Rishikim i normave të punës mësimore në arsimin parauniversitar

 Nga Zija Lika –

Nisur nga dëshira dhe motivi për t’i shërbyer sa më mirë  procesit të mësimdhënies / mësimnxënies, arritjes së standarteve të përparuara bashkëkohore në sistemin arsimor parauniversitar të vendit tonë, përmirësimit të akteve përkatëse ligjore e nënligjore me synim funksionimin sa më normal, efiçent  e me cilësinë e kërkuar të këtij sistemi, po paraqes disa mendime dhe sugjerime, në funksion të rishikimit të normave të punës mësimore – edukative dhe numrit të nxënësve për klasë në arsimin e mesëm të lartë, të përcaktuara në udhëzimin  në fuqi nr 44, datë 16.10.2014 të MAS.

Në bazë të udhëzimit në fuqi nr 44, datë 16.10.2014 të MAS, për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin e MASH nr 21, datë 23.07.2010, “Për normat e punës mësimore – edukative dhe numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar”, pika  I.2(b), mësuesi i  lëndëve histori – gjeografi  e ka normën punës mësimore javore 20 orë mësimore, ndërsa sipas pikës I.2(c) mësuesi i lëndëve të tjera si: “ekonomi, qytetari, filozofi, sociologji, psikologji e teknologji” e ka këtë normë të barabartë me 22 orë mësimore.

Mendoj se norma e  punës mësimore javore e mësuesit përkatës të këtyre lëndëve, në varësi me analizimin realist, profesional e kompetent të çdo  rasti konkret, duhet  të barazohet me atë të mësuesit të histori – gjeografisë (20 orë mësimore), ose të paktën duhet të ulet 1 orë mësimore, duke u bërë 20 ose 21 orë mësimore në javë nga 22, pasi nuk ekzistojnë arsye dhe argumenta thelbësorë që të justifikojnë këtë diferencë aktuale prej 2 orësh më shumë.

Arsyetimi i mundshëm për shembull, se lënda e ekonomisë zhvillohet vetëm në klasën e 12 të gjimnazit dhe programi mësimor vjetor në këtë rast zgjat 34 javë, nga 36 që zgjat për klasat 11 e 12, qëndron pjesërisht duke e justifikuar maksimalisht deri në 1 orë mësimore  më shumë normën e  punës mësimore javore të mësuesit përkatës  dhe jo 2 të tilla.

Në mbrojtje të asaj  ç`ka themi po argumentojmë si më poshtë:

  • Norma e punës mësimore vjetore për mësuesin e lëndëve: “histori, gjeografi”, në kushtet kur jep mësim vetëm në klasat 10 e 11, (ndërkohë që kjo gjë ndodh shumë rrallë, pasi ai përgjithësisht jep mësim njëkohësisht edhe në klasën e 12), është maksimalisht 720 orë mësimore = 36 x 20.

Nëse mësuesi i lartëpërmendur, jep mësim vetëm në klasën 12 (kur ka shumë paralele), apo përveç klasave 11, 12 edhe në atë 12, norma e punës mësimore vjetore e mësuesit të këtyre lëndëve, varion nga 680 orë deri në më pak se 720, në varësi të numrit të orëve mësimore që jep edhe në klasën e 12, të llogaritura me 34 javë mësimore të kohëzgjatjes së programit mësimor vjetor.

  • Nga ana tjetër norma e punës mësimore vjetore për mësuesin e lëndës “ekonomi”, bazuar në udhëzimin e lartëpërmendur në fuqi nr 44, datë 16.10.2014 të MAS, është 748 orë mësimore = 34 x 22, ose e thënë ndryshe 28 – 68 orë mësimore më shumë në varësi me rastin konkret, krahasuar me mësuesin e sipërcituar të lëndëve “Histori, Gjeografi”.
  • Pa dashur të nënvlerësoj rëndësinë e zhvillimit në gjimnaze të lëndës “edukimi fizik, sporte dhe shëndeti”, ku mësuesi përkatës e ka normën e punës mësimore javore 22 orë mësimore, gjykoj se mësuesi i lëndëve: “ekonomi, qytetari, filozofi, sociologji, psikologji e teknologji”, duhet ta ketë sipas rastit konkret 1 – 2 orë mësimore më pak, normën e punës mësimore javore, nga 22 orë që vazhdon të jetë aktualisht.

