Rreziqet e krahasimit të Luftës së Dytë Botërore me koronavirusin
Shprehja “për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore”, është përdorur shumë kohët e fundit. Politikanët, komentuesit dhe analistët i janë drejtuar rregullisht luftës, si një moment krahasimi për kohën dramatike në të cilën befas po jetojmë.
Para se të sëmurej vetë nga COVID-19, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson bëri referenca të tilla, kur tha se qeveria e tij ka hapa “të paprecedentë që nga Lufta e Dytë Botërore”. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka folur në të njëjtën linjë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres foli për “një ndikim ekonomik që do të sjellë një recesion, që ndoshta nuk ka paralel në të kaluarën e fundit”, duke shtuar se kjo është “kriza më sfiduese me të cilën jemi përballur që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Nuk është thjesht retorikë. Shprehja është përdorur edhe në nxjerrje të të dhënave të ndryshme ekonomike. Prodhimi industrial amerikan kohët e fundit pësoi rënien më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa të dhënat ekonomike franceze dhe gjermane për tremujorin e parë të 2020 ishin aq keq, sa që ekspertë të ndryshëm parashikuan një recesion – ose më saktë, depresion – të pakrahasueshëm që nga fundi i konfliktit më vdekjeprurës në botë, 75 vjet më parë.
Parashikimi i Deutsche Bank thoshte se rënia tremujore e PBB-së e vërejtur në dy 3-mujorët e parë të vitit “do të tejkalonte ndjeshëm çdo gjë të regjistruar më parë, të paktën që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Para mrekullisë
Por krahasimi nuk është aq i drejtpërdrejtë. Eshtë e pamundur të thuhet në këtë pikë se sa dëme ekonomike do të shkaktohen, deri në kohën kur kriza COVID-19 të jetë ndalur. Ajo po vazhdon dhe asnjë qeveri nuk mund të thotë me siguri se kur do të përfundojë.
Ne mund të shohim vetëm dëmin e bërë deri më tani dhe është pa dyshim i madh. Megjithatë, në këtë fazë, nuk duket e krahasueshme me gjendjen ku Evropa e gjeti veten, pas Luftës së Dytë Botërore.
Në librin e tij “Paslufta: Një histori e Evropës që nga viti 1945”, historiani i ndjerë Toni Judt shkruan se problemi më serioz ekonomik në Evropë pas luftës ishte mungesa e banesave. Në Gjermani (40%), Britani (30%) dhe Francë (20%), sasi të mëdha shtëpish ishin shkatërruar. Mungesa e strehimit ishte një problem i madh në të gjithë kontinentin.
Infrastruktura e transportit, si linjat hekurudhore, mjetet lëvizëse, urat, rrugët dhe kanalet gjithashtu ishin shkatërruar. Vetëm një urë përtej Rinit kish mbetur e paprekur. Ndikimi në furnizimin e mallrave thelbësorë si qymyri dhe ushqimi ishte i thellë.
Megjithatë nuk ishin të gjitha lajme të këqija. Shtatë vjet të një ekonomie të pandalshme të luftës, do të thoshin se industritë inxhinierike kishin lulëzuar, veçanërisht në vendet kryesore pjesëmarrëse. Përshtatja me kohën e paqes ishte e drejtpërdrejtë, aq më tepër duke pasur parasysh që shumë fabrika dhe mallra kishin mbetur çuditërisht të paprekura, në krahasim me dëmtimin e shtëpive.
Pas agimit
Nga viti 1945 deri në 1947, dëmi material në të gjithë Evropën u riparua me shpejtësi të jashtëzakonshme, askund më shumë se sa në Gjermani. Në kohën e vdekjes së Adolf Hitlerit, vetëm 10% e hekurudhave gjermane ishin në punë. Deri në qershor 1946, 93% po punonin përsëri dhe më shumë se 800 ura ishin rindërtuar.
