Riza hoxha, mjeshtri i valles pukjane

Nga Mark Mesuli dhe Ndue Dedaj

Riza Hoxha është nga ata artistë që nuk reshti asnjëherë së gjurmuari në logun e valles së trevës së tij. Ai ka një meritë të veçantë si usta i kërcimit dhe valles epike, lirike e rituale të Pukës dhe shpalimit të saj në skenë, brenda dhe jashtë vendit, por dhe se, si një mësues i palodhur, futi në udhën e valles plot të rinj pukjanë. Ai kremtoi këto ditë 70-vjetorin e lindjes dhe “Sofra Pukjane”, që mblidhet këtë të diel në takimin e saj të përvitshëm, do të promovojë dhe një monografi kushtuar këtij bardi dhe interpretuesi të njohur, që ka qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha festivalet folklorike kombëtare etj., që nga fillimet e viteve ’70. E veçanta është se në këtë botim nuk përshkruhet vetëm rrugëtimi i tij i gjatë, 45-vjeçar, në skenë, por dhe studimet e tij mbi vallet pukjane.

Ndër ata që me këtë rast i kushtuan ca rradhë profilit të tij krijues e interpertues është dhe Mjeshtri i Madh, Besim Zekthi, i cili shkruan: “Riza Hoxhën e Kabashit të Pukës e kam njohur shumë herët si pionierin e valles tradicionale të Kabashit. Ishte kjo valle, që më bëri përshtypje për karakterin e saj epik, ku si bartës i saj ishte valltari, djaloshi i asaj kohe, Riza Hoxha. Duke parë interpretimin e atyre djaloshëve më lindi interesi i një ekspedite për ta vënë në skenë me grupin e valltarëve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve dhe kështu u realizua, prandaj dhe i jam mirënjohës koreografit të Pukës. Ai ishte pasionant, energjik, i cili punoi një jetë të tërë duke e pasqyruar dhe përpunuar vallen pukjane. E kam njohur nga afër edhe në Koncertet e Majit, duke qenë asistent koreograf gjatë kualifikimit pranë Teatrit të Operas dhe Baletit. Po kështu, njohja ime me këtë njeri të lidhur pazgjidhshmërisht me artin koreografik kanë qenë Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës e Beratit, të ansambleve të klasës punëtore Tiranë – Durrës etj, ku ansambli i Pukës është paraqitur dinjitoz, ku një vend të rëndësishëm zinin vallet e përgatitura nga koreografi. Është kjo njohje, janë këto konsiderata që ruaj për koreografin e Pukës, një artist i lindur, me pasion e vullnet për të bërë më të mirën, më të bukurën duke e prezantuar vallen pukjane si një vlerë e shtuar në arsenalin e trashëgimisë sonë kombëtare”.

*Riza Hoxha ka lindur në fshatin Buhot të rrethit të Pukës me datën 24 tetor 1947. Pasi mbaron shkollën fillore në fshatin Kabash, vazhdon shkollën e mesme të përgjithshme në qytetin e Pukës si konviktor, ku u dallua në veprimtaritë artistike dhe sportive. Dha një kontribut të çmuar gjatë viteve shkollore dhe më pas si artist i formuar, si futbollist i “Tërbunit” etj. Punon si mësues i ciklit të ulët në Qerret dhe më pas në Qelëz. Pasi mbaron shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 1969, nga Seksioni i Arsimit dhe Kulturës i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Pukë dërgohet në kurs profesional pranë Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore në Tiranë, ku pajiset me dëshminë e koreografit. Pas këtij kualifikimi emërohet koreograf pranë Shtëpisë së Kulturës “Jordan Misja” Pukë, detyrë të cilën e kreu me përkushtim dhe profesionalizëm derisa doli në pension, në vitin 2013. Me punën e tij pasionante, me talentin dhe përkushtimin e përhershëm, arriti të krijojë disa grupe valltarësh, të cilët interpretuan për vite me radhë, në të gjithë veprimtaritë në shkallë rrethi dhe më gjerë.

Regjisori Fran Vukaj fillesën e tij artistike natyrshëm e kërkon dhe te familja: “Rizai kishte një mundësi më shumë për t’u bërë artist. Ishte i biri i Man Idrizit, një burrë i mençur, punëtor e tepër bujar. Mani këndonte në festa, dasma e gëzime këngët e Prenush Gegës, rapsodit së Kabashit. Këndonte këngë majekrahu e me çifteli. Në konakun mikpritës të Man Idrizit uleshin në sofër njerëz të ditur, intelektualë të kohës, personalitete të pushtetit në rreth, që kryesisht shkonin për të respektuar Ramadanin, një nga mësuesit e parë të rrethit Pukë dhe më pas shef i Seksionit të Arsimit e Kulturës. Meloditë me çifteli, këngët epike dhe ato majekrahu, të kënduara nga babai i Rizait, do të linin gjurmë tek artisti ynë në psikikën dhe njohjen e traditës folklorike të Kabashit. Këto motive do ta shoqëronin në tërë punën dhe aktivitetin krijues në të ardhmen.”

