Rruga e Dibrës ose Broadway

 

Nga Konstandin Dhamo   

Ajo pjesa e Rrugës së Dibrës nga Hotel Tirana gjer te kryqëzimi me Rrugën e Barrikadave, e cila në fund të viteve gjashtëdhjetë u mbiquajt marrëzisht Broadway, më shfaqet përherë në ekranin e kujtesës si një dekor i praruar prej një drite të vagullt nostalgjie…

Por, kur ndodhem në trotuarin e saj, shoh me pikëllim se, kjo pjesë rruge e ngushtë dhe e shkurtër, nuk ka asgjë të veçantë dhe tërheqëse; ndërtesat në të dyja anët janë të rëndomta dhe, nuk përbëjnë veçse një karikaturë të përfytyrimit tim. Edhe njerëzit që sillen rrotull aty, apo që hyjnë e dalin nëpër ca restorante të lirë, që të mbysin me erërat e rënda të gatimeve, më së shumti janë nga ata që vijnë në Tiranë për të kryer ndonjë punë të ngutshme.

Po ç’bëhet?

Mapo-ja e madhe (eh ! ajo veçse e madhe mund të na dukej atëherë, edhe pse sipërfaqen nuk e kishte më tepër sesa dyqind metra katrorë) është prishur, por bodrumi i saj, dikur përplot ujëra të pista, është kthyer në një disko, që kumbon thellë, ndërsa mbi dyshemenë e betonuar trashë, parkohen ditë e natë makina luksoze…

Po ku kuptohej Broadway pa Mapo-n?

Ishte pothuaj e pamundur dhe e pakuptimtë, që të kaloje aty dhe të mos hyje një herë në Mapo. Ajo kishte dy dyer dhe, ti do të përdorje njërën për t’u futur brenda dhe tjetrën për të dalë jashtë në varësi të drejtimit të ardhjes tënde në Broadway. Sa për të blerë gjësendi, as që bëhej fjalë fare, sepse nëpër raftet e reparteve të Mapo-s, nuk kishte veçse mallra të vjetruar dhe krejt të padëshirueshëm, si të ishin skarcitete.Këmishat, pantallonat, apo edhe ndonjë kostum, ne i qepnim privatisht në disa terzinj, që punonin mbrëmjeve fshehtësisht nëpër shtëpitë e tyre, nga frika se mos i kallëzonin fqinjët ziliqarë te organizatat e masave të lagjes ku banonin.

Çudi sesi mbaheshin në këmbë NPV- të, ( Ndërmarjet e Prodhimit të Veshjeve ) përderisa edhe fshatarët kur martoheshin mëdysheshin gjatë, gjersa vendosnin përfundimisht të futeshin në një kostum nëpëvë-je qesharak e demode.

Kur furnizohej Mapo-ja me lesh akrilik, (pika leshit ) me këpucë të reja, paksa të përmirësuara në formë ( këpucët që prodhoheshin në Korçë…) orë dore, apo çorape burrash me ngjyra të çelëta, ne i merrnim vesh të parët dhe, zinm radhë menjëherë, pa i llogaritur favoret që na bënin shitëset, duke na i fshehur nën banak ato që kërkonim.

E pra, të hyrit çdo herë në Mapo, ishte kthyer në një ritual, gjatë të cilit kaloje disa minuta në sfond të mallrave industrialë, për t’u ndier një çikë më shumë qytetar,përshëndesje një e nga një shitëset, që, shkriheshin në muhabet tetë orë rresht, apo edhe i vareshe ndonjërës mbi banak, sipas lidhjeve…

 E dinim përmendsh gjithçka kishte nëpër vitrinat e Mapo-s, a thua se ato çka ekspozoheshin aty, ishin objekte të çmuara muzeale, që nuk lëvizeshin dhe nuk shiteshin. Madje, edhe çelësat e këtyre vitrinave, nuk i mbanin shitëset e Mapo-s, por ata specialistët që ishin caktuar enkas për të zbukuruar vitrinat në të gjithë Tiranën e atëhershme.

