Rrëfimi i profesorit anglez: U rrita në Shqipërinë komuniste, ku votimi ishte një ritual absurd

Nga Lea Ypi, profesor në Universitetin e Londrës

Unë nuk kam votuar kurrë në zgjedhje. Jo sepse nuk doja, por sepse nuk munda. Gjithë jetën time si i rritur, kam qenë emigrant. Kam jetuar në vende të huaja për shumë kohë për të kuptuar politikën e tyre, por asnjëherë aq sa duhet për të fituar nënshtetësi.

U rrita në Shqipërinë komuniste, një vend ku votimi ishte një ritual absurd dhe qytetarët e dinin që votimi ishte i kotë, dhe ai që dilte kundër do të ndëshkohej. Çdo katër vjet, prindërit e mi zgjoheshin në orën 4 ose 5 të mëngjesit dhe shpejtonin për te qendra e votimit, të vetëdijshëm se mosparaqitja në votime mund të konsiderohej si sabotim. Besnikëria ndaj partisë matej nga dëshira për të votuar.

Disa orë më vonë, i vetmi kanal televiziv shpalli gjithë entuziazëm rezultatin: e vetmja parti që garonte në zgjedhje kishte fituar me 100% të rezultatit. Zgjedhjet ishin si një lloj konfirmimi periodik që dëshira e njerëzve dhe ajo e partisë ishin të njëjta. Ndërsa parulla zyrtare ishte: “çdo votë është një plumb për armiqtë tanë imperialistë dhe revizionistë.”

Shpesh pyesja veten: meqë zgjedhjet ishin qartësisht një farsë, pse nuk i shfuqizonin? Ndoshta kjo ndodh sepse ato konsiderohen si një sinjal i përparimit, pavarësisht se ku jeni. Përhapja globale e të drejtës së votës ishte si heqja e skllavërisë, një nga ato ngjarje historike që mendohet të vërtetojë se harku i universit moral përulej para drejtësisë. Se premtimi që nuk përmbushet ka tendencë të injorohet. Këtu vjen analogjia me skllavërinë: asnjë komb bashkëkohor nuk mund ta rivendosë legalisht skllavërinë, edhe pse miliona jetojnë në kushte skllavopronare. Sot, çdo komb pretendon se jeton në demokraci, pa marrë parasysh se zgjedhjet janë thjesht një farsë; askush nuk do të guxonte t’i shfuqizonte ato.

Votimi është thelbësor për legjitimitetin e demokracisë. Duke zgjedhur ata që na përfaqësojnë në parlament, ne kemi një zë në ligjet që do të na qeverisin në të ardhmen. Pa këtë zë, ne thjesht i bindemi rregullave të autorizuara nga të tjerët. Larg të qenit projektues të fatit tonë, ne jemi objekt i vullnetit të të huajve.

Përshtati: Lindita Kokoli, Koha Jonë

Burimi: https://www.theguardian.com/commentisfree/2019/nov/11/stalinist-albania-voting-britain-election-migrants

 

SHKARKO APP