“Rrugët” e Mevlan Shanajt

Nga Skifteri Këlliçi/  Nuk është fjala për ndonjë dokument të gjetur në raftet e pluhurosura të kadastrave, që të dëshmojë se filan rrugë, në filan qytet, është ngritur mbi tokat e familjes Shanaj dhe si pasojë  kjo, ose ajo rrugë, i takon sot aktorit dhe regjisorit të njohur, Mevlan Shanaj. Nuk është gjithashtu, fjala as për ndonjë rrugë që mban emrin e tij, gjë që edhe mund të ndodhë një të ardhme të afërt a të largët në prefekturën ku është lindur.

 Është fjala për një film dokumentar, ku ai është skenarist, regjisor dhe i vetmi aktor, film që, falë internetit, ka ngjallur kureshtje jo vetëm në Shqipëri, por edhe kudo në botë, ku ka shqiptarë.

 Arsyeja është e thjeshtë. “Rrugët ”e Mevln Shanajt, përbëjnë  një hapësirë e ngushtë dhe e gjatë disadegëshe që ende nuk kanë fund, sepse nuk kanë kryqëzim dhe nuk dihet kur do të kenë një horizont të përndritur, që e presin me dëshirë dhe ankth shqiptarët.

 Filmi “Rrugët” i Mevlan Shanajt mund të quhej edhe “Rrugët tona” ose më saktë, “Rrugët tona që kërkojnë diell”, duke perifrazuar kështu, për ironi të fatit, titullin metaforik të filmit “Rrugicat që kërkonin diell”, ku Mevlani interpreton një nga rolet kryesore. Me të vetmin ndryshim se folja “kërkoj” është në kohën e tashme, pra këto rrugë kërkojnë sot diell.

 Nuk di as vetë se përse, por ja, befas vendosa që përshtypjet e mia për këtë film dokumentar t’ia përcjell Mevlanit  në formën e letrës së mëposhtme, që nëpërmjet saj, t’i drejtohet dhe vetë lexuesve, të cilëve u uroj ta kenë parë këtë film dhe të ndajnë me mua edhe përshtypjet e mëposhtme për të:

 Kështu pra, i dashur Mevlan, të përgëzoj për këtë film, që për më shumë se një orë më mbajti të mbërthyer pranë ekranit në dhomën e ndenjes, këtu në Kuinci, qytet pranë Bostonit, në Amerikën e largët. Më mbajti të mbërthyer për mesazhin e madh dhe tronditës që i dërgon çdo shqiptari, veçanërisht shqiptarëve që jetojnë në atdheun tonë dhe përjetojnë nga afër dramat e mëdha që ata kalojnë edhe pas 25 vjetësh të rrëzimit të regjimit të egër komunist.

Kur shihja filmin, m’u kujtove, atë paradite shkurti të vitit 1970, kur në kinematë e Tiranës dhe të tërë Shqipërisë shfaqej filmi “I teti në Bronx”, ku ti aq bukur dhe aq bindshëm luaje rolin e komisarit. M’u kujtove kur të pashë ulur me shokë në një tryezë të kafe “Tiranës”, atëherë lokali më i njohur në Tiranë, kur miqtë e tu të uronin për atë rol..

 Një vit më pas ne u bëmë kolegë, ti regjisor i emisioneve artiske dhe pastaj i sa e sa dokumentarëve dhe unë gazetar i emisioneve letrare dhe komentator sportiv në TVSH dhe shkrimtar. Pastaj ti edhe regjisor i shumë dokumentarëve televizivë dhe, mbi të gjitha, aktor i filmave të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Dhe ja që nga ajo ditë kur ti nise këtë rrugëtim të gjatë, vijmë te filmi yt i fundit, një dokumentar prej një ore që ngërthen çuditërisht edhe historinë e Shqipërisë që nga viti 1944, deri në çastet që kalojmë.

Një film me gjerësi kaq të madhe kohore, shumë i vështirë për t’u realizuar, por që ngjarjet e të cilit ti me shumë mençuri, ke ditur t’i përcjellësh në ekranin e vogël.

Dhe vetëm nëpërmjet një figure, vetes tënde, që rrëfen duke u hedhur sa në një rrugë, në një rrugë tjetër të Tiranës, ku ti ke kaluar vite të jetës tende. Je ti që takon njerëz, që bashkëbisedon me ta, që nga një grua së cilës jeta nuk i ka ecur mbarë dhe kam mbetur fillikat, pastaj njerëz të tjerë që krahas qenve që ngrihen me natë nëpër këto rrugë, për të fituar bukën e gojës, ashtu si nëpër rrugët e Tiranës së fillimi të shekullit që lamë, për të kaluar nëpër rrugë e sheshe të tjera, nga sheshi “Skënderbej”, deri në fund të bulevardit, ku ngrihet hotel “Dajti”, tashmë një ngrehinë që dergjet si i sëmuri në grahmat e fundit dhe në sy të… pushtetarëve, pastaj të pallatit të Kryeministrisë, e përballë saj të ish- Komitetit të nëmur Qendror të Partisë Komuniste, në të cilat u përcaktua fati tragjik i popullit shqiptar.

 Dhe më tutje një ngrehinë tjetër, ajo e Akademisë së Arteve, ku ti si shumë artistë të tjerë ke kaluar vite të studimeve të larta , me të cilët të shohim të takohesh dhe të bisedosh, me të cilët pastaj, si aktor a regjisor, ke bërë edhe filma që i kërkonte ajo kohë e zymtë, anë të së cilës ti i paraqet me aq realizëm në këtë dokumentar.

