Rosela Gjylbegu: Jeta ime mes muzikës dhe punës në Kuvend…

 

Këngëtarja sapo ka hedhur në treg këngën me titull, “Jam aty”, një bashkëpunim me kantautorin, Vullnet Ibrahimi, i cili është pritur mjaft mirë nga publiku

Intervistoi: Albina Gjergji

“Jam aty”, kështu titullohet kënga më e re që këngëtarja Rosela Gjylbegu në bashkëpunim me kantautorin Vullnet Ibrahimi kanë hedhur në treg këto ditë. Është pritur mjaft mirë nga publiku dhe pikërisht nga ky fakt dy artistët janë mjaft të kënaqur, pasi për ta më me rëndësi është që kënga të përqafohet nga audienca, sesa të shikohet për nga numri i klikimeve, siç ndodh rëndom mes artistëve, të cilët duket sikur kohët e fundit janë vënë në garë për numër klikimesh në Youtube. E lidhur fort me këtë artin në përgjithësi, por me muzikën në veçanti, në intervistën e mëposhtme, këngëtarja nga Shkodra na zbulon detaje mbi projektin e “Jam aty”, si lindi bashkëpunimi me Ibrahimin, si dhe raportin me kohën, duke qenë se ajo nuk merret vetëm me muzikë, por punon edhe në Kuvendin e Shqipërisë prej disa vitesh. 

 

“Jam aty” kështu titullohet kënga e radhës, që vjen në bashkëpunim me një artist mjaft të talentuar siç është Vullnet Ibrahimi. Si lindi ky bashkëpunim Rosela dhe sa kohë kishte i projektuar?

Unë dhe Vullneti njihemi që në vitin 2011, kohë kur fitoi me Redon Makashin në “Kënga Magjike” me këngën "Më lër të fle” dhe duke pëlqyer stilin e tij romantik, si dhe ndanim shumë shije muzikore lindi ideja e një bashkëpunimi. Fillimisht në parim, më pas ai më ftoi të realizonim një duet dhe kështu nisi e gjitha. Kënga ka një vit që është bërë, por për shkak të impenjimeve u shty dhe më në fund e realizuam tani.

Kënga duket se është pritur mjaft mirë, kjo nisur jo vetëm nga numri i klikimeve në Youtube, por edhe shpërndarja e madhe që i është bërë në rrjetet sociale, si dhe nga transmetimi që i bëhet baladës në radio. Cili është emocioni që një artiste si ju merr kur vëren një përqafim kaq të madh të asaj çka ju artistët prodhoni?

T’ju them të drejtën kjo është kenaqësia me e madhe kur puna jote pëlqehet e mirëpritet nga publiku. Ka vetëm dy javë që kënga ka dalë dhe reagimi është shumë pozitiv. Uroj të vazhdojë kështu, sepse jemi përpjekur modestisht t’i bëjmë publicitet, por edhe televizionet e radio të ndryshme kanë shfaqur shumë interes dhe më kanë telefonuar për t’jua dërguar.       

“Dhe nga malli sot ku jam, ku je”… thotë një varg i këngës suaj. Sa mall ka në shpirtin tënd Roselë? Kush të mungon më shumë?

Kënga është një baladë romantike dhe si muzikën, ashtu edhe tekstin e ka realizuar Vullneti. I këndohet mungesës që ndjejnë dy njerëz të dashuruar që ndodhen larg njëri-tjetrit, ndërsa përsa i përket pyetjes suaj për mallin, e ndjej çdo ditë e më shumë mungesën e babait tim. Kam mall për biseda, mendimet dhe përqafimet e tij.

Lidhur me tekstin e këngëve tuaja, a ka një kriter përzgjidhës nga ana juaj Roselë, domethënë përpara se ta pranoni. Na flisni pak për kriteret që duhet të plotësojë një tekst kënge, apo autor tekstesh?

