Rruga e Lumit të Vlorës, një ëndërr që po bëhet realitet

Prof. Dr. Ago Nezha

Kur udhëton në krahinën e Lumit të Vlorës, të shpalosen si fletët e një albumi kolor, shumë fshatra me identitet, histori, kujtime e mbresa që të shoqërojnë tërë jetën. Aty, shushurimat e gjetheve të drurëve, zhurmat e gurëve, gurgullimat e ujërave të kristalta dhe ajri balsam,krijojnë një simfoni natyrore që relakson çdo kalimtar, apo vizitor vendas dhe të huaj. Natyra shkëmbore e kreshtave të maleve, i ka bërë ata banorë të jenë të paepur para çdo rrokullime të jetës. E pse mos ta themi me zë të lartë se është një nga krahinat më heroike të vendit tonë, që ka një kontribut të veçantë në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror. Lumenj gjaku janë derdhur nga kjo zonë që s’kanë të krahasuar me asnjë vend tjetër në historinë tonë kombëtare. Jo më kot Akademiku kosovar Profesor Rexhep Qosja, ka deklaruar në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, se: “Vlora është qyteti në të cilin është bërë dhe është ribërë  Shqipëria”.Kjo heroikë dhe kjo bukuri natyrore është shpërfillur nga cirku i pushteteve të majtë e të djathtë, që kanë bërë vetëm premtime, por s’ka pasur kurrë realizime, në vitet e demokracisë.

Krahina e Lumit të Vlorës, ka qenë e braktisur dhe e harruar nga pushteti për 27 vjet, duke abuzuar me patriotizmin, besnikërinë, bujarinë dhe krenarinë  tradicionale-Labe. Kanë munguar ekstremisht, përkujdesja e pushtetit duke e kthyer në xhungël për mungesë të  investimeve infrastrukturore, ato ekonomike e kulturore. Kjo krahinë me resurse natyrore dhe nën tokësore të pasura, si  vend burimet e naftës, blegtorinë,bujqësinë e pemëtarinë, është braktisur dhe ka humbur vitalitetin dhe energjitë njerëzore aktive. Varfëria ekonomike, mungesa e infrastrukturës për ti çuar prodhimet bujqësore e blegtorale në treg, si dhe mungesa e asistencës mjekësore, arsimimit,kulturës dhe punësimit, ka bërë që të braktisen fshatrat dhe popullata të migroi në qytete të ndryshme të vendit, dhe kryesisht rinia, që është dhe forca më aktive të marrë arratinë rrugëve të mërgimit në Europë dhe vende të ndryshme të botës.  Kjo situatë ka ardhur si rezultat i një qëndrimi denigrues ndaj një popullsie prej më shumë se 50 milion që shtrihet në gjerdanin e fshatrave të Lumit të Vlorës. Aty, mungojnë institucionet më të nevojshme si ato shëndetësore, arsimore dhe kulturore. Një mrekulli e natyrës që është zëvendësuar me një shkretëtirë njerëzore, me vullnetin e pushtetit. Këto ditë Parlamenti Shqiptar ratifikoi disa marrëveshje me investitor të huaj dhe vendas për riabilitimin e të gjithë akseve të rrugës së Lumit të Vlorës. Kjo rrugë do shtrijë arteriet e saj vertikalisht drejt Himarës për të dalë në det, që e bën më atraktive për gjallërimin e turizmit malor dhe bregdetar. Lidhja e zonës së malësisë së Vlorës me krahinën e Himarës, është një risi që evokon të kaluarën e tyre kur Himara Kryeqendra e Labërisë, ( që sot me paturpësinë më të madhe tentohet ta quajnë minoritet grek disa rryma mercenare të brendshme të lidhur me qarqe shoviniste greke ) kishte nën juridiksionin e saj 52 fshatra të Labërisë, përfshirë këtu dhe fshatrat e Lumit të Vlorës.

 Kjo zonë ka një trashëgimi kulturore të admirueshme, duke filluar nga Qyteti antik i Plloçës ” Amantia”, që daton në shekullin e V-të Para Krishtit, monumentet e shumta të kulturës,  si “Shpella prehistorike e Velçës”,  “Ura e Bratit”, “Guri me Qiell i Vranishtit” “Shpella e shkruar e Lepenicës”, Buronjat e Kuçit etj, që shoqërohen nga një peizazh natyror befasues. Këto pasuri të rralla, me një larmi historiko-kulturore dhe arkitektonike e gërshetuar me burimet natyrore të zonës, janë një privilegj dhe mundësi për të zhvilluar turizmin kulturor, familjar,  malor  si dhe agroturizmin.     Krahina e Lumit të Vlorës, ka resurse të fjetura, që me ndihmën e qeverisë Rama dhe me përvojën e banorëve të trashëguar në vite do mund të aktivizohen e vitalizohen në të mirën e komunitetit. Kjo prapambetje cinike e pushtetit ka filluar të ndryshojë me vëmendjen që ka treguar dhe po tregon kryeministri Rama, që premtimet i bën realitet siç është rasti i fillimit të ndërtimit të rrugës së Lumit të Vlorës. Jeta po vërteton se Kryeministri Rama, ndryshe nga paraardhësit e tij: “premton ato që bën dhe bën ato që premton”. Kjo vepër ishte një ëndërr e mbetur në sirtar në vite, ku qeveritë që vinin në pushtet, gjatë fushatës elektorale, premtonin dhe harronin ta realizonin. Qëndrime të tilla paradë, kanë bërë që banorët e kësaj zone të humbasin besimin te qeveria dhe të bien në pesimizëm dhe mos besim në premtimet elektorale. Realiteti i sotëm, ka ngjallur optimizëm dhe shpresë për tu rikthyer një pjesë e banorëve të këtyre fshatrave, për të aktivizuar ekonominë e tyre familjare. Me këtë vëmendje që po tregon qeveria për fshatin, është shpresëndjellëse se do gjallërohet dhe rritet standardi i jetesës të banorëve nëpërmjet zhvillimit të dy shtyllave kryesore të ekonomisë fshatare: “ Bujqësi-blegtori dhe agroturizmit dhe turizmit familjar”, dy degë këto komplementare me njëra tjetrën. Është detyrë e qeverisë Rama, ndryshe nga qeveritë e mëparshme, që tu ngjallim shpresën dhe tu krijojmë kushte të favorshme zonave rurale, që ato të krijojnë besimin se fshati është një vend ku mund të prodhohet e jetohet me dinjitet të lartë njerëzor. Rritja e vëmendjes ndaj zonave rurale është një detyrë imediate e qeverisë Rama, për të bërë realitet divizën: se nuk mund të ketë Shqipëri të përparuar me fshat të prapambetur, ose Shqipëri të pasur me fshat të varfër.

SHKARKO APP