Rini pa atdhe, shqiptarët “nomadë” në kërkim të fatit

– nga Altin Bamllari

Lindur në Shqipëri, rritur në Greqi, këta djelmosha zyrtarisht janë grekë!

Dy prej tyre kanë bërë edhe ushtrinë në vendin fqinj. Dy të tjerët i ngacmojnë. -Hë mo se banjat kanë larë. Kush u jepte këtyre pushkë. -Ç’thua mo? ia kthen njëri. Në fillim po, por më vonë… Pse budalla isha unë?!

Budallenj apo të zgjuar, këtyre djemve u mungonte atdheu.

M’u dukën si njerëz nomadë në kërkim të fatit. Nga Shqipëria në Greqi. Nga Greqia në Angli. Mbas Anglisë, kushedi se ku. – Kur na duhet të gjejmë punë, themi që jemi grekë. Kur bëhet fjala për sherr, jemi shqiptarë. U shkojnë pordhët shtat prej neve. Ç’të bëjmë?
-Po me femrat? Çfarë u thoni atyre? 
Hahaha… Qeshin të katërt. – Sipas rastit. Herë grekë, herë shqiptarë. Femrat këtu janë sa për një natë. Ne shqipot jemi maço, ua bëjmë qejfin. Ja shiko Andin! Është lidhur me një angleze që s’i ndahet shpirti prej tij. Hahaha… Dua t’i ngacmoj pak për Shqipërinë. As ia kanë idenë hiç. Vetëm njëri prej tyre kishte qenë njëherë në Tiranë dhe u tregoi të tjerëve, si në një përrallë, që rrugët e Tiranës s’paskëshin fare ndryshim me ato të Londrës.
Vura re me trishtim që atdheu i tyre ishte rruga, vrapi drejt së panjohurës.

Ata s’ishin krenarë për asgjë, përveçse kur fati i çonte drejt grushtave. Po! Vetëm në atë rast ata thoshin, me plot gojën, që janë shqiptarë.

SHKARKO APP