Në lidhje me këtë mjafton të përmend faktin se mësuesi i lëndës “edukimi fizik, sporte dhe shëndeti”, zhvillon orën mësimore në pjesën më të madhe të rasteve, vetëm me gjysëm klase (veç djemtë nga vajzat, sikurse përcakton udhëzimi nr 21, datë 23.07.2010, kreu IV, pika 13), apo në rastet e tjera me të gjithë klasën (kur kjo e fundit ka numur relativisht të ulët nxënësish) dhe për rrjedhojë  investon më pak kohë efektive pune përgjatë  orës mësimore  për realizimin e procedurave përkatëse mësimore në lidhje me trajtimin dhe vlerësimin e nxënësve sipas linjave respektive (i vazhduar, me test/detyrë përmbledhese dhe portofol), regjistrimin e të dhënave, plotësimin e dokumentacionit përkatës, e të tjera,  ndërkohë që nisur nga karakteri më shumë praktik sesa teorik i kësaj lënde, koha dhe angazhimi gati i përditëshëm (zakonisht pas orarit zyrtar të punës), që   i nevojitet mësuesit për t’u përgatitur në këtë lëndë, për zhvillimin normal të procesit mësimor të ditës pasardhëse, është relativisht më i vogël nga koha përgatitore, studimore, angazhimi i nevojshëm e të tjera, që i duhet çdonjërit prej mësuesve të lëndeve të lartpërmendura, në funksion të realizimit efektiv e me cilësin e kërkuar të qëllimit të sipërcituar.

Nga ana tjetër, në periudhën e deritanishme (sikurse është bërë më parë e njohur nga media të ndryshme qëndrore apo lokale vendase), një pjesë jo e vogël e institucioneve arsimore parauniversitare në shkallë vendi (përfshirë edhe ato të arsimit të mesëm të lartë), kanë patur vetëm pjesërisht ose jo, mjediset e nevojshme e të përshtatshme për zhvillimin sipas standarteve dhe cilësisë së kërkuar, të orëve mësimore në lëndën “edukimi fizik, sporte dhe shëndeti”, veçanërisht përgjatë ditëve mësimore me kushte të pafavorshme klimaterike.

  • Ndodh jo rrallë që mësuesi i emëruar me kohë të plotë pune, me qëllim që  të  plotësojë normën përkatëse javore të  punës mësimore – edukative, ngarkohet të zhvillojë  orë  mësimore në  lëndë  të  ndryshme, tek të cilat ai është brenda profilit të kërkuar ose të përafërt në përputhje me aktet përkatëse ligjore e nënligjore në fuqi të MASR, por nga ana tjetër ato lëndë ju përkasin aktualisht normave të ndryshme të punës mësimore javore, sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin në fuqi nr 44, datë 16.10.2014 të MAS.

Në këtë rast ky udhëzim apo ndonjë tjetër në fuqi, nuk jep formulën apo rregullin e përcaktimit të saktë të normës së punës mësimorë javore.

Kështu për shembull në kushtet e përcaktimeve ligjore në fuqi, nëse një mësues në varësi me profilin e tij, ngarkohet të zhvillojë orë mësimore të lëndëve: “histori, qytetari”; “tik, teknologji”; “gjeografi, sociologji”, “histori, gjeografi, filozofi, ekonomi”  e të tjera kombinime të lejueshme lëndësh, me norma të ndryshme të punës mësimore javore, atëhere kush do të ishte saktësisht  norma e punës mësimore javore për këtë mësues?

Me synimin për të qenë sa më të saktë në përcaktimin e normës së punës javore mësimore – edukative, pasi me këtë tregues lidhet drejtëpërsëdrejti menaxhimi efektiv   i burimeve njerëzore arsimore, pagesa financiare normale dhe / ose suplementare     (kur totali vjetor i orëve të realizuara, është më i madh se totali vjetor i orëve që duhet të realizoheshin, mbi bazën e normës javore përkatëse të punës së mësuesit), mendoj se lind e nevojshme të përllogaritet norma e lartëpërmendur e trajtës së ndërmjetme, ose e thënë ndryshe: Norma ndërmjetëse javore e punës mësimore – edukative (Nnp).

Për të vënë në dukje rëndësinë e përllogaritjes së këtij treguesi, në udhëzimin nr 21, datë 23.07.2010, të MASH “Për normat e punës mësimore – edukative dhe numrin e nxënësve për klasë në IAP”, kreu IV.1 (i cili vazhdon të ketë fuqi ligjore), përcaktohet se: “Norma vjetore e mësuesit, quhet prodhimi i numrit më të madh të javëve mësimore të planit mësimor me normën javore të mësuesit”. Në këto kushte, themi se kemi mbirealizim të normës vjetore të punës mësimore – edukative të mësuesit (për të cilin duhet të aplikohet pagesë shtesë në përputhje me legjislacionin përkatës), atëhere kur totali vjetor i orëve mësimore – edukative të realizuara prej tij, është më i madh se numri i orëve që rezulton nga shumëzimi i treguesit: Nnp me 36.

