“Rilindja” kallpazane, humori përmetar dhe opozita laramane…

Nga Kristo Mërtiri-
-Në të vërtetë, miku im, nuk janë bërë ende as si eshka me urorin. Shkëndijat tymuese që hedhin e presin plot trokëllima përballë opinionit publik të mjegulluar herët, u shëmbëllejnë atyre xixëllonjave që as ndezin e as shuajnë në shërbim të njerëzisë. Madje, ushqejnë më tepër humbjen e shpresës dhe dëshpërimin vrasës nëpër foletë e zhgënjimit qytetar. Ndërsa vetë shkumëzojnë këmbë përmbi këmbë nga zyrat luksoze të pushtetit ekzekutiv e legjislativ, nga veturat jo dosido e nga vilat që lëpijnë buzët përtej realitetit tronditës të fakirfukarenjve ëndrrathyer. Udhën nga erdhën në këto maja të pamerituara shtetërore, e flakën herët pas krahëve dhe ranë cuditërisht në shtratin e patundshëm të harresës laramane. “Dashuria” përgjëruese e mashtruese ndaj elektoratit të majtë e të djathtë, praktikisht ka ikur në drejtim të paditur ! Veçse një ditë, kam bindjen, se do të zgjohen të “përmalluar” kur të fillojë gjëmimi i daulleve partiake gjatë vjeljes së votave përcëllake. Dhe vetë Kryeministrin shef të “Rilindjes” do ta shikojmë edhe më shpesh me ato brekushet e zeza në ballë të fasadistëve të kualifikuar nëpër kurset e shkollat e posaçme. Shumica e këtyre mercenarëve ndihen krenarë nëse arrijnë t’ia lidhin vetë ushkurin e ndërliksur që mban në këmbë brekushet e pazakonshme në politikë. Sepse për Timonierin e tepsisë, sot thonë me të drejtë se vetëm paratë e PPP-ve nuk i lidh dot me ushkur! Mirëpo në Labërinë tonë, sot e kësaj dite thonë edhe “ç’i duhen qenit brekët!” (për dikë që nuk e meriton). Qofshin prej leshi a prej pambuku. Transparencë me apo me brekushe?!… Jo më kot shumë favorevjelës të regjur, Timonierin po na e shesin si “qerrata të madh” që tretet në pordhale e pedonale të blera badiava nëpër kioskat rilindiste (jo socialiste). Lavdia dhe hajnia e tyre maten me vjeljen e mjeljen e panginjur. Intelektualët e vërtetë nuk heshtin.
“…Në Shqipëri, veprimtaria politike kryesisht përjetohet si pjesëmarrje në spektakël televiziv për ta zbavitur e gënjyer popullin, e ku kryepersonazh është Kryeministri e gjithë të tjerët “dublantë” të tij, në spektaklin që duhet ta mbulojë të vërtetën se vendi është duke u bërë i pabanueshëm për rininë shqiptare…”. Shumica e këtyre politikanëve po njësoj e shijojnë hajdutokracinë! Prandaj po quhet përditë e më tepër si “biznesi” më fitimprurës. Prandaj Kryeministri piktor la mënjanë penelin dhe nuk e kuptoi dot herët mbi kalin e pushtetit, se në fund të fundit “nuk quhet karvan tufa e hienave”! Tani sikur presim fryte nga Vjeshta apo tollumbace me gënjeshtra?…. Sidomos tani që po feksin e ua bëjnë me sy kolltuqet e qeverisë “Rama 3” ! Por të shtunën e fundit çuditërisht nuk pipëtiu hiç. Thonë se ia shaloi një avioni të posaçëm dhe bujti përtej detit. Mirëpo njerëzia nuk e kyçi gojën: Po The Ekonomist si do e pagëzosh, o Timonier i Komitetit Kombëtar kundër Drogës e Trafiqeve?! Më shqip nuk ka : 2,5 për qind e popullatës brenda Shqipërisë është përdoruese e Kokainës!! Ja një tjetër ulërimë me thes në kokë: Përdorimi i drogave paska gllabëruar edhe moshat 11-13 vjeç, “duke prekur rreth 70 për qind të nxënësve në shumë qytete (!!). Njerëzia proteston, por edhe mallkon thekshëm: Në djall shkofshin ata ministra, kryeministra, deputetë, shefa policie, këshilltarë bulcifryrë etj. lëpirës me shumicë në media që gogësijnë e lëshojnë jargë “besnikërie” si kulpra rreth timonierëve të majtë e të djathtë! Ato të vërteta zezona nuk i thotë publikisht asnjë statistikë qeveritare. Veçse për popullin më proamerikan në botë, i deklaroi vetë media amerikane…Dhe Timonieri bën sikur nuk e lexon shifrën e zezë të vrasjeve (nga treguesit e rrallë që ia kaluam edhe BE) dhe nxiton të “ngushëllojë” matanë detit, në Genova. Dhe mbylli sytë, veshët e gojën përballë 8 arkivolëve në Resulaj të Vlorës! Apo e trullosi ai koncerti i zi në Lungomare, kur tërë Shqipëria mbajti frymën dhe vuri duart në kokë me kuje arbërore. Asnjë deputet, asnjë qeveritar rilindist në Vlorë e Tiranë nuk e bënë as ca sekonda qejfin qeder! Historikisht, turpe të padëgjuara ndonjëherë në Labëri e kudo ku i thonë bukës bukë e ujit ujë…Dhe kjo gjëmë qytetare e shtetërore nuk mund të kalonte thjesht me brekushe të zeza, aq më tepër që timonieri Kryeministër zhvilloi një takim ekskluziv edhe me priftin e Selenicës (?!). Nuk e dimë ende se ç’farë uratash dha e mori për qytetarët e thjeshtë të këtij qyteti dhimbjeshumë…
