Rikthehet tradita e rrugëve të shtruara me kalldrëm

Nga Blerim Kore

 Mjeshtrit gurgdhendës në qytetin e Gjirokastrës po ripërtërijnë traditën e shtrimit me kalldrëm të rrugëve të brendshme të qytetit. Pas viteve ‘90-të si shkak edhe i largimit të gurgdhendësve në emigracion ky zanat u zbeh. Së fundi në qytet është rikthyer tingulli i çekanëve të skalistëve të gurit që punojnë për shtrimin me “qilima guri” të rrugëve në pjesën muzeale të qytetit.

  Mes skalitësve të gurit në rrugët e kalldrëmta

Tingulli i çekanëve dhe daltave që skalisin gurët për kalldrëmet e gurta është rikthyer ditët e fundit në një prej rrugëve karakteristike të Gjirokastrës. Rruga ka nisur të zhurmojë nga gurgdhendësit dhe mjeshtrit e skalitjes së gurit, të cilët po punojnë për restaurimin e kalldrëmit të gurtë. Kjo rrugë karakteristike ishte e dëmtuar, ndërkohë që, gurskalitësit po bëjnë të mundur restaurimin e plotë të saj. Gurgdhendësi Xhelo Rondo shprehet se gjatë muajve të fundit ka punuar për shtrimin me kalldrëm të disa segmenteve rrugore. “Në Gjirokastër po rikthehet tradita shekullore e shtrimit me kalldrëm të rrugëve të qytetit. Gjatë muajve të fundit unë kam punuar për shtrimin me kalldrëm të pedonales që lidh qytetin me Parkun e Viroit si dhe në disa kalldrëme në lagjet muzeale”, pohon ai.  “Gjithmonë e më shumë ne po kryejmë punime për rikonstruksionin e rrugëve të kalldrëmta në Gjirokastër duke i dhënë më shumë bukuri  qytetit edhe për turistët”, shprehet gurgdhendësi Beni Baxha.

 Rikthehen mjeshtrit gurgdhendës nga emigracioni

 E veçantë është se krahas fondeve të akorduara nga  qeveria, për shtrimin me kalldrëm të rrugëve të qytetit po ndihmojnë edhe biznesi lokal si dhe organizatat  jofitimprurëse. Zbatimi i nismave të tilla po krijon  mundësinë e punësimit të mjeshtrave gurgdhendës të kthyer nga emigracioni.  Mërkur Shameti, për 20 vite ka punuar në Greqi si gurgdhendës. “Pasi u ktheva këtu në Gjirokastër së bashku me familjen fillimisht  e pata të vështirë të punësohesha, por me kalimin e kohës u shtuan punimet me gur të skalitur dhe veçanërisht shtrimi i rrugëve me kalldrëm” . Ai e ndërpret bashkëbisedimin për të  latuar me daltë dhe çekan një prej gurëve dhe më pas plot kujdes e vendos në radhën e kalldrëmtë. “Tashmë, vazhdon bisedën gurgdhendësi, kam punuar në disa raste të tilla si në shtrimin me gur të skalitur të pedonales së Viroit, disa rrugë në lagjet muzeale etj.”.

  Tradita përcillet tek të rinjtë

Pjesë e grupit të gurgdhendësve që punojnë për restaurimin e rrugëve të kalldrëmta në Gjirokastër po bëhen edhe të rinjtë. Me kalimin e kohës kjo mjeshtri po përcillet tek të rinjtë duke krijuar mundësi jo vetëm për vazhdimin e traditës, por edhe për punësimin e tyre. I riu Tomor Baxha vazhdimisht ka punuar me gurgdhendësit me përvojë duke bërë të mundur mësimin e këtij zanati. Me çekanin në duar ai skalit plot dëshirë gurët e kalldrëmeve në Gjirokastër duke i përngjasuar mjeshtrave të vjetër të qytetit.  “Fillimisht kam punuar disa vite në punime të ndryshme me gur dhe me kalimin e kohës arrita të mësoja zanatin e gurgdhendësit. Së fundi kam punuar për shtrimin e disa kalldrëmeve në qytetin e  Gjirokastrës”, thotë Tomori ndërsa së bashku me mjeshtrat e vjetër skalit gurët e rrugës së kalldrëmtë. “Për mua është një zanat që e bëj me dëshirë pasi qysh në moshë të vogël kam dëgjuara çekanët e gurgdhendësve në rrugët e kalldrëmta duke parë edhe punën që bënin. Përpiqem që me kalimin kohës të mësoj sa më shumë nga ky zanat duke iu përngjasuar atyre për të skalitur kalldrëme që ti rezistojnë kohës”, thotë gurgdhendësi i ri.

 Trajnime për mjeshtrat gurgdhendës

Më datë 11 dhe 12 janar 2016  u zhvillua në zonën industriale pranë Ndërmarrjes Artizanale të punimit të gurit “GUCI CO sh.p.k” të qytetit të Gjirokastrës trajnimi i artizanëve të gurit me titull “Trajnimi i punimit të gurit”. Në këtë aktivitet morën pjesë mjeshtra dhe artizanë me përvojë dhe të rinj të gurit të grupmoshave të ndryshme duke përfshirë zonën e Dropullit dhe atë të Gjirokastrës. Prezent në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Rajonal-Vlorë dhe Bashkisë së Dropullit. Ky aktivitet u organizua në kuadër të zbatimit të projektit ” Crafts in Action” brenda programit ndërkufitar IPA Greqi-Shqipëri ku partner lider për palën shqiptare është  “Auleda”(Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Rajonal-Vlorë), Bashkia Dropull dhe Bashkia Delvinë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte demonstrimi në praktikë i objekteve të gurit për mësimin e krijimit të produkteve artizanale, për ruajtjen dhe përcjelljen e traditës nga brezi në brez,  si dhe nxitja e interesit të këtyre artizanëve për përdorimin e teknikave të reja të shitjes së produkteve të tyre siç është ajo e E. Marketingut. Vetë projekti ka vënë në dispozicion të artizanëve të zonës  portalin e tij www.craftin.eu  dhe çdo artizan mund të regjistrohet e të krijojë lidhje të drejtpërdrejta me klientët e vet online. Irena Karagjozi eksperte lokale mbi artizanatin dhe organizatore e këtij aktivitetit shprehet se “pritshmëritë e pjesëmarrjes dhe interesimit të artizanëve të gurit i kaluan parashikimet  duke na inkurajuar në vazhdimin e punës së regjistrimit të tyre në portal për evidentimin e mënyrave  sa më efektive dhe koherente të marketingut të produkteve artizanale të zonës së Gjirokastrës dhe Dropullit”.

SHKARKO APP