Rikthimi i vlerave të këngëve popullore

Kënga ka qenë përherë bashkudhëtare e përjetshme e popullit tonë si në kohë paqeje ashtu dhe në kohë lufte. Me këngën në gojë dhe besimin në guximin dhe pathyeshmërinë e tij, populli ynë ka ecur përpara trimërisht dhe kulturalisht. Bijtë e këtij populli kanë qenë ata që e kanë ruajtur, trashëguar dhe pasuruar këtë vlerë kulturore dhe civilizuese të tij. Një ndër këta është dhe kanautori Gjon Frroku, i cili ka fytyrën e tij të ndritur në gjithë hapsirën kulturore shqiptare për ruajtje, interpretim, krijim dhe masivizim të kësaj pasurie, siç është kënga popullore shqiptare.

Gjon Frroku është lindur në Vig të Shkodrës në vitin 1957, del për herë të parë në skenë para publikut më 22 shtator të vitit 1972, në sallën e Kinoklubit të hidrocentralit të Vaut të Dejës, me grupin e Mjedës. Që aty shpaloset talenti i këtij djaloshi me zërin si të bilbilit. Në vitet 1979-1983, arrin të bëhet drejtues i ansamblit “Heronjtë e Vigut”, Mjedë. Por në 1983 përjashtohet nga grupi përfaqësues i Shkodrës për në Festivalin e Gjirokastrës pesë ditë para nisjes për në Festival, për arsye politike.

Në vitin1984 largohet familjarisht nga Shkodra për të jetuar në qytetin e Lezhës dhe këtu aktivizohet, për zërin e tij të mrekullueshëm dhe aftësitë organizuese dhe interpretuese, si Përgjegjës Kulture në Tresh të NB – Lezhë, në vitet 1984-1986. Më tej vazhdon si Përgjegjës Kulture në Sektorin e Hotelit të Gjuetisë, NB – Lezhë, në vitet 1986-1988. Në vitin 1988 grumbullohet me Ansamblin “Çiftelia”, Lezhë për në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastres.

Aftësitë e tij e bënë që të krijojë dhe interpretojë me grupin e Lezhës këngën “Perestrojka”. Po në këtë vit dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSSH me Urdhërin “Naim Frashëri”, Klasi i III-të.

Gjoni vazhdon të ketë sukses të vazhdueshëm dhe të jetë person i pëlqyeshëm dhe i kërkuar nga të gjithë për interpretimet e mrekullueshme, për zërin brilant dhe për karizmën e tij. Aktiviteti i tij zgjerohet dhe në vitin 1990 krijon Shoqërinë Kulturore “Kuvendi i Skëndërbeut” dhe  realizon turne në disa vende të BE-së.

Lëvizjet Demokratike në Shqipëri rrëmbejnë dhe kantautorin Gjon Frroku për ta hedhur drejt Italisë si emigrant, ku krijojnë dhe SHKA”DEA” me qendër në Romë, e cila drejtohej nga Artisti i Popullit, Viktor Gjoka. 2000-2003 aktivizohet si specialist kulture pranë Komunës Klinë, Kosovë dhe bëhet një ndër interlokutorët kryesorë të binjakëzimit të Komunës Klinë me Bashkinë Lezhë, ku dhe nderohet nga Kuvendi i Klinës me “Mirënjohje publike”.

Në periudhën 01 – 02. 11. 2001 është ideator dhe organizator i Kuvendit të Parë Kombëtar të Folklorit – Lezhë, me temë “Ruajtja dhe trashëgimi i vlerave të  artit burimor shqiptar”, në bashkëpunim me institucionet kulturore vendore. Kurse më 02 – 03. 09. 2006 organizator i Kuvendit të Dytë Kombëtar të Folklorit në Lezhë, me temë “ Ruajtja e artit burimor shqiptar në kushtet e integrimit me popujt fqinjë”.

Në kuadër të përfaqësimit të Qarkut të Lezhës në Festivalin Folklorik Kombëtar, Gjirokaster, ka qenë këshilltar i Kryetarit të Qarkut Lezhë për këtë aktivitet të rëndësishëm me vlera kombëtare. Më 03. 03. 2009, organizator i Kuvendit të Tretë Kombëtar të Folklorit –Lezhë, me temë “Kënga popullore e traditës, një thesar i gjallë ballkanik”. Këtu u vendos që Kuvendi i Katërt të mbahet në qytetin historik të Prizrenit. 03.03.2009 – Mirënjohje nga MTKRS, dorëzuar në Lezhë nga Z/min. Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zj. Lirie Kajtazi. 03. 03. 2012, organizator i Kuvendit të Katërt Kombëtar të Folklorit – Prizren, me temë “Përcjellja e këngëve të kreshnikëve tek rapsodët e rinj në të gjitha trevat shqiptare”. Qershor 2011, Mirënjohje nga klubi politik “Afrim Zhitia” Prishtinë për “Krijimtari dhe interpretim të këngëve të heronjve që ranë për çlirimin e Kosovës”, dorëzuar në qytetin e Lezhës. 1979-1996, filmon në RTVSH 13 premiera folklorike. 10-15. 08. 2009, me Ansamblin “Teuta” nga Lozana e Zvicrës, përfaqëson  Republikën e Kosovës për herë të parë në Festivalin e XX- Botëror të Folklorit në Francë. 10-15. 08. 2012 merr pjesë në delegacionin shqiptar në Festivalin e XXI Botëror të folklorit në Francë. 10-15. 08. 2011, me Ansamblin “Kastriotët”, Lezhë përfaqësohet në Festivalin e XXII-të Botëror të Folklorit në Francë dhe vlerësohet me vendin e tretë. Personalisht nderohet me Kupën e vendit të dytë për interpretim si këngëtar. Gjithashtu drejton emisionin “Voter Folk” me mjeshtërit e folklorit, në RTV Lezha.

Organizon dhe moderon Festivalin kushtuar ditëve të Ndre Mjedës në gusht 2013, 2014, 2015 dhe akoma mbetet organizator i këtij evenimenti. Pjesëmerr dhe referon në Kongresin Ballkanik të Eposit të Kreshnikëve në Prishtinë, më 8-9 gusht 2014. Në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastres, të mbajtur në Maj 2015, kishte detyrën e Udhëheqësit Artistik të Ansamblit të Qarkut Lezhë, ku dhe u nderuan me 5 çmime: 1.  Çmimi i tretë në shkallë kombëtare si ansambël.  2.  Çmimin e parë për veshjet popullore në shkallë kombëtare.  3.  Tre çmime individuale për interpretim.  01. 08. 2015 mbahet Festivali i Tretë Kombëtar në kuadër të ditëve të poetit kombëtar Ndre Mjeda nën drejtimin e Gjon Frrokut.

Gjon Frroku është i arsimuar në Fakultetin e Shkencave Politike, Dega Komunikim. Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Këngët e këtij këngëtari janë tashmë më të dashurat si në Shqipëri ashtu dhe jashtë Shqipërisë, kudo ku ka shqiptarë. Është dhe mbetet një person që nuk di të pushojë asnjëherë për të promovuar artin dhe kulturën popullore shqiptare.

Ndue Dragusha

SHKARKO APP