Rrënojat e Rilindasve dhe kullat e “pashallarëve” të rinj

Ngjashmëria e rrënojave nga sarajet e Faik Konicës në tokën e ndaluar për shqiptarët në Çamëri me rrënojat e shtëpisë së At Gjergj Fishtës në Lezhë. Shndritja e shtëpisë muze të diktatorit Enver Hoxha dhe madhështia e kullës së Berishës në Vuçidol. Kulla e Ramës dhe themelet e sarajeve të “heronjve” të rinj të Shqipërisë.

Ka pak ditë që disa deputetë të Partisë Demokratike, postuan nëpër rrjetet sociale, fotografi pranë kullës së liderit të tyre shpirtëror Sali Berisha. Njëri prej deputetëve e ka quajtur “Meka e shqiptarëve” kullën e Berishës. Nuk ka asgjë për të kritikuar në këtë pjesë, sepse ka kuriozitet për të parë se ku ka lindur e është rritur lideri i tyre dhe kjo është e natyrshme.

Por, nëse i pyesim këta ligjvënës dhe shumicën e kolegëve të tyre se a kanë vizituar më parë ndonjë kullë të ndonjë figure të ndritur të historisë së Shqipërisë, me siguri përgjigja do të jetë dëshpëruese. Aq më pak pastaj nëse iu ka shkuar ndonjë herë në mendje, atyre dhe të tjerëve drejtues të shtetit shqiptarë, të interesohen se çfarë ndodh me ato shtëpi dhe sa prej tyre janë kthyer tashmë në rrënoja.

Interesant është fakti se shtëpitë e këtyre “heronjve” të kohëve të fundit janë të restauruara dhe shteti ka kushtuar kujdes për to. Në rastin e kullës së Berishës nuk ka investuar shteti, pasi ajo është restauruar me të ardhurat e familjes, por shtëpia e Enver Hoxhës fjala vjen është restauruar me investime nga qeveria.

Nuk ka asgjë të keqe edhe pse është njeriu që i ka bërë me keq se kushdo Shqipërisë, e le të jetë aty shtëpia e tij muze. Turistët janë të interesuar se ku ka lindur “djalli i kuq” që izoloi Shqipërinë për 45 vjet. Por çështja është pse mungon e njëjta vëmendje për personalitet e rëndësishme të historisë së Shqipëri duke nisur qysh te rilindasit e deri tek personalitete të tjerë të mëdha të kombit shqiptarë, viktima të komunizimit.

Nuk është rastësi që shtëpia e At Gjergj Fishtës është rrënojë, nuk është rastësi që shtëpia e Luigj Gurakuqit është shembur fare, nuk është hiç rastësi që shtëpia e Lasgush Poradecit është kthyer në fole gjarpërinjsh e mbuluar me ferra, e ndonjë ndërtim aty rrotull për t’i zënë frymën. Nuk është hiç rastësi që kulla e Prek Calit, patriotit të madh të Kelemendit është thuajse duke u shembur. Gjithashtu nuk është rastësi që karroca e Ismail Qemalit (nga filmi “Nëntori i Dytë”) gjendet mes ferrash e hekurishtesh. Pa shkuar më tej, në fatin e shtëpive të personaliteve të tjera shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, sepse me siguri gjendja është dramatike, shumica janë zhdukur e të tjera po zhduken. Nuk i kemi, si shenja kujtese, as ndërtesat e hekurta të diktaturës komuniste, burgjet e kampet e përqëndrimit, atje ku humbën jetën mijëra shqiptarë nga terrori komunist. Janë rrënoja gati në zhdukje.

Është interesante të krahasosh sarajet e rrënuara të Faik Konicës në Çamëri, (atje ku shqiptarët nuk munden të bëjnë gjë, sepse është tokë ende e ndaluar për ta), me rrënojat e shtëpisë së Fishtës në Lezhë.

Ajo që të bie në sy është se njësoj si shtëpia e Konicës në Çamëri, po kaq mjerueshëm vijnë edhe pamjet e shtëpisë së At Gjergj Fishtës në Lezhë. Nëse shqiptarët nuk mund të shkojnë të restaurojnë shtëpinë e Faik Konicës në Çamëri, çfarë i ka ndaluar ta bëjnë këtë me shtëpinë e Fishtës në Lezhë?!