Dua atë stofin polak, që është shpalosur ja, atje në vitrinë, mund t’i drejtoheshe ti, fjala vjen shitëses së repartit të stofrave; ç’thua do të mbetej pa mend ajo, duke të gjetur fajtor, vitrinat nuk prishen, apo ti shok kërkon që të huajt që vizitojnë Shqipërinë e lulëzuar, të deklarojnë me zell se në atdheun tonë dyqanet popullore janë bosh ? Me se ta zëvendësoj unë pastaj atë stof që dashke ti medoemos ?

Kësisoj, e kush nga ne mund të harrojë ariun e bardhë polar prej alabastri ( emblemën e vërtetë të Mapos), motoçikletën e kuqe Jawa,televizorin sovjetk Record, biçikletën sportive Favorit, apo këpucët ngjyrë portokalli Bata, që kushtonin sa një rrogë e mirë pesëmbëdhjetëditëshe?

Secili prej këtyre objekteve ishte unikal dhe, kishte pakëz ngjyrë, sepse e gjithë Mapo- ja pastaj ishte një sfond i zi apo gri si i shkrumbëzuar. E pra, veçse hynin e dilnin në Mapo ( nuk keni harruar apo jo? që Mapo do të thotë ma-gazina po- pullore) dhe ngaqë e lypte kryerja tërësisht e ritualit, pyesnim herë pas here si sonambulë: a pritet të vijnë çorape bezhë, apo me kuadrate ? po terital, po polyester, apo këpucë me majë ? ( po gopi i satëme).Megjithatë, shpesh me ato që qepnim privatisht nëpër zanatçinj, bëheshim më qesharakë sesa çdo të bëheshim me veshjet standarde.

Por ne shkruanim poezi atëherë,sapo kishim filluar të botonim dhe, ishim të gëzuar dhe entuziastë, pavarësisht se na mungonin dhe na i ndalonin shumë gjëra…

Më tej ?

Rreshti i dyqaneve që vazhdonte menjëherë pas Mapo- s, gjithashtu është rrafshuar dhe, nuk është më ajo rrojtorja me gazetat e ditës mbi tryezën e mesit, me shishet e livandës dhe brisqet vetëtitës të rrojes, me letërngjitëset e mizave në tavan dhe radion e potershme të stërvjetër Philips, prej së cilës të shtunave, apo të dielave, mund të dëgjoje kronikat gjithë atmosferë të ndeshjeve të futbollit. Nuk është më, sigurisht, as pastiçeria me tortat tërë shkumë të piksur dhe aparatin e famshëm Catabriga, i mbetur që nga koha e Italisë, i cili centrifugonte dhe ngrinte kremin e akulloreve ; s’është më as peshorja publike tek ai cepi i vogël bosh mes dyqaneve, peshorja me fotografitë e artistëve, të ngjitura përpara, dhe gruaja me të zeza që rrinte në këmbë dhe nuk të thoshte sesa kilogramë rëndoje, por vetëm të merrte paratë ; nuk është më as ëmbëltorja me sheqerka dhe karamele, me bonbonet e ngjyrosura dhe farërat e pjekura ku shisnin dy vëllezërit faqekuqë, tullacë dhe të shkurtër, të cilët ngaqë edhe buzëqeshnin mirësisht tërë kohës, dukeshin sikur ishin të sheqerosur edhe vetë, s’është më as…

O, po kjo rrugë atëherë quhej Broadway dhe, ata që e pagëzuan kështu e kishin parë origjnalin e famshëm njujorkez vetëm fshehurazi nëpër filma, sepse, po të qe s’e do ta kishin shkelur vetë atje ( n’ato vite kjo as që përfytyrohej ) nuk do të ishin treguar dot kurrsesi trillanë kaq fantazistë, apo jo ? Të shohim, të shohim.

Tani në vend të të gjithë këtyre dyqaneve, është ngritur një mur gri, me blloqe, i cili rrethon gropën e stërmadhe, së cilës i mbeti emri Gropa e Sejdinit.