Daullet fasadiste bien pa pushim. Përgjithësisht u bie Hipokrizia dhe Hajdutokracia. Përshembull, kur rilindistët aguridhë pushtuan majat e Ekzekutivit në 2013, gjetën gjithsej 928 pika bastesh. Sot, rritja është gati e pabesueshme: Janë ngritur 4 mijë e 230 pika të tilla “punësimi” e rrëmbimi sipas pordhalit “Bashkëqeverisje me qytetarët” (?!). Ose më tej. Të gjithë njerëzit e ndershëm vazhdojnë të pyesin supengritur: Përse nuk bëhen publike kontratat koncesionare, o Timonier i vetëm i Tepsisë ! Apo të ngjan me atë grykën e frikshme pranë ishullit të Sazanit që e thërrasin ende “Gryka e Xhehenemit”(jo e xhenetit)? Paske shtuar makinat e blinduara, gardistët, shoferët dhe një kolltuk të posaçëm kryeministror e ke kthyer në shëtitës ambulant sa herë organizon takime “gju më gju” me qytetarë e mercenarë. Demek, nuk e paske marrë ende vesh shkëputjen tënde marramendëse nga realiteti i zymtë ku rrëmbeve votat e sundimit?! Miqtë e tu janë vetëm disa të majmur nga Polit(h)ika. Duke besuar verbërisht se “po të mos ishte ai, çdo gjë do shkonte në “të s’ëmës”(!)… Po opozita gjarpërushe ku e ka ndalur vallë vrapin e saj të protestave përballë Kryeministrit? Apo i mjaftojnë të qarat edhe pa u rrahur mirë? Një pyetje mbetet varur dhe e pakallur: Përse nuk e ka zënë ende demin prej brirësh?
-Na dëgjo pak, o miku ynë në metropol ! Opozita shelegure e gjarpërushe tashmë i duhet vetëm çadrës ngatërrestare e orëligë, ku përgjojnë, mallkojnë e përgjërohen sidomos “të privilegjuarit e përjetshëm të PD” dhe fare pak kundërshtarët e vërtetë politikë. Ata kanakarë të zemëruar kanë lëshuar stërkëmbëshat brenda e matanë gardhit opozitar dhe fërkojnë barkun nëpër vila e pasurira erërënda. Miqtë e mi në Lumin e Vlorës tashmë e kanë kthyer në refren agresiv pyetjen hidhësirë: Njerëzit falsifikojnë paratë apo paratë po falsifikojnë njerëzit?! Por më bukur e më shqip mendoj se e tha ai intelektuali e publicisti shqiptar i drejtpërdrejtë në Shkup: Vetëm hajduti mund të pasurohet nga politika! Ndërsa mua më shëmbëllejnë shpesh edhe me “nepërkat pika-pika” dhe nuk janë nga ato me dy dhëmbë në gojë e me bisht të shkurtër që hidhen e përdridhen rreth disa të rinjve demokratë të shkolluar, të pakorruptuar, fjalëqëruar e aspak mitingashë të skaduar, e ndoshta me pak përvojë drejtuese. Veçse pastërtia e tyre e panjollosur, realisht u vret sytë dhe u rrënqeth duart e pista disa kokrrave nga pushteti i djeshëm. Në thelb e duan opozitën shelegure e peqelepe përballë rilindistëve të menderosur… Sa për Bashën, po ta themi troç : Tani për tani, na duket si ai ustai pa mistri, që ka dije por nuk ka mjete e organizim të fortë. Prandaj ndonjë protestë a denoncim publik, nuk e ka kapërcyer dot harkun e një furtune në gotë. Por koha e grackave ediramiste po perëndon dhe zhgënjimet e dëshpërimet po shtohen si topi i dëborës në ortek. Në fund të fundit, vetëm opozita nuk mund t’i thotë derrit dajë ! Shkurt, ç’farë bën sot në detin e varfërisë, me siguri do e gjesh nesër në kripë…Sepse fasada rilindiste ka shkuar shumë larg realitetit migjenian. Ajo po i ngjan përditë e më tepër asaj gruas bishtdredhur e të zgjuar që mbeti gjallë sot e kësaj dite si anekdotë përmetare. Dhe malëshoviti i palodhur Niko (para se të mbyllte sytë përgjithmonë në Tiranë) e rrëfente bukur e plot humor : “ –Dikur, një burrë ishte ftohur herët me gruan. Dyshonte shumë dhe vrojtonte shumë. Më në fund e pikasi me një birbo të njohur në fshat e krahinë. Ashtu i xhindosur, e priti me tërsëllëmë: Me cilin po çuçurije vesh më vesh? –Me asnjeri !,-iu përgjigj prerë ajo. –Po unë të pashë me këta dy sy dhe nuk dua asnjë shahit,-këmbënguli burri. – Jo more burrë, jo ! Të kanë gënjyer sytë… Dhe si për ta mbyllur sherrin, e fton të pyesin disa ustallarë muratorë aty afër. – Ju lutem, këtë spango në mur, përse e përdorni ? – E kemi për të mbajtur drejtimin e murit, moj zonjë. – Po ju e keni afër syrit, edhe gurin edhe murin. – Epo, jo rrallë syri të gënjen. Kaq deshi gruaja bishtpërdredhur dhe iu kthye e krekosur burrit të vet : – A e sheh, more burrë ? Këta ustallarë kaq afër e i gënjen syri dhe jo ty aq larg…

SHKARKO APP