Natyrisht që mund të ekzistojnë varjante të ndryshme përllogaritjesh, por një ndër formulat përkatëse që unë sugjeroj për të përllogaritur normën ndërmjetëse javore të punës mësimore – edukative (Nnp), kur mësuesi në përputhje me profilin e kërkuar apo të përafërt, ngarkohet të zhvillojë lëndë që u përkasin dy normave javore të ndryshme pune: N1, N2 ose N2, N3, ku  (N1 < N2) dhe (N2 < N3), jepet si më poshtë:

 

Nnp  = [n1 + (N1 – n1)∙N2/N1] = (n1 + n2) ; nga rrjedh : (n1/N1 + n2/N2) = N1/N1 = 1 ; ose

Nnp  = [n2 + (N2 – n2)∙N3/N2] = (n2 + n3) ; nga rrjedh : (n2/N2 + n3/N3) = N2/N2 = 1 ; ku :

 

 

n1→ numri i orëve mësimore javore të plotëpjestueshme me numrin e krediteve përkatëse, në lidhje me lëndën / lëndët me normë  pune javore N1, që mësuesi ngarkohet faktikisht për t’i zhvilluar.

n2 = (N1 – n1)∙N2/N1 → numri i orëve mësimore javore, që mësuesit i takon ose  ngarkohet, për t’i zhvilluar në lidhje me lëndën / lëndët, me normën e punës javore N2.

n3 =(N2 – n2)∙N3/N2 → numri i orëve mësimore javore, që mësuesit i takon të ngarkohet,  për t’i zhvilluar në lidhje me lëndën / lëndët, me normën e punës javore N3.

 

Për të konkretizuar zbatimin e kësaj formule, supozojmë se një mësues gjimnazi i profilit “histori, gjeografi”, ngarkohet me 10 orë mësimore në javë me këto lëndë,          (të cilat i korrespondojnë normës javore të punës: N2 = 20 orë mësimore) dhe në pamundësi të plotësimit të normës përkatëse mësimore javore me këto lëndë, pjesa tjetër e normës mund t’i plotësohet me lëndë të profilit të përafërt si: qytetari, filozofi, sociologji, psikologji apo ekonomi, të cilat i përkasin aktualisht normës javore të punës: N3 = 22 orë mësimore. Duke zbatuar formulën e mësipërme, rezulton se ky mësues duhet të ngarkohet edhe me 11 orë mësimore në lëndët e mësipërme të profilit të përafërt me normë pune javore: N3 = 22 orë mësimore, duke e saktësuar treguesin e sipërcituar : Nnp = 21 orë mësimore, nga 20 që do të ishin nëse të gjitha këto do të plotësoheshin vetëm me lëndë të profilit të kërkuar “histori, gjeografi”.

Përllogaritjet përkatëse mund të pasqyrohen si më poshtë:

Nnp  = [n2 + (N2 – n2)∙N3/N2] = (n2 + n3) = [10 + (20 – 10)∙22/20] = (10 + 11) = 21 orë mësimore;  nga rrjedh : (n2/N2 + n3/N3) = (10/20 + 11/22) = 20/20 = N2/N= 1

 

Në ngjashmëri me formulën e mësipërme, mund të ndërtohet formula përkatëse (sikurse jepet më poshtë), në referim të rastit që ndodh më rrallë, kur mësuesi në përputhje me profilin e kërkuar apo të përafërt, ngarkohet të zhvillojë lëndë që u përkasin tri normave javore të ndryshme pune: N1, N2, N3, ku (N1 < N2 < N3).

 

Nnp={n1+x∙N2/N1+[N1 – (n1+x)]∙N3/N1}=(n1+n2+n3); nga rrjedh: (n1/N1+n2/N2+n3/N3) =1; ku:

 

n1→ numri i orëve mësimore javore të plotëpjestueshme me numrin e krediteve përkatëse, në lidhje me lëndën / lëndët me normë  pune javore N1, që mësuesi ngarkohet faktikisht për t’i zhvilluar.

n2 = x∙N2/N1→ numri i orëve mësimore javore që mësuesit i takon të ngarkohet për t’i zhvilluar, në lidhje me lëndën / lëndët me normë pune javore N2, nga x orë të kësaj kategorie të plotëpjestueshme me kreditet përkatëse lëndore dhe që janë krejt të mundshme për t’u përfshirë në normën e punës së mësuesit.

n3=[N1 – (n1+x)]∙N3/N1→ numri i orëve mësimore javore, që mësuesit i takon të ngarkohet, për t’i zhvilluar në lidhje me lëndën / lëndët, me normën e punës javore N3.