Pijanecët dhe kalimtarët e devotshëm nuk harrojnë asnjëherë të derdhin shurrën bregut të lartë të kësaj grope, që është kthyer në një moçalishte kutërbuese përplot ferra, llum, plehra gjithfarësoj dhe mushkonja sulmuese, teksa tabela joshëse që përshfaq Sheratonin përrallor përplot reflekse qielore, i cili do të ndërtohej me hov revolucionar aty, është shqyer padrejtësisht nga era dhe shiu…

 Por ne shëtisnim pothuaj çdo mbëmje në këtë rrugë dhe, tek lëviznim në sfond të xhamave të mëdhenj të vitrinave dhe midis njerëzve, ndiheshim qytetarë, madje na pëlqente të luanim pak edhe snobin, edhe dendin. Ato femrat që zinin vend në ballkonet mbi trotuar të shtëpive të tyre, në ballkonet me kangjella gjithë motive florale, ndiqnin xhiron poshtë si të ishin në disa lozha të rehatshme. Por, kur donin të takonin dikë, apo thjesht ta përshëndesnin, e linin ballkonin dhe mungonin aty për disa çaste. Eh, ne i njihnim të gjitha ato femrat, të cilat konsideroheshin broduejse të vërteta. Në përgjithësi iu përkisnin familjeve të mira (të mira në kuptimin që kishte kjo fjalë në vitet e diktaturës, d.m.th. familje që e përkrahnin pushtetin popullor, duke pasur në gjiri e tyre mjaft komunistë…) dhe shteti kësisoj e mbyllte njerin sy e njerin vesh, kur ato sfilonin trotuarit me një tip të ri fundi, apo çizmesh, të dërguara, sigurisht nga ndonjë ambasadë, ku punonin njerëzit e tyre të afërt…

Por kishte edhe pinjollë që u përkisnin familjeve të prekura politikisht, familjeve me prejardhje tregtarësh, apo pronarësh të mëdhenj tokash,të cilëve ua kishin hequr disa të drejta qytetare, si për shembull, arsimimin e lartë, punësimin nëpër dikastere, apo poste drejtuese dhe, në disa raste edhe të drejtën e votës.Këta të rinj të këtyre familjeve, në përgjithësi ishin më kurajozë sesa ata të familjeve të mira dhe e tepronin ca më shumë.Diktatura si të thuash, i shpërfillte dhe i kishte lënë si mënjanë. Po kështu edhe shoqëria, të paktën në vështrimin e parë.Disa nga femrat e këtyre familjeve përfaqësonin broduejset më të forta, ato e hapnin xhiron dhe, po ato e mbyllnin. Sigurisht, që ky orar i hapjes dhe i mbylljes së kësaj xhiroje, nuk ishte i afishuar mbi ndonjë fasadë ndërtese, apo mbi xhamin e ndonjë zyre, por ato e dinin instinktivisht se, kur duhej filluar ai orar dhe kur duhej të mbaronte, në varësi të ditëve, muajve apo stinëve. Të gjithë ne të paguximshmit, i admironim për veshjet dhe këngët e reja të Elvis Preslit, apo të Bitëllsave, që ata dhe miqtë e tyre, i mësonin të parët.I admironim për atë pak Europë të brishtë dhe lehtësisht të prishëshme që sillnin, por trembeshim për ta, sepse jo rrallëherë qëllonte që i internonin familjarisht një të gdhirë. Sepse e dinte shteti, një palë pantallona pak centimetra më të gjera poshtë dhe, një fund pak centimetra mbi gju, nuk ishin punë kalamajsh. Këto centimetra, qindra kilometra hapësirë drejt botës do të kërkonin…

Por vazhdonin të tjerët njëlloj; me indiferencën që tregonin ndaj turmës llafazane dhe rrezikut të përhershëm që, sidoqoftë, i krekoste, ato femra dhe djem ekstravagantë, se ç’kishin diçka meteorike, në përndritjen e tyre, kur kalonin, apo kur zhdukeshin një ditë papritur. Sepse në kësi sjelljesh të mbrapshta shteti komunist nuk kursente as familjet e shëndosha, le pastaj ato të deklasuarat..

Tashmë i kujtoj shpesh këto vajza dhe këto djem, por nuk i shoh gjëkundi. Siç duket, ishin të parët që hynë nëpër ambasada, apo hipën n’anije, më nëntëdhjetën…

Eh,ne shkruanim poezi atëherë, kishim filluar të botonim dhe, ishim të gëzuar dhe entuziastë. Shkruanim për aksionet e rinisë, për elektrifikimin dhe,për dashurinë, aq sa na lejohej, ashtu siç na lejohej.

