Rrjeti për Gazetarë të Sigurt në Ballkanin Perëdimor reagon për ndalimin e gazetarit Elvis Hila
Policia lokale në Lezhë ndaloi gazetarin e Report.tv Elvis Hila ndërsa po filmonte një operacion për prishjen e një ndërtimi buzë detit. Ai u lirua vetëm pas presionit që gazetarët e tjerë në vendngjarje ushtruan ndaj policisë lokale.
Në 17 Qershor, Hila po filmonte shembjen e ndërtesave nga IKMT në Shëngjin në Lezhë duke përdorur telefonin e tij. Sipas Hilës, forcat e policisë lokale dhe të IKMT-së i afron dhe i kërkojnë që të identifikohet. Pasi Hila konfirmon që është gazetar, një punonjës policie i merr telefonin nga dora duke i thënë: “Ccfarë gazetari je ti more?!”. Ai u ndalua edhe pse u identifikua si gazetar disa herë dhe njëkohësisht punonjësit e policisë i konfirmuan shefit të rendit në Policinë e Lezhës se Hila është gazetar. Ai u lirua pas presionit që gazetarët e tjerë në vendngjarje ushtruan ndaj policisë lokale.
“Qëllimi i tyre ishte të mos filmoja përplasjet mes IKMT-së, policisë dhe pronarëve të ndërtimeve pa leje. Po filmoja dhunën ndaj një gruaje të moshuar që po kundërshtonte prishjen e ndërtimit të saj”, tha Hila për Reporter.al. Edhe pse iu kthye telefoni, ai nuk mundi të filmonte dhe raportonte ngjarjen.
Blerjana Bino, kërkuese e medias për Rrjetin për Gazetarë të Sigurt në Ballkanin Perëdimor (SafeJournalists)pohon se Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka nisur hetimet dhe ka marrë dëshminë e gazetarit dhe punonjësve të policisë të pranishëm, sikurse raporton Reporter.al. Ky reagim erdhi edhe nga presioni publik i shoqatave të medias dhe gazetarëve.
“Veprimet e Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të mediave në detyrë, veçanërisht në situata të tensionuara, përfshijnë presione dhe armiqësi të hapur. Sulmi me gojë, sekuestrimi i pajisjeve, ndalimi dhe format e tjera të frikësimit po normalizohen. Ky normalizim po nxitet nga mungesa e reagimit dhe hetimet e duhura të incidenteve të tilla” – tha Blerjana Bino – “Nëse ne i lëmë pas dore, ose edhe më keq i tolerojmë dhe i konsiderojmë veprimet e tilla si ‘normale’ ato bëhen përsëritëse dhe kërcënojnë sigurinë e gazetarëve, raportimin e tyre të pavarur dhe lirinë e përgjithshme e mediave në Shqipëri” – përfundoi ajo.
Rrjeti për Gazetarë të Sigurt (SafeJournalists), që përfaqëson më shumë se 8.200 profesionistë të mediave në Ballkanin Perëndimor e dënon me forcë arrestimin e Elvis Hila dhe i bën thirrje Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave të autoriteteve të Policisë së Shtetit që të hetojnë në tërësi incidentin, të përcaktojnë përgjegjshmërinë e anëtarëve të forcave të policisë Lezhë dhe të publikojnë gjetjet e tyre. Rrjeti SafeJournalists është i shqetësuar nga raportet e armiqësisë në rritje ndaj gazetarëve nga përfaqësuesit e Policisë dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të mos pengojnë gazetarët, por të sigurojnë një mjedis të sigurt për ta. Ne mirëpresim reagimin e gazetarëve të pranishëm, të cilët qëndruan pranë kolegut të tyre Hila dhe demonstruan fuqinë e solidaritetit.