Duke qenë se përveç treguesit n1, treguesit e tjerë: n2, n3; në të gjitha rastet  janë numra orësh mësimore jo të plotë, ato rrumbullakosen bazuar në rregullin përkatës matematikor dhe në plotëpjestim me kreditet e lëndëve përkatëse, ju shpërndahen mësuesve në prag të çdo fillim viti përkatës shkollor, ndërsa për efekt të llogaritjes së normës vjetore të planifikuar të punës mësimore – edukative (veçanërisht në rastet e kryerjes së pagesave financiare për realizim orësh suplementare), treguesi “Nnp” duhet të merret saktësisht aq sa rezulton nga përllogaritjet përkatëse.

Si rregull, norma faktike javore e punës mësimore – edukative për çdo mësues, duhet të plotësohet me një numur orësh mësimore të barabartë me treguesin “Nnp” të  rrumbullakosur matematikisht, por kjo nuk përjashton rastet kur mësuesi mund të ngarkohet mbi këtë normë deri në një masë të caktuar, në varësi të kufizimeve përkatëse ligjore në fuqi që ekzistojnë.

Me hyrjen në fuqi e mbrapa (deri aktualisht), të udhëzimit nr 44, datë 16.10.2014 të MAS, pika nr 2,në arsimin e mesëm të lartë (gjimnaze), lëndët grupohen në tre kategori normash javore pune mësimore – edukative:  N1, N2, N3, përkatësisht me nga: 18, 20, 22 orë mësimore.

Bazuar në këto të dhëna, mund të ndërtohet:

“Tabela e koeficentëve konvertues (krahasues), të një ore pune mësimore në lëndët që i përkasin një norme javore pune mësimore (N1, N2, N3) të dhënë, në orë pune mësimore në lëndët që i korrespondojnë, secilës prej dy normave të tjera të punës mësimore”.

 

Normat e punës mësimore Koeficentët konvertues të 1 ore pune mësimore, në orë pune mësimore të normave të tjera të punës.
N1 N2 N3
N1 1.00 N2/N1 = 20/18 ≈ 1.11 N3/N1 = 22/18 ≈ 1.22
N2 N1/N2 =18/20 = 0.90 1.00 N3/N2 = 22/20 = 1.10
N3 N1/N3 =18/22 ≈ 0.82 N2/N3 = 20/22 ≈ 0.91 1.00

 

Të dhënat e kësaj tabele, na ndihmojnë të njohim, kuptojmë dhe interpretojmë më mirë,  konceptin shkencor të çmimit apo koeficentit relativ të një ore pune mësimore, i cili pasqyron çmimin e kësaj të fundit, të shprehur në terma të njësive fizike të një ore  tjetër pune mësimore, në përkatësi të një norme të ndryshme pune javore, sipas përcaktimeve të bëra në aktet përkatëse ligjore apo nënligjore, që veprojnë në fushën e arsimit parauniversitar.

Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme mësuesish, përfitojnë  ulje të normës javore të punës mësimore me një numur të caktuar orësh (sipas rasteve përkatëse të parashikuara në udhëzimin e lartëpërmendur nr 21, datë 23.07.2010, të ndryshuar me atë nr 44, datë 16.10.2014), këto orë në çdo rast duhet të njihen me koeficentin = 1  dhe nga ana tjetër duhet t’u zbriten paraprakisht normave përkatëse javore të punës mësimore : N1, N2, N3, për ta bërë të zbatueshme dhe funksionale formulën përkatëse të përllogaritjes së treguesit (Nnp),  dhe në përfundim të këtij procesi t’i shtohen këtij të fundit.

Përveç sa më sipër, gjykoj se është plotësisht e arsyeshme dhe e logjikshme, që për periudhën e ardhshme të shikohet mundësia e uljes graduale dhe të përshkallëzuar (me një numur të caktuar orësh mësimore), të normës javore të punës mësimore të mësuesve, përgjatë 5 viteve të fundit të punës, para datës së plotësimit të moshës për dalje në pension.