Në gjimnaz punët i kishim keq e mos më keq, merrnim shumë mungesa dhe mësuesja e letërsisë, që s’na duronte dot, na nxirrte gjithmonë jashtë, kur fillonte ora e saj. Nëpër redaksi na këshillonin tepër seriozisht që të ruheshim nga ndikimet e letërsisë dekadente të huaj dhe nga disa shkrimtarucë vendas që qarkullonin gabimisht ende të lirë.Gjithashtu që të arrinim të shkruanim me partishmëri sa më të lartë, duhej të demaskonim pareshtur të ashtuquajturën romantikë të vagabondëve…

Kanë mbetur pa u prishur ende Hotel Vjosa që ndërkohë është restauruar plotësisht dhe ka ndërruar emër, hoteli tjetër në fund Valbona, që zihej shpesh nga sportistët e skuadrave udhëtuese, por që tani aty ka zyrat e saj një kompani e fuqishme sigurimesh dhe dyqani i ushqimeve i Çakmiaxhianëve, që ua shtetëzuan menjëherë pas çlirimit, por që çifti i plakur armen, që e lejuan të punësohej në ish pronën e tij, e harronte herë pas here këtë fakt, tek e rrëmbente pasioni i shitjes gjithë marifete të vogla tregtarësh…

Ne zinim radhë te ky dyqan që të blinim verë të mirë për natën e Vitit të Ri, por shpesh mbeteshim me gisht në gojë, e atëherë kujtoheshim t’i thoshim njeri – tjetrit : sa shumë tregtarë armenë ka pasur në Shqipëri. Ja Çakmixhianët, Avakjanët, Johanexhianët …Dhe prapë s’është gjë…

Aty ka mbetur pa u prishur edhe pallati i ashtuquajtur figurshëm me kutiçka, ( që u kritikua rëndë nga partia si ndërtesë moderniste) ku, megjithatë banonin disa artistë dhe shkrimtarë zyrtaristë, të cilëve as që iu kishte shkuar ndër mend t’i refuzonin apartamentet e bollshëm dhe të punuar me kujdes.Te kafeneja përplot dritë që u hap te ky pallat, mblidheshin rregullisht të pinin fernet më këmbë poetët ( atëherë ferneti ishte pija në mode e tyre …) dhe, më shumë pikëlloheshin sesa ngazëlleheshin.

Sakaq na ktheheshin neve, që na ftonin për të na qerasur, kur merrnin honoraret dhe na këshillonin : ngutuni pak për të botuar librin e parë ; hë ç’po bëni, keni botuar tërë ato cikle…

Dhe, në të vërtetë, me nga një tubë letre në dorë shkonim herë pas here te redaksia e gazetës “Drita “ dhe redaksia e revistës “Nëntori “, që ndodheshin te vila e rrëmbyer e Musa Jukës, ministrit të Brëndëshëm të Mbretërisë, vilë gjithë lule dhe pemë në një rrugicë ndanë Rrugës së Dibrës. Që nga shtëpia jonë mund t’i bihej shkurt për të vajtur te redaksitë, por ne, asnjëherë nuk shkonim atje pa kaluar më parë mes për mes Broadway- t ; përndryshe do të na dukej sikur do të linim një proçes teknoligjik pa kryer.

Por në anën tjetër të rrugës nuk është më as dyqani i vogël i luleve, as libraria me libraren e bukur, që ishte e detyruar t’ua ruante çdo libër të ri që dilte, miqve të saj të shumtë ; nuk janë më as të dyja birraritë njera pas tjetrës, as sallameria, e vetmja në atë kohë në të gjithë Tiranën, as dyqani ku riparoheshin këpucët e mjera (i keni harruar fjalët psidhje, pafta, mastiç apo bidevi ?) as ai ku priteshin rripat e orëve, as qebabtorja me piper të kuq, ku piqeshin bërxholla dhe qofte me mish të vërtetë dhe, ku pihej me krikëll birrë majë fuçive prej druri, nuk është më as libraria tjetër te qoshja, që u quajt Flora, sipas disa rrëfenjave të ujdisura në Institutin e Studimeve Marksiste – Leniniste dhe ku, gjersa u mbyll, u shitën veçse veprat e Enverit…

Por nuk janë më as ato pellgjet e përherëshme e të kaltër si sy të mirë, në hyrjen e rrugicës që të çonte te kinema 17 Nëntori, të cilët ulnin poshtë retë me përskuqje të largët perëndimi…

