Rrugorët “mbysin” me gjoba shoferët në Tiranë! Vetëm në 1 javë: 2450 gjoba, 23 arreste, 90 pezullime patente

Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle gjatë gjithë javës në bazë të ndjekjes dhe zbatimit të detyrimeve të planit të veprimit për mjetet me xhamat e portave të para të errësuar, sistemet shtesë pamore dhe zanore, si dhe patrullimet me përzgjedhje gjatë fundjavës, për parandalimin, konstatimin dhe verifikimin e shkeljeve dhe shumë shkeljeve të tjera.

Sipas njoftimit gjatë javës, janë arrestuar në kushtet e flagrancës 23 shtetas, nga të cilët 9 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 11 të pa pajisur me leje drejtimi si dhe 3 drejtues mjeti për veprën penale “korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjithashtu, janë pezulluar 90 leje drejtimi, nga të cilat 38 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 34 për shpejtësi mbi normat e lejuara, si dhe 18 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, janë proceduar administrativisht 25 drejtues mjetesh, për mosrregullim shpejtësie dhe gara me shpejtësi, janë proceduar administrativisht 102 drejtues mjetesh për xhamat e portave të para të errësuar dhe janë proceduar administrativisht 3 drejtues mjetesh për posedim të sistemeve shtese pamore dhe zanore.

Policia bëri me dije se janë proceduar administrativisht 325 drejtues mjetesh për përdorim të aparatit celular, gjatë drejtimit të mjetit,  janë proceduar administrativisht 190 drejtues motomjetesh, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse, janë proceduar administrativisht 45 drejtues mjetesh, për mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve si dhe janë vendosur 2450 masa administrative, për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

SHKARKO APP