Është interesante të vësh shenjë krahasimi  gjithashtu për shtëpinë muze të De Radës që ndodhet në Itali. Padyshim që ka marrë vëmendjen që i takon. Është krejt e ndryshme me shtëpitë e firgurave të tjera kombëtare shqiptare që ndodhen në territorin shqiptar. Siç duket në fotografitë e mëposhtme, shtëpia muze e De Radës nuk krahasohet me asnjë prej shtëpive muze në Shqipëri, as me ato që janë restauruar.

Kjo është mënyra sesi ne sillemi me ndërgjegjen tonë kombëtare. Jemi gati t’i bëjmë buste e t’i thurim lavde liderëve që kemi, edhe pse ata mund të jenë duke në bërë gjëmën, dhe të lëmë në harresë vlerat tona brez pas brezi. T’i shtojmë kësaj edhe faktin e dhimbshëm, që me sa duket, ata që na drejtojnë, as e kanë idenë çfarë është historia e Shqipërisë, as çfarë janë rilindasit,  (ata të vërtetët), as e kanë idenë se çfarë përfaqësojnë këto personalitete për Shqipërinë dhe as çfarë vlere ka më pas muzeu i diktaturës komuniste. Me ç’duket ne shqiptarët kemi raport delikat me kujtesën, e kemi kthyer në traditë, nuk e duam të shkuarën cilado qoftë ajo. Kjo sjellje na bën si një vend pa të shkuar e ndaj jemi sot me shpresën e humbur për të ardhmen.

Brezat e tanishëm e ata që do të vijnë, nuk do ta kenë kurrë mundësinë të shohin shtëpinë e Luigj Gurakuqit, sepse ajo është shembur nga themelet, ata nuk do të munden kurrë ta shohin veç të dëgjojnë për sarajet e Ismail Qemalit në Vlorë ku u ngrit flamuri i Pavarësisë, nuk do të gjejnë shtëpizën e Mitrush Kutelit, me gjasë pak kohë më vonë as atë të Lasgushit.

Brezat e ardhshëm nuk do të munden të shohin ku ka jetuar At Gjergj Fishta se nuk duhet edhe shumë e kulla e tij mund të shembet. Brezat e sotëm e ata që do vijnë do të mund të shohin sarajet e reja, kullën e Edi Ramës e të Berishës, e të shumë të tjerëve që na drejtojnë sot.

Fotografitë më poshtë japin detaje të rrënimit të ndërgjegjes tonë kombëtare, përmes imazheve të shtëpive të lëna në harresë të këtyre personaliteteve që janë historia e kombit shqiptar. Fotografitë japin gjithashtu kontrastet midis kullave të liderëve të tanishëm e atyre të diktatorëve, me pamjen e shtëpive të rrënuara të ndërgjegjes tonë kombëtare.

spac

Spaçi

shtepia-e-sokolove

Shtëpia e etnomuzikologut të njohur, Ramadan Sokoli

shtepia-e-luigj-gurakuqit

Shtëpia e Luigj Gurakuqit, atje ku sot janë vetëm gërmadhat e saj

shtepia-e-lasgushit

Shtëpia e Lasgush Poradecit, mbuluar me ferra dhe ndërtesa rreth saj

shtepia-e-derades

Shtëpia muze e De Radës në Kalabri

kulla-e-djegur-e-musine-kokalarit

Kulla e djegur e Musine Kokalarit

kulla-e-edi-rames

Kulla thuajse e përfunduar e Edi Ramës në Surrel

sarajet-e-konices

Sarajet e rrënuara të Faik Konicës në Konicë të Çamërisë

DCIM126GOPRO

Shtëpia muze e diktatorit komunist Enver Hoxha

shtepia_fishtes

Shtëpia e At Gjergj Fishtës në rrënim e sipër

kulla-e-berishes

Kulla e restauruar e Berishë

karroca-e-famshme-e-isdmail-qemalit

Karroca e famshme e Ismail Qemalit mes shkurresh e hekurishtesh

kampet-e-tepelenes_

Kampi famëkeq i internimit në Tepelenë

SHKARKO APP