Sado kalimtarë të kish Broadway, merrej vesh menjëherë kur mbaronte ndonjë seancë filmi, sepse nga rrugica vërshonte një trumë e madhe njerëzish të frymëzuar, që meditonin gjithë zjarrmi. Atëherë kinemaja, kinemaja me ekran të gjerë dhe me ngjyra, të cilat i mungonin aq shumë jetës, kishte një ndikim të tepruar te frekuentuesit e saj. Kur u luajt filmi Ursus, Tirana u mbush përplot me ursusë; kur u luajt Tre Mosketjerët, u mbush me ca biçim mosketjerësh dhe kur u luajt filmi Helena e Trojës, u mbush me helena aq as edhe romet i zverdhën flokët…

Por ne nguteshim të shihnim filmat e verizmit italian që i konsideronim leksinone të vyera dhe, që për fat të mirë, pas çlirimit nga kinemaja sovjetike shfaqeshin vazhdimisht në të gjithë Shqipërinë…

Eh, ne shkruanim poezi, sapo kishim filluar edhe të botonim dhe një ditë,një ditë të ndritshme me diell përmallues vjeshte, na dhanë edhe honorarin e parë, ndonëse sipas një rregulli( jo një ligji) nxënësit nuk paguheshin.E morëm gjithë kënaqësi, lamë me një gjest kavalaresk edhe bakshishin tradicional, aq të luftuar formalisht nëpër parrulla dhe, përmes ngazëllimit kuptuam se, ndërkohë kishim bërë një hap të sigurt.

Takuam miqtë tanë të përhershëm dhe u thamë me padurim : pini ç’të doni nga ne, sot morëm honorarin e parë…

Ishim te lokali poshtë pallatit me kutiçka dhe, njeri nga miqtë tanë,që ne e thërrisnim me nofkën student i përjetshëm, filloi të na recitojë gati përvajshëm vargje të Eseninit :

        Ike mike dhe s’e vrare mendjen

        Kë le pas të vuajë i pashpresë…

Ndërkohë e pinte fernetin si të ishte lëngu më jetëdhënës në botë dhe shkrehej : si ta lë unë,or’ miq, Qytetin Studenti, si ta lë ! Si t’i lë dritaret me ato fytyrat e vajzave, që hynë e dalin rastësisht ; ja më thoni ! Po drurët tutje, ku humbim netëve dhe bëjmë dashuri mes aromës së pyllit? Hë flisni, mos më flini gjumë Këta të dy djemtë janë tiranas e, megjithatë, vijnë e na shoqërojnë me qejf të madh gjer lart te konviktet. Po rrugët e Tiranës si t’i lë ? Po Broadway-n me ato femrat që më çmendin fare ? Tetë vjet do ta bëj fakultetin, tetë vjet ! S’kthehem më në provincë; keni për të parë…

Studenti i përjetshëm, që rrotullonte gotën e fernetit nëpër duar për ta mbushur me reflekse në kundërdritë, na porositi: më kujtoni, kur të dalim që këtej, të shkoj te Mapo- ja përballë, sepse dua të shihem pak te ato pasqyrat e kristalit. Të tregojnë të bukur ato ! Pa le kujt pasaniku ia kanë rrëmbyer. Ah, si ike mike dhe s’e vrave mendjen…

Ky ishte Broadway tiranas…

Po, përse vallë xhiroja bëhej pikërisht në këtë rrugë dhe jo, fjala vjen në Bulevardin e Madh, tek i cili u kthye vite më vonë më me vështirësi se çdo të kthehej shtrati i një lumi ?

