Restaurohet një nga filmat më të pëlqyer shqiptar, “Përrallë nga e kaluara”
Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit ka finalizuar së fundmi projektin e restaurimit të dy filmave nga fondi Anagnosti.
Filmit artistik “Përrallë nga e kaluara” dhe dokumenari i shkurtër “Përjetësi”, pasi janë punuar (restauruar) në laboratorin e HFL në Budapest, janë shfaqur së fundmi në sallën e Kinemasë Millenium në Tiranë falë një projekti restaurimi të mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Raiffeisen Bank dhe Hungarian FilmLab.
Restaurimi dixhital për këto filma erdhi pas plot 28 vitesh pas prodhimit të filmit “Përrallë nga e kaluara” dhe pas 40 vitesh pas prodhimit të dokumentarit “Përjetësi”.
“Përrallë nga e kaluara” cilësohet si një nga filmat ikonë të kinematografisë shqiptare si dhe një paraqitje, jo vetëm e artit kinematografik shqiptar, por edhe e traditës, letërsisë, zakoneve, kostumografisë dhe muzikologjisë shqiptare.
Ndërsa dokumentari “Përjetësi” është një trajtim poetik dhe emocional i temës së të rënëve të luftës antifashiste i cili asnjëherë nuk pati vëmendjen e merituar, madje nuk iu bë asnjë premierë pas prodhimit në 1974 por thjesht u arkivua.
Shkaku ishte trajtimi modern për kohën nga regjisori Anagnosti i temës së të rënëve të luftës. Filmi 7 minutësh nuk ka dialog, vetëm muzike, efekte zanore dhe në fund një këngë të mrekullueshme të Limos Dizdarit interpretuar me një zë shpërthyes nga e madhja Vace Zela.