Në lidhje me situatat e problematikat e ndryshme, që mund të shoqërojnë përcaktimin e saktë të normave javore të punës mësimore – edukative për mësuesit e ciklit të mesëm të lartë, konstatoj se neni 105 i dispozitave normative, hartuar e miratuar në zbatim të ligjit nr 69, date 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në RSH”,ndërsa është i zbatueshëm për tri lëndët përkatse: gjuhë shqipe dhe letërsi, gjuhë e huaj e parë dhe matematikë (të cilat kanë qenë dhe do vazhdojnë të jenë provim i detyruar i maturës shtetërore për nxënësit e klasës 12), për lëndet e tjera të cilat zgjidhen nga nxënësit për t’u dhënë provim me zgjedhje në maturën shtetërore, pika nr 2 e këtij neni ku në të cilën citohet se: “orët e konsultimeve i përkasin ngarkesës vjetore të mësuesit”, nuk mund të zbatohet gjatë gjithë vitit shkollor, për sa i takon përfshirjes së orëve të konsultimeve në këto lëndë, në normën e planifikuar javore të punës mësimore të mësuesit, pasi këto lëndë zgjidhen apo nuk zgjidhen për provim mature shtetërore nga nxënësit, të paktën 6 muaj mbrapa çdo fillim viti shkollor.

  • I motivuar nga dëshira dhe obligimi për të patur arritje cilësore dhe rezultate komplekse sa më  të  larta, në  fushën e zbatimit të reformës së re arsimore – kurrikulare në  gjimnaze (e cila në  vitin e ardhshëm shkollor 2018 -2019 e vazhdim, do të funksionojë në të tre vitet e tij), mendoj se gradualisht në  të  ardhmen, në varësi edhe të  kapaciteteve buxhetore financiare në  dispozicion të  arsimit publik parauniversitar, duhet shikohet me përparësi dhe realizohet mundësia e uljes së  numrit  të  nxënësve për klasë, krahasuar me kriterin përkatës të  përcaktuar  në  udhëzimin në  fuqi nr 44, datë 16.10.2014 të MAS, pika 4.a, ku në të  cilën citohet se: “klasat në gjimnaze formohen me 30 – 35  nxënës”.

Përvoja e deritanishme e një  pjesë  jo të vogël mësuesish të gjimnazeve  të  ndryshme (kryesisht të rretheve jugore të vendit), me të cilët kontaktoj dhe/ose mbaj marrëdhënie bashkëpunimi pune, shkëmbimi eksperiencash profesionale  e  të tjera, si dhe opinionet e ndryshme të  dhëna në  shumë  media të  vendit nga prindër, nxënës gjimnazistë , apo intelektualë  të  tjerë njohës të  problematikave arsimore, tregojnë  se  zbatimi i reformës së re arsimore – kurrikulare në  gjimnaze, ka rritur ndjeshëm në  krahasim me më parë, volumin dhe kohën e punës që duhet të  investojë  mësuesi dhe nxënësi. Nëse ky konstatim arrihet të provohet në  shkallë  vendi, atëhere gjykoj se ulja graduale në të ardhmen e numrit të  nxënësve për klasë (sikurse themi më  sipër), deri në një  nivel optimal të arsyeshëm në përputhje me studimet përkatëse paraprake dhe që  mund të përballohet nga buxheti përkatës financiar shtetëror, do të  krijojë  më shumë  mundësi për arritjen e rezultateve më  të  mira e cilësore, në  aspektin e mësimdhënies, mësimnxënies dhe treguesve të  tjerë  të  rëndësishëm arsimorë. Nga ana e tjetër në të ardhmen, mbështetur në përvojat e ngjashme ndërkombëtare e të suksesshme bashkëkohore, studimet përkatëse të institucioneve shkencore vendase apo të huaja dhe anketimet apo marrjen e mendimeve të mësuesve, nxënësve, prindërve e të tjerë, duhet të shikohet mundësia e zvogëlimit ose eleminimit nga programet mësimore                (në dobi të nxënësve), të ngarkesave të tepërta e të padobishme mësimore, që mund të konstatohen në lëndë të ndryshme.

Nisur nga sa më sipër, duke qenë se problematika e përcaktimit të saktë të normave javore të punës mësimore – edukative, të mësuesve në sistemin arsimor publik parauniversitar (cikli i mesëm i lartë), është tepër e rëndësishme për mirëmenaxhimin e burimeve njerëzore arsimore dhe kapaciteteve përkatëse intelektuale, në mënyrë që çdokush të ngarkohet me punë dhe shpërblehet financiarisht në masën që i takon, gjykoj se këto mendime e sugjerime apo të tjera që mund të ketë, duhet të analizohen me realizëm e kompetencë profesionale nga MASR, si dhe të merren në konsideratë, në funksion të rishikimit të normave të punës mësimore – edukative dhe numrit të nxënësve për klasë, të përcaktuara në udhëzimin  në fuqi nr 44, datë 16.10.2014 të MAS.

SHKARKO APP