Rrjetet sociale, realiteti i rremë
Nga Sibora Elezaj –
Story apo post, me filtra apo jo, mund të duket shaka por kjo është dilema e një adoleshenti në ditët e sotme. Sot jetojmë në botën virtuale, ku duam apo nuk duam ne këtë realitet nuk mund ta shmangim. Ashtu siç nuk mund t’i shmangim adoleshentët nga përdorimi i rrjeteve sociale, pasi një pjesë të mirë të kohës së tyre ata ia përkushtojnë teknologjisë. Brezi i ri po rritet paralelisht me zhvillimet teknologjike dhe parimisht është i pashmangshëm devijimi i adoleshentëve nga teknologjia dhe rrjetet sociale.
Facebook, Instagram dhe Twitter janë rrjetet më të përdorura nga adoleshentët në të gjithë botën. Sipas një studimi nga qendra Pew Research, 53% e të rinjve nga mosha 18-29 vjeç preferojnë më shumë rrjetin social Instagram, i cili në vitin 2019 numëronte 1 milardë përdorues. Rritje të dukshme të përdoruesve kanë pasur edhe Twitter dhe Linkedin. Gjithsesi, Facebook vijon të jetë rrjeti social më popullor, me përkatësisht 2375 miliardë përdorues në vitin 2019, i cili përgjithësisht përdoret nga mosha më të mëdha.
Mediat sociale janë bërë të pashmnagshme ndërkohë që adoleshentët janë bërë përdorues të rregullt duke shpenzuar me orë të tëra në navigimin në rrjetet sociale. Tashmë ato janë bërë pjesë e përditshmërisë dhe angazhimit tonë. Mirëpo, mënyra sesi i përdorin adoleshentët mediat sociale i përball ato me anët pozitive dhe negative të saj. Sigurisht që një nga anët më pozitive por edhe më e rëndësishmja është mundësia e marrjes së informacioneve të ndryshme. Mundësia e ndërthurjes së kulturave me vendet e tjera, komunikimi është shumë më i lehtë, zhvillimi i imagjinatës dhe ideve të reja, promovimeve të ndryshme, kërkimet shkencore e sociale, qasja në infromacione për interesat e tyre në kohë reale janë disa nga anët pozitive të mediave sociale. Mediat sociale po shërbejnë si kanale përmes të cilave synohet të shkëmbehen njohuri e sjellje për të ndikuar pozitivisht nga individi tek grupet shoqërore e për të kaluar në rrethin shoqëror që na rrethon.
Në fakt, përpos anëve pozitive, lë të themi që anët negative janë më mbizotëruese. Adoleshentët që i përdorin në masë të tepruar rrjetet sociale bëhen më asocial dhe zhyten në një botë virtuale. Kështu ata janë më të prirur drejt depresionit, pagjumësisë dhe anktheve të ndryshme. Duke parë postime të llojeve të ndryshme në Instagram, apo kudo qoftë në rrjetet sociale, të rinjtë shpesherë dalin nga realiteti në të cilin jetojnë pasi bëjnë krahasime me jetën dhe mundësitë e të tjerëve. Kontakti me persona të ndryshëm shpesherë bën që adoleshentët të bien pre e bullizmit. Bota virtuale është përgjegjëse për depresionin, vetëbesimin e ulët, bullizmin dhe kompleksitetet në lidhje me pamjen e jashtme, të cilat përjetohen nga shumica e adoleshentëve. Përdorimi me intensitet të lartë i mediave sociale i ekspozon adoleshentët ndaj disa sjelljeve si: ngacmimi kibernetik, ngacmimi seksual, ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme dhe diskriminimi. Njohësit e teknologjisë dhe krimeve kibernetike vazhdimisht tërheqin edhe vërejtjen për rrezikun e madh që kanë rrjetet sociale për sigurinë dhe privatësinë, sidomos të atyre personave që ekspozojnë së tepërmi të dhëna personale nëpër këto rrjete.
Anët negative të këtyre mediave janë të pafundme prandaj duhet të tregojmë kujdes me mënyrën e përdorimit të tyre. Ne i kemi dhënë shumë hapësirë rrjeteve sociale duke i kthyer ato në varësinë tonë. Varësia ndaj rrjeteve sociale duhet të jetë e menaxheshme. Teknologjia ofron shumë, por ne nuk duhet t’i ofrohemi plotësisht teknologjisë. Pra, ne duhet të shfrytëzojmë anët pozitive të teknologjisë, duke mos lejuar që teknologjia të na shfrytëzojë ne. Ka disa mënyra për tu larguar nga rrjetet sociale, si: aktivitetet sportive, natyra, takimet me grupet shoqërore, por me e rëndësishmja duke i kushtuar një vëmendje të madhe leximit të librave.