Rreziku që vjen nga përdorimi i pakujdesshëm i produkteve kozmetike

Nga Brunilda Myftari/ Produktet e kujdesit për lëkurën konsiderohen si pjesë e Kozmetikave. Në këtë grup bëjnë pjesë locione, vajra ose kremra me qëllim pastrues, hidratues, tonifikues, mbrojtës nga dielli, nxirës ose zbardhues. Gjithashtu këtu bëjnë pjesë edhe maskat për fytyrën, produktet antimoshë, serumet dhe eksfoliantët. Grupi i parë zakonisht mund të blihet direkt në farmaci, nëse duam një produkt me cilësi të kontrolluar, ndërsa i dyti është mirë të përdoret nën udhëzimet e një mjeku specialist. Këto produkte formulohen për tipa të ndryshëm lëkure normale, të thatë, të yndyrshme, të kombinuar apo të ndjeshme. Pra siç kuptohet tipologjitë e tyre janë të shumta. Gjatë shekullit të 20 popullariteti i tyre i zbehur disi filloi të rritej me hapa galopantë. Mosha e përdoruesve u ul. Ky fakt i bëri kompanitë më të mëdha kozmetike të ndryshojnë nga njëra-tjetra duke përdorur aroma të ndryshme, ngjyra dhe duke prodhuar paketime vezulluese. Bota e marketingut dhe reklamave bëri pjesën tjetër duke përdorur modele gjithnjë e më të reja në moshë. Shumë njerëz i përdorin produktet kozmetike dhe të kujdesit personal pa u menduar dy herë, duke besuar se qeveria mbikqyr sigurinë e tyre. Nuk është kështu. Qeveritë nuk kërkojnë studime mbi shëndetin ose prova pre/marketing për këto produkte.

Sa produkte të kujdesit personal përdoren në një ditë?

Bazuar në një vëzhgim me pyetësor që përfshiu 230 njerëz u vu re se mesatarisht një njeri përdor 9 produkte/ditë (126 përbërës). Rezultoi se 1% e meshkujve dhe 25% e femrave përdorin ≥15 produkte/ditë . Fëmijët gjithashtu përdorin të paktën 5 produkte të higjenës dhe kujdesit personal në ditë. Produktet më të përdorura si nga femrat dhe  nga meshkujt janë shampo, pastë dhëmbësh, sapun, deodorant, kondicionues për flokët, balsam për buzët, mbrojtës nga dielli, locion trupi, produkte truku, produkte rroje etj. Pra siç shihet numri është shumë i madh.

Për përgatitjen e tyre përdoren gati 10,500 përbërës të veçantë kimik. Disa prej tyre njihen si të dyshuar për efekte karcinogjene, toksike sidomos ndaj sistemit riprodhues. Megjithëse disa kompani prodhojnë produkte të sigurta, edhe “për t’u ngrënë madje”,  të tjerë zgjedhin të përdorin përbërës të rrezikshëm si formaldehidi, parabenet, ftalatet etj. Kush janë ata që merren me këto produkte? Në rastin më të mirë mjekët ose farmacistët sipas produkteve përkatëse. Specialistët e shëndetit që merren me trajtime kozmetike  duhet të plotësojnë disa kritere si të kenë njohuri mjaftueshmërisht të thella mbi subjektin, të ushtrojnë një gjykim të kujdesshëm për të arritur në një përfundim të menduar mirë, kujdes maksimal kur rekomandojnë një produkt të caktuar kozmetik.

Njësitë ku mund të gjenden këto produkte  janë të shumta si super market, dyqane, farmaci, etj. Është e domosdoshme që këto produkte të blihen me kujdes duke marrë parasysh emrin e kompanisë, origjinën e tij, listën e përbërësve. Jo çdo qytetar shqiptar mund ta bëjë këtë personalisht. Ai/ajo që mund t’i këshillojë në këtë drejtim është specialisti i shëndetit. Për cilat lëndë konsumatorët duhet të kontrollojnë etiketat e produkteve që përdorin? Le të përmendim disa lëndë kimike që janë përdorur apo përdoren edhe sot në produktet kozmetike.

Formaldehidi është shkaktar i njohur i kancerit. Formaldehidi gjithashtu dëmton trurin, interferon me rritjen e zhvillimin e fëmijëve dhe nxit astmën. Shpesh bëhet shkak për shpërthimin e reaksioneve alergjike të lëkurës. Ka lëndë konservuese, që dalëngadalë çlirojnë formaldehidin për t’i ruajtur produktet e kujdesit për lëkurën nga ndotja. Nëse ndonjëherë keni patur alergji kontakti pas përdorimit të një locioni, ka shumë mundësi që ai locion të ketë patur në përbërje një nga lëndët e mëposhtme: DMDM Hidantoin (shumë shpesh), diazolidinil urea, imidazolidinil urea, metenamina and kuaternium-15.