Dikur prapa kësaj rruge ndodhej Pazari i Vjetër që gumëzhinte tërë ditën nga blerësit, por e rrafshoi Hrushovi, kur vuri gurin e parë të themelit të Pallatit të Kulturës, pallat që u përfol aq shumë dhe që, pas prishjes të miqësisë me Bashkimin Sovjetik, u ngeli në dorë shqiptarëve ta ndërtonin me forcat e veta…

Edhe vetë dyqanet e Rrugës së Dibrës, ishin ndërtuar para Luftës dhe, ajo gjithashtu kishte qenë përherë një qendër e zhurmshme tregtare.Në dyshemetë e padëmtuara të këtyre dyqaneve, në dyshemetë e shtruara me pllaka italiane, që të bënin shumë përshtypje pikërisht tani që i krahasoje me pllakat prej çimentoje veçse gri të socializmit, mund ta lexoje ende emrin e parë që ua kishin vënë pronarët e tyre të vërtetë..Kështu në hyrjen e një qebaptoreje, mund të lexoje te këmbët e tua Odeon ! Po, po Odeon. Ndonëse aty të mbyste tymi i skarës, ku piqej mish.Kushedi çfarë fantazie do të ketë pasur i ziu pronar i parë të cilin, me siguri do ta kenë hedhur jashtë me shqelma pas bythe…

Veç kësaj Broadway ndodhej në mes të qytetit dhe, doje apo nuk doje, do të të qëllonte të kishe një punë aty. Asnjë rrugë tjetër e Tiranës, me përjashtim të Pazarit të Ri, nuk kishte kaq shumë dyqane pranë e pranë sa Broadway.

Por a thua është kjo arsyeja e vërtetë që xhiroja bëhej në këtë rrugë? Jo, jo, këto gjëra asnjëherë nuk dihen krejt saktësisht, por të gjykuarit të zbavit dhe ta shton intrigën

Dikush madje, mund të kundërshtojë, mund të thotë se xhiroja nuk bëhej vetëm te Broadway, se ajo vinte rrotull e rrotull, gjersa përfundonte përsëri aty. Po xhiroja, të themi, niste te Vjosa, përhumbte gjithë takime dhe hyrje – dalje nëpër dyqane te Broadway, pastaj te kryqëzimi i parë, kthehej kah Rruga e Barrikadave dhe te Zingoni ( zingoni vesh gjithë botën, lexohej deri vonë mbi fasadën e dyqanit ), kthehej për nga Pallati i Kulturës, përshkonte Bibliotekën Kombëtare, pastaj, përsëri pas një kthese kolonadën e mbushur me parulla, Operan dhe derdhej përsëri te Vjosa…

Këtë rreth përshkonte xhiroja vërtet, por Broadway ishte pa dyshim tribuna e saj.Shqiptarët dilnin në xhiro për të shkelur pak asfalt, për të parë dyqanet dhe njeri – tjetrin dhe për t’u ndier të shumtë në numur.Për të gjitha kishin nevojë, kishin jetuar përherë nëpër fshatra, apo në qyteza gjysmëfshatra dhe, tashmë kishin etje të madhe të xhironin ndën dritat e një qyteti të vërtetë.Kishin nevojë të qytetëzoheshin. Dhe, vinin rrotull Broadway –t pa u ngopur dot asnjëherë. Po a nuk i vihet rrotull kështu edhe një tempulli? Një rrugë e madhe e gjërë dhe luksoze, nuk do të na ndihmonte dot atëherë për çka kishim nevojë. Do të druheshim ta pranonim…

Tani, në trotuarin e kësaj rruge,zhgënjehem. Çdo ndërtesë të saj, që ka mbetur ende pa u prishur, mund ta prishësh dhe, asnjë shoqatë nuk do të kundështojë. Sepse ato nuk përfaqësojnë asnjë vlerë të veçantë arkitekturore,apo historike, të asaj historie zyrtare që te ne ndryshon, hartohet e përpilohet herë pas here nga e para, sipas tekave politike. E pra, guidat e Tiranës, të Tiranës otomane, të Tiranës italiane, sovjetike, apo kineze, nuk paraqesin asnjë foto të kësaj rruge. Megjithatë, ky fakt nuk përbën asnjë shqetësim, përderisa kjo rrugë është në të gjithë guidat letrare, e evokuar papërmbajtshëm nga lirizmi i nostalgjisë, që e kthen magjishëm në një dekor të mrekullueshëm…

Sa e bukur ishte në këtë rrugë drita e pjerrët e pasditeve të hershme të vjeshtës, sa me frymëzim i ndillje kujtimet ! Ah; ne shkruanim vjersha atëherë dhe, sapo kishim filluar të botonim ja, ashtu gjysmë të lirë dhe gjysmë të ndaluar, ndërsa bota këndonte Rock’n Roll…

 

 

 

 

 

SHKARKO APP