Nga një apo dy valle të trashëguara nga e kaluara, koreografi ka arritur që sektori i koreografisë të pasurohet me dhjetëra valle të reja të gjitha llojeve si: valle epike, liriko-humoristike, valle pune, tematike e deri te tablotë koreografike. Vallja pukjane, nën drejtimin e Riza Hoxhës, është pritur me interes dhe kënaqësi në skenat e qyteteve të Shqipërisë, festivalet lokale, zonale, kombëtare e deri në festivalet e Gjirokastrës, Beratit, Durrësit, Lushnjës etj. Vlerat e valles pukjane janë shpalosur fuqishëm edhe në koncertet e dhëna jashtë Atdheut, si në Mal të Zi, Zvicër, Egjipt, Austri, Poloni etj., në kuadrin e Ansamblit “Puka” të udhëhequr nga Artisti i Popullit Ndue Shyti, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur si Sabrie Nushi, Fran Vukaj, Dava Gjergji, Frrok Haxhia, Fran Pali, Gëzim Ahmeti, Faik Pema, Vitore Rusha, Zojë Pali, Vitore Matoshi etj. Në larminë e valles pukjane, mund të veçojmë ato që kanë mbetur në kujtesën e publikut shqiptar si vallja e besës, valle me motive të Veriut, valle me motive kosovare, vallja e zogut, motive dasmash pukjane, vallja e nuseve, valle me çifteli, vallja e gjarpërit, valle humoristike burrash, “Hipa në majë të manit të bardhë”, valle për të vegjlit si: “Lulet e bjeshkës”, “Rritemi të lumtur”, tabllotë koreografike: “Mësojmë, punojmë, kalitemi”, vallja “Jena lulet e Shqipërisë” etj. Të suksesshme kanë qenë vallet pukjane të realizuara nga koreografi Riza Hoxha, veçanërisht në takimet e Ansambleve të klasës punëtore, ku janë interpretuar me nivel të lartë artistik dhe tematikë nga puna e madhe e minatorëve, sharrëxhinjëve, ndërtuesve pukjanë etj. Të tilla mund të përmendim: “Vallja e minatorëve”, vallja “Gruaja dje dhe sot”, “Valle festive”, “Valle me motive tiranase”, “Valle me motive Librazhdi” etj.

            Valles pukjane i ka paraprirë një punë e palodhur kërkimore shkencore nga ana e koreografit Hoxha, duke organizuar ekspedita në të gjitha fshatrat e rrethit Pukë,çka është pasqyruar në simpoziume e sesione shkencore dhe është vlerësuar nga personalitete të folklorit. Ata kanë vënë në dukje traditën në vallen pukjane, vallet novatore dhe vlerat e tyre, pasuritë e pashterrshme të valles pukjane, vallen e Kabashit dhe karakteristikat e saj, si dhe studimet etnografike e kostumografike popullore të Riza Hoxhës. Koreografi ka botuar tema studimore me karakter njohës në fushën e valles folklorike si: “Tradita dhe aktualiteti në vallëzimin popullor pukjan”, “Veçoritë karakteristike të valles epike të Kabashit” etj. Apo tema të tjera me interes, si “Vlerat studimore ndër vite në festivalet e zhvilluara në Gjirokastër, Berat etj”, “Si duhet të punojmë për edukimin estetik të talenteve të reja në fushën e artit koreografik” etj.

Pas një përvoje të gjatë pune në sektorin e koreografisë, në vitin 1977, bazuar edhe në kualifikimin e mëparshëm, Riza Hoxha, i nënshtrohet një kursi njëvjeçar, ku vlerësohet me rezultate shumë të mira nga pedagogët e njohur të koreografisë shqiptare. Puna dhe përvoja e gjatë si artist dhe krijues, si pjesëmarrës në të gjitha festivalet kombëtare, që nga viti 1973 e në vazhdim, vlerësohet nga juritë prestigjoze dhe komisionet për nivelin dhe shumëllojshmërinë e valleve e të motiveve të tyre, si dhe interpretimet me nivel të lartë artistik. Në vitin 1974, nderohet me medaljen “Naim Frashëri”, me këtë motivacion: “Është dalluar për përkrahjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të folklorit tonë, me një përmbajtje të shëndoshë ideore dhe nivel të mirë artistik”. Në vitin 1979, nderohet me Urdhërin “Naim Frashëri të Klasit të III”, me motivacionin: “Për merita në zhvillimin dhe përhapjen e folklorit, si instrumentist popullor dhe si drejtues i grupeve folklorike”. Është vlerësuar me stimuj si: “Laureat i Festivalit”, diploma, fletënderi, si individ e drejtues i grupit të valleve. Vlerësime ka marrë edhe nga Ministria e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, ku në Festivalin Kombëtar të valleve tipologjike të zhvilluar në Lushnjë në vitin 2006 me motivacionin: “Dalluar për interpretimin e valles popullore”. Po kështu, në vitin 2010, nderohet po në Lushnjë me Mirënjohje me motivacionin: “Për vlera të shquara në organizimin e valles burimore në Nënprefekturën e Pukës”. Bashkia Pukë e nderon Riza Hoxhën me titullin më të lartë të saj, në vitin 2006, duke e shpallur “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në shpalosjen e vlerave koreografike të trevës pukjane, në takimet lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare”.

