Revista “People” shkruan për fotografen shqiptare Soela Zani

 

Fotografja Soela Zani pak kohë më parë prezantoi në një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar “Edhe unë jam një vepër arti”, duke futur në botën e artit edhe fëmijët me sindromën “Down”. 14 fëmijë kanë punuar në këtë projekt me Soela Zanin për të realizuar më pas ekspozitën që do të bënte jehonë dhe që vlerësohet të jetë e para e artistes Zani. Fëmijët që janë fotografuar nën përkujdesjen e Zanit janë vënë në rolin e personazheve më të njohura të pikturave kombëtare e ndërkombëtare të artistëve të famshëm si: Kol Idromeno, Picasso, Velasquez, Rubens, Gauguin, Degas etj.. E pikërisht për këtë gjetje shkruajnë edhe mediet ndërkombëtare, ku së fundmi ekspozita e Zanit ka zënë vend edhe në faqet e revistës prestigjioze, “People”.

Soela Zani është një fotografe shqiptare, e cila ka bërë disa vepra të veçanta duke u sensibilizuar me personat e prekur me sindromën “Down”. Ajo përmes fotografive paraqet fytyrat e disa prej të prekurve me sindromën “Down”. Për ta bërë këtë krijim ajo është bazuar nga një djalë, i cili ka jetuar pranë lagjes së saj, në vitin 1988 të cilin ajo e përshkruan si një njeri, i cili rrinte në shtëpinë e tij dhe nuk fliste asnjëherë, shkruan revista prestigjioze “People” . “Por tashmë gjithçka ka ndryshuar”, shprehet Zani, 35 vjeç.

“Tani njerëzit me sindromën “Down” janë më të hapur, të sinqertë e të dashur. Ne duhet t’i pranojmë ata dhe t’u japim mundësinë që të tregojnë suksese e t’i mbështesim”, thotë Soela. Zani, një fotografe që ende jeton në Shqipëri nuk e kishte parashikuar që projekti i saj i fundit, sindroma “Down” në Shqipëri” të kishte kaq shumë sukses dhe vëmendje.

Që nga koha, kur ka hapur ekspozitën për këtë temë është shprehur se, në e-mail-in e saj kanë mbërritur shumë kritika pozitive dhe se telefoni i saj nuk ka pushuar së rëni.“ Ndjehem shumë e lumtur që kam arritur të përmbush një pasion timin”, u thoshte të tjerëve ajo duke vazhduar më tej se, edhe këta janë njerëz sikur të gjithë të tjerët dhe kanë nevojë për përkrahje. Soela ka vënë re edhe diçka që e ka bërë të lumtur jashtë mase.

“Kur ekspozita vizitohej nga shumë njerëz pashë diçka që më emocionoi tej mase, sytë e njerëzve ishin të mbushur me lot dhe për mua është një kënaqësi të arrij të depërtoj në zemrat e tyre”, thekson Zani. Ajo ka marrë inspirim për fotografitë e saj nga një 4- vjeçar me po këtë sindromë, djaloshi me emrin Arbi Zaimi, djali i Emanuela Zaimit, themeluese e Fondacionit CEO të Shqipërisë për fëmijët e prekur me sindromën “Down”.

“Emanuela pati kërkuar që ta fotografojë atë dhe djalin e saj, Arbin. Na kjo foto kuptova shumë dhe jam këtu ku jam”, shton Zani për “People”. Sipas Emanuela Zaimit, Soela ka arritur të nxjerrë në pah pamjen e brendshme, apo shpirtërore të njerëzve me sindromën “Down”. E veçanta e këtij projekti është se për kalendarin e vitit 2016 këto foto do të jenë të ekspozuara dhe Soela shpreson të botojë edhe një libër me po këtë temë.

SHKARKO APP