Mërkuri dihet se është i keq, por në disa produkte kozmetike përdoret ende për të zbardhur lëkurën. Absorbohet lehtë përmes lëkurës dhe duke e përdorur gjatë mund të shkaktojë helmim nga mërkuri. Qëndrojuni larg produkteve që përmbajnë  “kalomel”, “klorur mërkuri” ose thjesht “mërkur”.

Hidrokinoni është një tjetër zbardhues i lëkurës. Shkakton një sëmundje lëkure të quajtur okronozis, që shfaqet me lezione blu dhe të zeza, që mund të bëhen edhe të përhershme. Nga studimet në kafshë është vërejtur se ekspozimi për një kohë të gjatë mund të shkaktojë edhe tumor.

Oksibenzoni përdoret në kremrat për mbrojtjen nga dielli për të absorbuar rrezet UV. Në njerëz kjo lëndë shkakton irritim të lëkurës dhe reaksione alergjike. Studimet në kafshë kanë treguar se ai vepron si një çrregullues endokrin dhe interferon me aktivitetin hormonal.

Triklosan gjendet në shumë sapune antibakteriale dhe higjenizues duarsh. Por përdoret gjithashtu në deodorantë, pastrues lëkure dhe pasta dhëmbësh. Triklosan është një tjetër çrregullues i sistemit endokrin që dëmton tiroiden dhe hormonet riprodhuese.

Parabenet, sot në etiketa shikojmë shpesh të shkruhet “paraben-free”. Këto lëndë kanë aftësinë të imitojnë estrogjenet dhe të shkaktojnë kështu një prishje të ekuilibrit hormonal. Ndërsa sot nga studimet e kryera CDC raporton praninë e tyre në trupin e çdo amerikani. Rekomandohet të evitohet çdo produkt, që përmban parabene për të parandaluar probleme me fertilitetin apo rritje e vonuar apo çrregullime në zhvillimin e fëmijëve.

“Fragrancat” mund të njihen edhe si parfum apo aromatizues, të gjitha nënkuptojnë një përzierje të përbërësve, që kompanitë kozmetike nuk e kanë të detyrueshme t’i tregojnë publikut. 3000 ose më shumë kimikate mund të përdoren për të krijuar një fragrancë të vetme. Disa produkte të paparfumosura “Unscented” përmbajnë aromatizues të maskuar. Disa prej këtyre fragrancave lidhen me reaksionet alergjike, astmën dhe vështirësitë në frymëmarrje e disa të tjerë edhe me kancerin.

Siloksanet vetë dhe përbërës të ngjashëm të etiketuar si “methicones”, zbusin dhe e bëjnë më elastike lëkurën. Por nga ana tjetër ato gjithashtu çrregullojnë hormonet dhe interferojnë me fertilitetin dhe libidon.

Tolueni përdoret në pastruesit e thonjve dhe gjithashtu si hollues bojrash. Kërkimet tregojnë se interferon me sistemin imun human dhe mund të ketë lidhje me zhvillimin e limfomave malinje.

Fungicidet përdoren kryesisht në shampot kundër zbokthit dhe bëhen të dëmshëm kur shpëlahen e kalojnë nëpërmjet kanalizimeve dhe përfundojnë në lumenj apo dete, pra në natyrë. Studiuesit raportojnë se një fungicid si klimbazoli, vret organizmat e vegjël si algat dhe ndalon rritjen e bimëve më të mëdha dhe peshqve.

Opsioni më i mirë për kujdesin natyral për lëkurën. Megjithëse industria kozmetike është në përgjithësi e parregulluar, me pak hapa të mençur lëkura mund të mbrohet, shërohet apo rigjenerohet. Shumë produkte natyrale përfshi vajin e ullirit, kafenë apo çajin jeshil mund të trajtojnë ose parandalojnë vjetërimin e parakohshëm të lëkurës, sidomos nga ekspozimi ndaj rrezatimit UV.

Ja se ç’duhet bërë…Së pari nuk duhet blerë asnjë lloj produkti kozmetik, krem, krem me filtër, pomadë apo locion që ka njërin nga përbërësit e mësipërm. Të përdoren sa më shumë produkte natyrale apo organike gjë që reflektohet në etiketën e produktit. Kjo kërkon këshillimin me një secialist të shëndetit. Kjo mund të kushtojë pak më shumë, por në një perspektivë afatgjatë  shëndeti i konsumatorit do të përfitojë.

SHKARKO APP