptuar kalonte, derisa unë harroja punën për të cilën kisha shkuar në Tiranë. Kuptohet që në atë mjedis, flitej për letërsinë dhe artin më së shumti. Pastaj, nisnin recitimet nga krijimet tona apo të autorëve me zë. Por kur fillonte të deklamonte Reshati nga poezitë e Gjergj Fishtës, Ali Asllanit apo Mitrush Kutelit, tundej ai lokali i vogël dhe si me magji shndërrohej në një sallë të madhe teatri. Se edhe Reshati, ashtu recitonte, si të ishte para spektatorëve të shumtë. Mbetej po ai Reshat që shihja sa herë nëpër veprimtari të ndryshme, ku nuk mungonte kurrë dhe nuk kundërshtonte kurrë për t`u ngjitur në skenë, dhe që nga podiumi shpërndante gjallëri dhe ndizte zemrat e të gjithëve.

 Një ditë, ishim ulur me vëllanë tim Spartakun dhe gazetarin e njohur Kostaq Xoxa me të shoqen, mësuesen e letërsisë Meritën. Ai fliste me respekt e mirënjohje për regjisorët Viktor Gjika dhe Dhimitër Anagnosti. “Kanë qenë të parët, – tha – që më kanë besuar role, dhe nuk i harroj kurrë.” Kur u kujtua vdekja e parakohshme e Viktorit, unë e çova fjalën te Lukiani dhe traktati i tij “Mbi pikëllimin”. Duke përmendur filozofinë e tij mbi vdekjen dhe personazhet e botës së përtejme si Hadi, Persefoni, Tantali, Sizifi, Minosi, Eaku apo Radamanti, atij i lindi kureshtja për ta lexuar atë libër. S`vonoi dhe shkuam te Biblioteka Kombëtare. Aty kishte shumë lexues e sidomos studentë e studente që prisnin radhën. Ata e njohën artistin që ishte dhe “Nderi i Kombit” dhe i çelën rrugë. Se sa për moshë edhe pse ai është lindur në 15 shtator të vitit 1940, nuk ma nxë goja ta them. Por ai nuk pranoi të futej para tyre. U ul me mua dhe pritëm. Pas ca ditësh, më tha se e kishte mrekulluar ai libër, por po të mundja t`ia nxirrja ca shënime për personazhet kryesisht mitologjikë të librit të Lukianit. E bëra këtë punë dhe kur ja çova më falënderoi me gjithë shpirt, sidomos që nuk e kisha harruar kërkesën e tij. “Kështu e kam zakon, – më shpjegoi – Asaj që lexoj, dua t`i hy me themel. Ishte interesante se edhe Tantali që u jepte nektar e ambroz perëndish njerëzve, përfundoi në ferr. Pastaj, ne e kemi njohur ndrysh Sizifin, për të mos thënë se na ka ardhur keq për mundimin që pësonte duke ngjitur pafundësisht, atë kodrën me gurin në shpinë. Po paska qenë i poshtër se i detyronte të gjithë kalimtarët të punonin për të.” Qesha dhe ia ktheva: “Ti Reshat, mos ki fare merak se do vesh në Fushat e Elizeut, ku do kesh shokë Menelaun e Akilin, pasi ke bërë gjithmonë mirë dhe je pa mëkate. Dhe atje është ashtu siç dëshiron ti; nuk ka pleqëri.” “Mirë jam edhe këtu, – tha – Pleqërinë nuk e kam ndjerë ndonjëherë.” Kishte të drejtë.

 Kohët e fundit, Reshati iu nënshtrua një ndërhyrjeje në zemër. Nuk qe operacion i lehtë. I kishin rekomanduar mjekët qetësi e pushim absolut. Për disa muaj pati edhe shumë dhimbje. E përsëri, shpesh i binte zilja e celularit, dhe e ftonin nga Kosova, nga Zvicra… të vente se kishin një aktivitet. Zihej ngushtë dhe me mirësjellje u thoshte sikur ta lemë andej nga vera. Megjithatë, shpesh e gjeja duke recituar me të njëjtin pasion në salla të ndryshme në Tiranë.

 Një ditë, kur zbriti nga skena në përkujtimin e poetit dhe shkrimtarit çam Bedri Myftari, nuk m`u durua dhe pasi e përgëzova, i thashë: “Ruaje pak veten.” Aty për aty m`u përgjigj: “Po si t`a ruaj mor i dashur. E kisha shok dhe iku fare papritur. Ka vuajtur burgjeve kur ishte i ri. Si mund ta nderoj tjetërsoj. Pastaj ku e dinë njerëzit sesi e kam hallin. Do mendojnë se nuk desha dhe kjo nuk do të më nderonte as mua.”

 Ndaj, ja ka thënë aq mirë Reshatit, artistja e shquar Tinka Kurti se “Je artist i madh, ti je aktor që plotëson skenën në mënyrë të jashtëzakonshme. Teatri dhe kinematografia kanë nevojë për ty.”

Ashtu është; ne ende kemi nevojë për të mbushur boshllëkun tonë shpirtëror me njerëz dhe artistë të tillë si Reshat Arbana, pavarësisht në e kanë apo jo atë fijen e flokut të artë të pavdekësisë, si biri i Posejdonit, Pterelau.  

SHKARKO APP