Është e vërtetë që unë i kushtoj shumë rëndësi tekstit, sepse mendoj që ka shumë peshë dhe që kënga të mbetet gjatë e të pëlqehet duhet të ndërtohet një tekst domethënës. Zakonisht kur punoj, apo zgjedh bashkëpunëtorët e mi shkoj me ide të qarta dhe i shpreh ato duke orientuar autorët gjatë punës dhe më pas diskutojmë. Më pëlqejnë temat sociale dhe histori dashurie pak dramatike.

Kaq shumë këngëtarë, kaq shumë performues, kaq shumë muzikantë në skena të ndryshme… si e shihni tregun muzikor sot, normal, kaotik, të pranueshëm, apo tepër të vështirë që një artist realisht me vlera të depërtojë?

Kaotik, aspak të lehtë, por jo të pamundur. Mendoj se ka shumë zhurmë e pak melodi, ka më tepër fokus në formë, sesa në cilësi. Megjithatë mendoj se muzikën e mirë e të vërtetë e duan të gjithë dhe njerëzit dinë të bëjnë dallimin. 

Çfarë e bën një këngëtar KËNGËTAR, sipas jush Roselë?

Shpirti artistik, ndjeshmëria, thjeshtësia, dhimbja.

Po të dashur për publikun çfarë e bën?

Të qënurit sa më i vërtetë, me këmbë në tokë e njerëzor, që publiku ta ndjejë sa më afër vetes.

Ju keni vite në skenën muzikore shqiptare dhe jeni ndër artistet që i keni rezistuar stuhive të ndryshme që koha dhe tranzicioni muzikor ka prodhuar. Cili është sekreti i një karriere të konsoliduar?

Faleminderit për këto fjalë. Vërtetë jam përpjekur të ruaj qëndrueshmërinë time ndaj dashurisë për muzikën e vërtetë, për vlera dhe kam pasur fatin të punoj me më të mirët.

Sfidat që një artist përballon në rrugën e artit patjetër që ka dhe janë të shumta? Tuajat cilat janë?

Oh, janë të shumta. Mosfunksionimi mirë i menaxhimit, mungesa e shtëpive diskografike. Nuk është e lehtë t’i bësh gjërat vetëm, ndaj sfidat janë të mëdha, por kur mbizotëron pasioni e dëshira me vështirësi, por ia del mbanë.

Ndërkohë që një pjesë të mirë të kohës ia kushtoni dashurisë suaj për muzikën-këngën, një pjesë tjetër të mirë të kohës jua merr edhe puna në Kuvend. Si arrini ta menaxhoni kohën mes pasionit dhe punës?

Përpiqem ta kombinoj e të organizoj impenjimet e mia artistike gjatë fundjavës, ose pas punës. Kam ditë goxha dinamike e aktive, por më pëlqen dhe ndjehem mirë, sepse puna të mban gjallë.

Kohë e lirë ju mbetet dhe si e shfrytëzoni atë?

Palestër, kafe, ndonjë pije, apo kinema, teatër me miqtë.

Familja juaj është streha ku gjeni qetësinë, paqen e dëshiruar nga të gjithë. Nëse do ta krahasonit me një film jetën tuaj familjare, cili do të ishte ai?

Me filmin, nga ku mamaja ime më ka vënë edhe emrin, “Bashkë me erën”.

Çfarë e bën të bukur jetën tënde Roselë?

Dashuria e lumturia që më falin njerëzit që dua më shumë e që më rrinë afër e që janë me mua e për mua gjithmonë.

E duke iu rikthyer muzikës përsëri, pas bashkëpunimit me Vullnet Ibrahimin, do të kemi ndonjë bashkëpunim tjetër nga ju, duke qenë se duetet herë pas here kanë rezultuar mjaft të suksesshme në karrierën tënde?

Tani do të bëj pak pushim, do t’i përkushtohem familjes e do të mendoj për ide të reja e për planet e së ardhmes.

SHKARKO APP