Romir Zalla: Ne jemi aty për të mbrojtur vlerat e teatrit
I ftuar në studion e lajmeve të Ora News, aktori Romir Zalla ka folur për qëndresën e aktorëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Si fillim, Zalla u shpreh se në skenën e teatrit po zhvillohen aktivitete në kuadër të një kushti të organizatës Europa Nostra, e cila e ka futur teatrin në 7 godinat më të rrezikuara në Europë.
Romir Zalla: Europa Nostra i ka futuar dy godinat e Teatrit Kombëtar në 7-shen e godinave më të rrezikuara në Europë. Një nga kriteret e tyre është se duhet që teatri duhet të jetë në aktivitet. Janë bërë mbi 70 aktivitete. Adi Krasta do të bashkëbisedojë me publikun për disa të vërteta të mëdha që ne rrallë i themi. Salla e madhe “Kadri Roshi” do të kthehet në një “agor” të shkëmbyer mendime.
Më tej, Romir Zalla u shpreh se deri më tani është humbur kohë dhe energji me debatin për prishjen e teatrit. Ai tha se e gjitha kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së transparencës nga ana e bashkisë së Tiranës, ndërsa theksoi se ky institucion ka zgjedhur të shmanget.
Romir Zalla: Unë mendoj se pas kaq kohësh është harxhuar një energji e paparë, jo vetëm e njerëzve që janë pranë kauzës, por edhe e qytetarëve. Energji e cila padiskutim është zgjatur deri në media apo deri në rangjet politike. Pas gjithë kësaj kohe, në fund ajo që e ndanë shapin nga sheqeri është një qasje sa më institucionale ligjore me shkresa e problemit. Kur unë fola për Europa Nostrën fola për një organizatë konkrete. Më vjen keq ta them, nuk mundet të nisë biseda në bazë të një deklarate që thuhet në ekran televiziv. Nesër ai mund të thotë se të gjitha kështjellat ti bëjmë lokale dasmash sepse do tërheqi më shumë turizmin. Për çfarë po flasim? Kush është vendimi? Kush është shkresa? Kush është projekti? Kush e vendosi çfarë? Nuk ka asnjë transparencë. Nuk ka asnjë përgjigje zyrtare, ka vetëm shmangje. Nuk di nga ta kap dhe për çfarë të diskutoj!
Zalla shtoi gjithashtu se kauza për mbrojtjen e godinave të Teatrit Kombëtar qëndron, ndërsa tha se artistët nuk janë kundër ndërtimit të një teatri të ri. Por sipas tij, artistët do të qëndrojnë aty për të mbrojtur vlerat e godinave historike të Teatrit Kombëtar.
Romir Zalla: Kauza nuk është një e cila ka ca pronarë dhe janë aty për ta ruajtur. Kauza qendron nëse është real problemi. Dhe problemi është real. Këtë e kanë kuptuar të gjithë. Këtu ka një problem, ka një sulm ndaj publikes, për të mashtruar, për të vjedhur. Nga ky moment e në vazhdim të ketë një transparencë nga njerëzit që janë vendosur aty për të menaxhuar jetën. Ne jemi aty për të mbrojtur vlerat e atyre godinave dhe drejt asaj po shkohet edhe me bashkëpunimin që ne po lidhim me organizatën Europa Nostra. Ne jemi super dakord që Tiranës ti ndërtohet një teatër dinjitoz dhe modern siç i takon shekullit që po jetojmë.