Restaurimi i veprave të artit, Instituti i Monumenteve të Kulturës nënshkruan marrëveshje të rëndësishme (FOTO)

Një marrëveshje e rëndësishme për projektet e restaurimit të veprave të artit dhe objekteve të trashëgimisë kulturore është nënshkruar ditën e sotme mes Insititutit të Monumenteve të Kulturës dhe Institutit të Fizikës Bërthamore të Zbatuar.

Marrëveshja e bashkëpunimit, e cila u nënshkrua firmos nga Drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, znj. Arta Dollani dhe Drejtoresha e Institutit të Fizikës Bërthamore të Zbatuar, znj. Elida Bylyku, është një tjetër rezultat i prekshëm i një sërë politikash të ndërmarra nga Ministria e Kulturës ndaj trashëgimisë kulturore.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, IMK, bazuar në legjislacionin ekzistues, do të përfshijë në projektet e restaurimit të veprave të artit dhe të objekteve të tjera, si pjesë përbërëse të tyre, kryerjen e testimeve dhe analizave të materialeve nga të cilat ato përbëhen. Gjithashtu IFBZ, në përputhje me mundësitë laboratorike të saj, do të bëjë të mundur testimin dhe analizat e materialeve të kërkuara nga IMK, duke i dhënë prioritet teknikave analitike jo-shkatërruese dhe portative (analiza in-situ).

Ekzaminimi me metodën e Fluoreshencës së rrezatimit X (XRF) përfshin identifikimin e materialeve të përdorura në objekte të trashëgimisë kulturore të luajtshme, si: mozaikë, kolona, kapitele, skulptura, piktura murale, ikona, ikonostase, tavane karakteristike, mbishkrime, gurë varresh, me vjetërsi mbi 100-vjeçare, të përfshira në ansamble urbane, arkitekturore dhe historike, ndërtime ose konstruksione ndërtimore me vlera të veçanta.

Kryerja e këtyre analizave shkencore është një ndër hapat e parë dhe kryesorë, para nisjes së ndërhyrjeve restauruese mbi objektet e trashëgimisë kulturore.

SHKARKO APP