Ringrihet tempulli i besimit në Selitë të Mirditës

Nga Pashk Lika

Tre maji, ditë e bukur plot shkëlqim buzëvere 2017. Ngjarje e veçantë e shumëpritur ndërmotë, plot  një gjysmë shekulli. Qafë-Kisha, vendi i shenjtë 376-vjeçar, lëshoi za e priti si qëmoti selitasit, kudo janë dhe nga do vijnë ata, brenda e jashtë trevës sonë edhe prej matanë detit. Do të kalonin 50 vite kur mbi rrënoja si prej orteku u ringrit tempulli i besimit. Sot celebrohet mesha e parë në altarin e tij. Përjetim emocional, ngazëllim shpirtëror që ky moment. Herët a vonë do të vinte kjo ditë, se besimi nuk del nga shpirti edhe kur mishi ndahet me kockën. Kur u rrëzua, këmbanorja lëshoi gjamë si rrufe prej qielli. Si tërmeti tronditi krejt tokën sa ndërroi vend dhe varreve nën të. Por, ajo nuk u varros! Falangat e “revolucionit” s’do të reshtnin edhe më pas duke gërvishtur me thonj “zdrale” për të shformuar edhe simbolet e varreve, a sajuar emërtime të rinj. Në atë llavë përvëluese si prej vullkani nuk munguan zjarrdurues që janë edhe sot mes nesh dëshmitare të heshtur. Zef Preng Gjoka mbrojti simbolin e varrit të gjyshit, kryqin gdhendur në gurë nga ortekë shkëmbinjsh që u derdhën mbi ta e nuk kursyen shumë asish. Në Qafë-Kishë të Selitës ka përshkuar udha e madhe e bajrakut dhe bajrakëve. Kanë pushue, janë lutun e fale këtu në dritën e këtij tempulli udhëtarë të zakonshëm, hallemëdhenj a edhe gjakësorë ndër breza.

Ky vend i shenjtë nën kurorën e Trangës hijerëndë, kundruall Barnës, prej nga dielli ndrin Bardhajt, Zajsin dhe Lëkundën krenare. Është dëshmitar bëmash e ngjarjesh të mëdha, tragjedish e Besëlidhjesh ndër mote. Janë bërë kuvende, marrë vendime e pajtue gjaqe. Sa janë ata gjyshër e etër që pushojnë përjetësisht këtu, aq plagë janë mbyllur nga burrat mendjendritur të Selitës. Ata nuk kanë munguar kurrë herët, siç vijnë pada në ditët tona ngado, brenda e jashtë ku jetojnë me zemër e mendje në vendlindje. Është sot këtu në këtë përjetim të pazakontë edhe djali selitas, Prend  Mark Margjini. Punon e jeton prej vitesh në Lezhë. Në hije vjen paza me kontributin e tij, kjo për të ringritur këtë Tempull të moçëm  të “Shën Lleshdrit”, njëri prej identiteteve në bajrakun tonë. Gjithsesi modest, nuk zgjedhohet në vetën e parë. Don të ruajë amanetin e gjyshërve të tij, martirë të lirisë vrarë me pushkë e shkuar në litarë mbi dheun ku prehen ata. Vlerë e shtuar shfaqet kjo sjellje altruiste për vete, gjenezën, vendlindjen dhe brezin e vet. Përkrah tij në këtë mision fisnik me vlera morale janë intelektualë të njohur, djemtë Selitas e jashtë saj. Z

ef Doçi, nga Dajçi i Lezhës, mirditor me shpirt bujar, tashmë mik në mbarë Selitën. Treva jonë, verilindje e Mirditës, në kufi me Dibrën e Matin ka ruajtë e përcjellë brezave identitetin e saj. Besa traditë, kod moral moshatar me ngulimet e hershme të banorëve të vet. Besimi, ndjesi shpirtërore ka lindur me jetën, rritet me të e vjen më pranë përgjatë saj. Dhjetëra vite, gjatë sa shekuj privuan praktikën e besimit. Dhjetë herë sa ata s’do ta shkulnin nga shpirti atë! Brenda vetes gjej këtë ndjesi. Më kanë thënë se këso datë, ditë e martë paska qenë, kur jam pagëzuar këtu 68 vite të shkuar përnjëherë me një bashkëmoshatarë që pak muaj më parë është ndarë nga jeta. Një nanë fisnike (nrikulla) më ka mbajtur në krah disa orë. E kërkoj sot në këtë ditë të veçantë, por nuk e takoj. Do të ndjehesha tejet i lumtur të ishte me ne, ta merrja ne grykë, ta shtrëngoja në kraharor e ta mbaja “hopa” do çaste me mall djali, si ajo atëherë me dashuri nane! Shëmbëllimi më real i raporteve njerëzore në vendlindjen tonë, këtu në Selitë, është harmonia e besimeve të ndryshëm. Ky realitet bashkëjetesë ka ardhë me brezat më i fortë dhe rritet me ta në ditët tona. Varfëria s’ka  reshtur, nuk është ndarë këmba, këmbës nga jeta e mirditorëve. Selitasit nuk janë ulur në gjunjë, s’kanë shtrirë dorën për lëmoshë. Gjeografia ka temperue karakterin e banorëve, po s’ka privue inteligjencën e tyre, nuk ka shuar etjen për dije në kohëra.