Dhe të mendosh se  sikur atëherë ta kishe përgatitur atë fshehtas, do të ishe ndodhur për vite e vite prapa hekurave të burgjeve, a telave me gjemba të kampeve të internimit. Kjo është të paktën sot një nga përparësitë dhe mundësitë që u ka dhënë njerëzve demokracia, ende e brishtë paskomuniste, fragmente të së cilës ti trajton në këtë dokumentar.

Të shoh në kuadrot e filmit tek kalon në rrugën “Hoxha Tahsin” dhe më zë trishtim kur ti rrëfen edhe për atë godinë të hijshme, që ngrihet në krye të kësaj rruge, ku vite më parë atje ndodheshin zyrat e një firme piramidore, ku njerëz hallexhinj humbën paratë, madje dhe shtëpitë, si në firma të tjera, ngjarje, të cilat sollën si pasojë revoltat popullore të pranverës së vitit 1997 që sollën edhe shembjen e shtetit dhe, mbi të gjitha, të më shumë se 2000 të vrarëve dhe të plagosurve të pafajshëm.

 Janë ngjarje që i kemi përjetuar dhe që na ringjallen nga pamjet arkivore që ti ke arritur t’i përzgjedhësh dhe t’i japësh në filmin tënd.

   …Viti 1944, tribuna para bulevardit, kësaj rruge të gjerë  ku diktatori Enver Hoxha premtoi se do ta shpinte Shqipërinë në rrugën e pafundme të lumturisë, por që në mënyrë figurative nuk arriti më larg se fundi i saj, ku u ishin ngritur zyrat e komandës së ushtrisë fashiste e pastaj të komandës së ushtrisë së ashtuquajtur popullore, që si Sigurimi i Shtetit ishte armë e diktaturës së proletariatit, domethënë për shtypjen e popullit.

 Pastaj në ekran shohim pamje të ditës kur më 11 janar të vitit 1946, mu para sheshit, ku ngrihet sot Akademia e Arteve, Enver Hoxha shpallte Shqipërinë republikë popullore, që kurrë nuk u bë e tillë.

Filmi yt, i dashur Mevlan, ka gjetje të tilla pikërisht edhe falë ndërthurjes së pamjeve të së sotmes me të djeshmen, qoftë edhe me të djeshmen paskomuniste, pra të viteve të 1990, pamje që bëhen dhe më të afërta gjithnjë nga prania jote fizike dhe shpirtërore, sepse nga tiparet e fytyrës tënde, më shumë të trishtuar se të qeshur, ne kuptojmë se ti përcjell te teleshikuesi atë ndjenjë që na bashkon ne të tërë:

  “Kur këto rrugë do të na shpien aty ku prej kaq kohësh kemi hedhur vështrimin?..

  Sepse ëndrrat e një djaloshi që si ti, që, siç tregohet në film, erdhi në Tiranë në Teknikumin Mjekësor, për të kaluar pastaj në bankat e një shkolle të lartë artistike, për t’u bërë krijues, të derdhura kështu në një autobiografi kinematografike, janë dhe ëndrrat e sa e sa brezave që u rritën në periudhën komuniste me dëshirën që ta shohin edhe ata Shqipërinë në ato rrugë që ende nuk kemi përshkuar.

 Kështu në këtë film secili prej nesh sheh edhe një copëz nga jeta e tij. Ndryshojnë vetëm emrat e rrugëve ku ti ke jetuar… Pra, rrugët dhe sheshet nuk quhen “Hoxha Tahsin”, rruga e Dibrës, sheshi “Avni Rustemi”,  bulevardi “Dëshmorët e Kombit”….Nuk është as Akademia e Arteve, por ndonjë shkollë tjetër, qoftë edhe e mesme, sepse edhe ata që kanë mbaruar vetëm shkolla të tilla dhe punojnë ku mundin, kanë kaluar në rrugë që ngërthejnë ngjarje të përafërta me të tuat, Mevlan.

 Dikush që pa dhe pëlqeu dokumentarin tënd, më tha:

 “Po në Tiranë dhe Shqipëri ka edhe “rrugë” të tjera. (Në kuptimin që ka edhe pamje të kundërta që nuk i shohim në film).

 Një grimë u binda. Por shpejt m’u kujtua një frazë që nuk mbaj mend se në cilën gazetë e kam lexuar ditët e fundit:

 “5 për qind e shqiptarëve zotërojnë 95 për qind të pasurive kombëtare”.

  M’u kujtua se këtë shprehje pati përdorur edhe Hrushovi në Kongresin e 20-të PK të BS më 1956, kur kritikonte kështu shoqërinë kapitaliste.

  Uroj që në Shqipërinë tonë të shtrenjtë, paskomuniste dhe demokratike këto shifra të mos jenë plotësisht të vërteta. Po një pjesë e saj, mjerisht, e tillë është. Këtë e shohim ne filmin tënd, Mevlan, që u kushtohet atyre që kanë… vetëm 5 për qind të pasurive kombëtare dhe që janë plot 95 për qind, pra, populli, i cili vazhdon të ecë nëpër rrugën që aq me realizëm dhe art rrëfen ti në dokumentarin tënd dhe që nuk dihet se sa do të na shpjerë aty ku kemi aq dëshirë.

SHKARKO APP