RockStock Music Festival, zbulohen emrat e artistëve pjesëmarrës

Albina Gjergji –

Ndërsa organizatorët e edicionit të dytë të “Rockstoc Music Festival” po i japin dorën e fundit detajeve mbi mbarëvajtjen e eventit të datës 24-25-26 shtator në Sheshin “Nënë Tereza”, është bërë publike nga organizatorët lista e artistëve që do të marrin pjesë në tre netët maratonë të “Ditës së Miqësisë”. Këngëtarët e bandat më të njohura shqiptare e jo vetëm pritet të ndezin skenën gjigante të Festivalit, e cila do të ngrihet përballë “ish Kolonat”, ngjitur me Akademinë e Arteve.

Rock music, kualitet tingujsh e zërash, kulturë, surpriza, birra, takime me miq e kërcime të “çmendura” nën ritmet e muzikës më të lakuar të të gjitha kohërave, kjo është panorama që do mbizotërojë për tre net me radhë. Organizatorët e ngjarjes më fantastike të vitit, Elton Deda dhe Erjon Zaloshnja, të njohur edhe për clubin e famshëm, ROCKSTOCK  që prej vitesh drejtojnë shprehen shumë entuziastë lidhur me pritshmërinë e edicionit të dytë të këtij Festivali. Sipas tyre, Rockstock Festival edhe këtë vit do të provojë të tejkalojë barrierat e muzikës së vetëm një zhanri, duke e përzierë atë me zhanre të tjera, pra duke i dhënë një dimension të ri, pavarësisht se bërthama në vetvete do të jetë rock music. “Duke ruajtur portretin e vet origjinal dhe të vulosur prej dekadash, Festivali i RockStock tenton të përcjellë mesazhe miqësie, kriticizëm më të fortë të anti-vlerave dhe sigurisht mesazhe akoma më të detajuara të krijimit të raporteve të reja midis politikës dhe artit. Por mbi të gjitha, me qëllimin suprem për të bashkuar shpirtra njerëzorë, duke u munduar të mbushë boshllëkun dhe zhgënjimet që shoqëria sot prodhon nëpërmjet tingujve dhe rezonancave pa kompromis”, shprehet Elton Deda lidhur me qëllimin e mesazhet e këtij eventi.

Por, përtej argëtimit që publiku do të përjetojë për tre net me radhë (e enjte, e premte, e shtunë), duket se vetë Festivali në vetvete është edhe një promovim shumë i mirë i artistëve të rinj që do të marrin pjesë, por edhe i këngëve të reja që bandat veterane do të prezantojnë për publikun. Të shprehësh revolten ndaj padrejtësive, sistemeve të gabuara dhe të japësh mesazhe të fuqishme dashurie, miqësie dhe mbi të gjitha paqeje mes njerëzimit… e kush zhanër muzikor më mirë, sesa Rock’n’Roll mund ta bëjë këtë?! 24-25-26 shtator, Rockstock Music Festival pret dashamirësit e tij tek Sheshi “Nënë Tereza”, përballë ish Kolonat!

Pjesëmarrësit në tre netët live, janë si më poshtë:

– E Enjte

1. The Curlies

2. Altin Goci Band

3. Offchestra

4. Renis Gjoka Band

5. Irie FM

6. Asgjë Sikur Dielli

 

– E Premte

1. Duck Lord

2. RockStock Band

3. Centaur (Reunion)

4. Tre Musketierët

5. Muscle Tribe of Danger and Excellence (të ardhur possacërisht nga Kroacia)

 

– E Shtunë

1. Crossbones

2. Gipsy Groove

3. Shpat Deda

4. Jinjer (të ardhur posaçërisht nga Ukraina)

5. Jericho

6. Elita 5

SHKARKO APP