Rrëfimi i Justina Aliaj: Në komunizëm, “ata” josheshin nga artistet e bukura

Një zë që të josh, një artiste që i këndonte realitetit dhe larg të qenurit vulgare, Justina Aliaj këngëtarja shkodrane,  u rikthye në vendlindje, ku rrëfen se si nisi karrierën e saj në art si këngëtare, por edhe si aktore. Justina Aliaj rrëfen momentin për “News 24”, se si festivali famkeq, i 11-të, për 18 vite me radhë e largoi nga skena, sepse sistemi monist e ndëshkoi bashkë me një grup artistësh të tjerë.

Këngëtarja lë të kuptohet se këta artistë në atë kohë ishin avangard dhe nuk kuptuan më shumë çka solli edhe vendimin e ashpër të diktatorit Enver Hoxha për ta. Në fillim të viteve 90’ Justina Aliaj nuk preferoi të qëndrojë në Shqipëri, por tregon se emigroi sepse kuptoi shpejt se humbi shpresa.

“Nuk mund të sakrifikoja fëmijët dhe familjen për hir të artit”-thotë këngëtarja teksa për shumë vite nuk u rikthye më në skenë.

Mes lotëve, artistja rrëfen se disa prej artistëve të regjimit të mëparshëm ishin të privilegjuar nga sistemi dhe nuk ishin artistë të vërtetë, ndërsa flet edhe për spiunime që bëheshin mes artistëve por pa dhënë emra konkretë. Këngëtarja tregon edhe për ngacmimet seksuale dhe lakmimet e udhëheqjes së asaj kohe për artiste me hire e bukuri të spikatura.

Një merak ka për Shkodrën e saj, kryeqendrën e kulturës shqiptare. Për Justina Alinë ky qytet ka humbur shumëçka dhe nuk është i mëparshmi. Nuk e kupton se si mundet që shkatërrimi të jetë kaq i organizuar dhe kjo jo vetëm në art. “Shkodrës i ka humb dera”-thotë këngëtarja, që vazhdon edhe sot të lërë gjurmë me zërin e saj.

Ajo ka edhe një mesazh jo vetëm për artin, por për të gjithë shoqërinë duke kërkuar vetëm pastërti dhe dashuri mes njëri-tjetrit, për të larguar fenomene aspak të mira që kanë kapluar vendin në këto 25 vite.

SHKARKO APP