Megjithatë, deri në vitin 1947 ishte e qartë se optimizmi fillestar i një rimëkëmbjeje të shpejtë ekonomike të Evropës ishte zëvendësuar nga një realizëm më i ashpër. Mungesat ishin një problem i madh, veçanërisht furnizimi me ushqime. Uria ishte një frikë e mirëfilltë.
Mbi të gjitha, moti e ndërlikoi situatën. Dimri i vitit 1946-47 ishte i pafalshëm dhe ngrica e madhe solli furtunë mbi ekonominë evropiane, një gjendje të cilën një vëzhgues i situatës së 2020 do ta kuptojë. Vetëm se në vitin 1947, ekonomia ishte tashmë thellësisht e dobësuar.
Kishte probleme të tjera. Kombet evropiane kishin shumë borxhe masive pas luftës dhe ishin shumë të varur nga importet amerikane. Megjithatë, Evropa nuk kishte asgjë për t’i shitur botës në atë kohë, që do të thotë se ishte jashtëzakonisht e vështirë të gjente dollarët e nevojshëm për të blerë mallrat e domosdoshme amerikane. Gjermania nuk kishte as një monedhë funksionuese në atë kohë.
Mungesa në gjithçka
Pesimizmi u kthye gjithnjë e më shumë në fatalizëm. Në prill të vitit 1947, Ministri Francez i Ekonomisë Andre Philip deklaroi: “Ne jemi të kërcënuar me katastrofë totale ekonomike dhe financiare”.
Hamilton Fish, një gazetar amerikan i kohës dhe me shumë ndikim, e përmblodhi kështtu gjendjen e vështirë të Evropës:
“Ka shumë pak nga gjithçka”, shkroi ai. “Shumë pak trena, tramvaje, autobusë dhe automobila për të transportuar njerëzit në kohë për të punuar, e lëre më për t’i shpënë me pushime. Shumë pak miell për të bërë bukë, dhe madje edhe jo aq sa duhet bukë për të siguruar energjitë e nevojshme për punë të vështira … shumë pak shtëpi për të jetuar xhama të pamjaftueshëm për t’i furnizuar me dritare. Pak lëkurë për këpucë, lesh për triko, gaz për gatim, pambuk për pelena, sheqer për reçel, yndyrna për të skuqur, qumësht për bebe, sapun për larje”.
Në vitin 1948, SHBA ndërhyri me Planin e famshëm Marshall, duke pompuar atë që arriti në 128 miliardë dollarë (119 miliardë euro) me paratë e sotme, për të rindërtuar ekonominë e gjunjëzuar evropiane. Një nga qëllimet kryesore të këtij Plani, ishte kthimi i ekonomisë gjermane në rolin e saj historik, si motorr i ekonomisë evropiane, veçanërisht në drejtim të prodhimit të mallrave dhe prodhimit industrial.
Në pritje të mrekullisë
Vitet 1950, dhe në një masë më të vogël vitet 1960, mbahen mend si dekada të arta ekonomike në Evropën Perëndimore, SHBA, Azinë Lindore dhe Bashkimin Sovjetik të asokohe.
Në disa vende (Gjermania Perëndimore, Franca, Japonia, Austri, Koreja e Jugut, Italia, Greqia dhe të tjera) periudhat quhen “mrekulli ekonomike”. Eshtë e rëndësishme të mbani mend se u deshën më shumë se pesë vjet që bumi i pasluftës të ndjehej me të vërtetë. Megjithatë kur erdhi, doli të ishte një nga epokat më të mëdha të zgjerimit ekonomik në historinë botërore.
Sidoqoftë, mësimi kryesor që mund të nxjerrim nga ky vështrim prapa në kohë, në pasojat ekonomike të Luftës së Dytë Botërore është se kriza aktuale, sado e rëndë që është, nuk ka të krahasuar me atë që Evropa dhe bota më e gjerë ndeshi kur u përball me rrënojat, metaforike dhe reale, të verës së vitit 1945.
Duke mbajtur këtë në mendje, ajo që ndodhi atëherë duhet të na japë të gjithëve, më shumë se një shpresë të vogël. / Deutsche Welle