*            Rizai ka në arkivin e tij një mal me valle pukjane që i bëjnë dhe iu bën nder, përpos ngjitjes në skenë për mbi dyzet e pesë vite të dhjetëra valltarëve, por do të mjaftonin një valle dhe dy inskenime rituale gjenerale për ta shënuar atë si një nga pasuruesit e fondit të folkut kombëtar, “Vallja e Kabashit” dhe ritualet “Gjama e Burrave” dhe “Buzmi Bujar”. Vetëm një artist i formuar dhe me intuitë orientohet kah vlerat e sipërme të trashëgimisë popullore shpirtërore dhe arrin t’i nxjerrë ato nga “provinca” e t’i vendosë në altarin e visarit kombëtar.

            Vallja e Kabashit është valle burimore, që kërcehet nga katër burra, që përfaqësojnë katër fiset e fshatit, që ishte më tepër se kaq, një qendër e banuar që në hershmëri dhe e përshkuar nga një rrugë kryesore që e lidhte atë vendbanim me të tjerët, ku veç të tjerash zhvillohej dhe një panair i pasur si në qytete. Kabashasit kishin shumë tipare identitare dhe një valle në atë mozaik ishte e nevojshme. Koreografi e ka shpjeguar kuptimin e saj përmes lojës në skenë. Ai shkruan se “lëvizjet dhe ritmet e kësaj vallje përmblidhen në tre momente kryesore: me hapjen e krahëve anash, rrahjen e këmbës për tokë dhe shkëputjen për t’u ngritur e hedhur përpara”. Për të vallja, nga më të bukurat shqiptare, është imitim i shqiponjës, çka ai e sheh në hapjen e krahëve të valltarit njëlloj si shpendi krenar me vështrimin larg mbi kreshta. Kurse rrahja e këmbës për trolli tregon njeriun e lidhur ngushtë me ashtin e vet, i cili ashtu si Anteu, sa herë prek tokën, merr forcë e energji për t’u shkëputur prej saj kah e mbara e jetës.

Përpos vallës së mirënjohur të Kabashit, që është lokale, dy ritualet e tjera janë thuajse mbarëveriore, ku gjamët kanë qenë të praktikuara veçanërisht në Dukagjin. Gjama e Burrave është ndër ritualet e pastudiuara sa duhet. Ajo është një shprehje e fortë e dhimbjes për vdekjen e dikujt nga fisi apo të afërmit. Sa më e re të ishte mosha e të vdekurit, aq më kumbuese ështe gjama, si me qenë tue e ngjallë të vdekunin. Një kumt që vetëm te shqiptarët mund të gjendet kaq ekspersiv, dramatik, aktorial, mbartës i një pikëllimi të madh kolektiv për njeriun. Padyshim që vjen nga kohët me të vjetra ilire, greke e romake, si një thirrje e jashtëzakonshme jo për vdekjen, por për jetën! Artistë që maja të tilla etnografike i ngjisin në skenë janë si ata restauratorët që na i rikthejnë kalatë në shkëlqimin e tyre të parë, të motmotshëm. Buzmi Bujar është rituali kryesor i mbarësisë dhe pjellorisë së tokës, për të cilin është shkruar nga autorët e vjetër, por pak kush e di se ai ishte një spektakël mahnitës tejet origjinal ndër malet tona në ditët e Kërshëndelleve, me origjinë pagane, që po të inskenohej sot për turizmin kulturor, veçanërisht për të huajt do të ishte ekzotik dhe i papërsëritshëm.

Puna krijuese dhe interpretuese e koreografit Hoxha vazhdon edhe sot e kësaj dite, ndonëse në moshën 70-vjeçare. Me punën e tij është ndër të paktët artistë që mban gjallë veprimtaritë kulturore në rrethin e Pukës.

SHKARKO APP