Në atë skenë dramash pafund që si rrok imagjinata, as vihen në rradhë, si sot 94 vite të shkuar vezulloi drita e shkollimit. Vatra mikpritëse do të ishte çela e Kishës këtu në Qafë Kishë, mësuesi i parë ishte misionar i besimit, Dom Vlash Muça. Aso kohe Selita numëronte me gishta të dorës ata që dinin pak shkrim e këndim. Kur nga jashtë do të vinte një pusullë, prifti do të “shqipëronte” nga shqipja në shqip. Gjithsesi, mosha të ndryshme fëmijë dhe adoleshentë modeluan grafikët e tingujve të gjuhës sonë me thëngjij e tebeshir, në rrasa prej stralli, në copa letre me gjysma lapsi! 23 nxënës frekuentuan për herë të parë nga gjithë Selita. Nuk do të mungonin edhe nga larg, Kumbulla e Merkurthi, Gjoçaj e Lami i Madh duke udhëtuar orë të tëra në zhegvere dhe acardimri. Ka udhëtuar gjatë shkolla jonë e parë, në shtigje të panjohur e t’pashkelur, gati një shekulli. Do nxënës që formoi e përcolli ajo ndër vite, do të ligjëronin më vonë në auditorët e saj, dije për gjeneratat që kanë trokitur këtu më pas edhe sot: Bib Nikolli, Mark Pergjoni, Nikoll Zefi, Mark Biba, Nikoll Bushkola, Kol Margjini e të tjerë. Kontribuuan me përkushtim intelektual mirditorë të njohur, Mark Tirtja, Nikoll Pepkola, Preng Baloj, Gjovalin Bazhdari, Bardhok Pulaj dhe jo vetëm. Ndër vite erdhën e sakrifikuan këtu prej djepit të kulturës, Shkodra, mësues nga Korça e Mësonjetores, Gjirokastra e Vlora, Durrësi e Tirana. Bashkë përcollën dije e ngritën këtë obelisk, identitet tjetër i Selitës që mban emrin e “Burrit të maleve”, Bajram Curri. Krenohem, që s’pari modelova grafikët e tingujve me të cilët ndërtova fjalë e fjali në gjuhën tonë në shkollën time. Ndjehem i paqtë me veten që kam dhënë kontribut modest dy dekada në misionin e saj fisnik. Në fillesat e veta dhe gjatë ndër vite shkolla jonë ka mbijetuar në realitete të kohërave. E kanë përcjellë këtë fakt breza që janë ngritur herët prej këtu, disa edhe dëshmitarë të ngjarjes, kur do të takoheshin në ditëlindjen e 60 të saj. Erdhën krenarë, të mallëngjyer plot emocion, zbardhur nga vite, me kujtime mbresëlënëse. Për herë të parë shkolla mblodhi nxënës e mësues që patë pritur e përcjellë në vite, preku nga afër krenarinë e vet në atë ditë të Majit të vitit jubilar. Gjithsesi, epokale mbetet ngjarja e pranverës 1923. Emri i protagonistit, misionar i besimit: Dom Vlashi është gdhendur në memorie e brezave si “pishtarë” për shkollimin e tyre. Banorët selitas kanë prodhuar përherë vlera. Ata dinë dhe duan t`i çmojnë ato. Edhe pse do të kalonin 80 vite nga ngjarja epokale, mësuesi i parë u përjetësua me titullin “Qytetarë nderi në Selitë”. Para dhe pas viteve të gjata “bunker” kur besimi u deklarua “opium” për popullin e shumatorja dy edhe dy do jetë vetëm katër, së kështu mëson partia, shkolla dhe kisha kanë kryer misionet e tyre pa karshillëk, duke dhënë afeksione njëra-tjetrës në udhët e veta. Në këtë ditë të shenjtë, kur po kremtojmë festën tradicionale nën kurorën e tempullit të rilindur, kanë ardhur shumë pa dallim besimi a bindje të tjera. Nuk do të mungonin, as pasardhës të pak atyre që patën ngrit kazmën mbi altarin, pa ditë se ç’bënin. Erdhën për të larë mëkate me besim se, ai i fal ato. Janë sot këtu me në miqtë e përjetshëm, ardhur nga larg: “Qendra Misionare Dioqezane e Trentos” dhe shoqata “Agimi Bolzano”, me president Roberto Cucchiaro. I thjeshtë, “rob zoti” ishte ai. Lumturohej teksa prekte gëzimin tonë asaj dite të veçantë. Udhëtuan gjatë nga përtej detit për t’u ngjitur në këto anë. Kanë investuar pa hesap moral njerëzor, ndjesi shpirtërore e shumëçka tjetër pa kushte e faturë. Mes nesh ndrinin sa tempulli që vet e ngritën me sakrifica e bujari t’pashoqe, ku  veç zoti fal asisoj! Prej matanë, disa qindra mote të shkuar, u pagëzua hero legjendar i kombit tonë “Atlet i Krishtit”. Sot, në këtë ditë mbresëlënëse, si kanga e bylbylit rrjedhin vargjet e rapsodëve: “Po ushton kambana e Selitës / Për bes “të Krishtit e të kishës …”. Vijnë ata tinguj “Amanet brezash:”…S’pysim pashën e Stambollës/ Sa t’jetojnë k’to malet tona/ Nuk pushon n’Selitë ‘këmbona …”! Duke prekur këtë realitet mrekulli rrënuar për gjysmë shekulli, natyrshëm vjen mirënjohja  e sinqertë, pakufi ndaj gjithë atyre që e ringritën atë. Gjurmëlënës, do të mbetën në kujtesën  e brezave.

SHKARKO APP