Sa kohë duhet të prisni që të lidheni përsëri pas një ndarje

Të vendosësh se kur duhet të nisësh përsëri një lidhje pas ndarjes është gjithmonë e vështirë.

Por nisja e një lidhje dhe shërimi nga një ndarje janë shumë subjektive dhe varen nga përvoja personale. Kështu që nuk ka asnjë formulë apo rregull për të përcaktuar saktësisht se kur është koha e përshtatshme për të nisur një marrëdhënie të re.

Megjithatë, ka disa udhëzime që të gjithë mund t’i përdorin për të kuptuar se çfarë është më e mira për ta.

Susan Winter, një eksperte për marrëdhëniet dhe Paulette Sherman, një psikolog nga New York shpjegojnë sesi mund të kuptoni se kur jeni gati të hidheni në krahët e një personi tjetër pas ndarjes.

Winter shprehet se nuk ka një afat specifik, por secili duhet të përpiqet ti japë vetes kohën e nevojshme që i duhet për të kuptuar se çfarë ndjenje (pozitive apo negative) ka për ish-in.

“Nëse ende ndjeni dhimbje, mendoni për ish-in tuaj ose vuani nga tronditje emocionale, nuk jeni gati për një lidhje të re,”-tha ajo për INSIDER. “Koha më e mirë për të dalë në një takim është kur keni pranuar faktin se ish-i juaj është një ish për disa arsye të mira.”

Gjithashtu është e rëndësishme të ndiheni gati për të njohur një person të ri.

Nuk është e nevojshme të harroni plotësisht ish-in tuaj për të arritur këtë.

Sipas Sherman, një person i cili është gati të dalë dhe të fillojë një marrëdhënie të re, di se si të mendojë në mënyrë kritike rreth marrëdhënies që ka përfunduar.

“Ata marrin mësime nga marrëdhënia e kaluar dhe e shohin si një mundësi për t’u treguar më të zgjuar dhe ti shohin gjërat më me qartësi në të ardhmen,”-tha psikologu.

Ndërsa Winter u shpreh: “Kur jeni të emocionuar për mundësitë e reja dhe takimin e njerëzve të rinj, atëherë jeni gati.”

Ndërsa theksoi se ka një ndryshim nga të qenit i gëzuar se po dilni me një person të ri dhe ndjenja për të dalë me të tjerë vetëm sepse doni të bëni diçka për të larguar nga mendja ish-in.

“Nëse jeni reaktiv, të frikësuar, të lënduar apo mërzitur, nuk jeni  gati për të sjellë dikë të ri në jetën tuaj,”-shtoi ajo.

Edhe nëse ka kaluar shumë kohë që kur jeni ndarë mund të keni disa shenja të vazhdueshme se nuk jeni të gatshëm për të nisur lidhje të re.

“Janë disa shenja paralajmëruese si kontrolli i vazhdueshëm i rrjeteve sociale të ish-it, mosfshirja e fotove, mbajtja e objekteve që i përkasin ish-it kudo dhe fakti që ende i kërkon të ktheheni bashkë,”-tha Sherman. “Nuk jeni gati gjithashtu nëse lidheni me shpresën për të bërë xheloz ish-in.”

Sidoqoftë, koha që duhet për të kapërcyer një ndarje varet nga shumë faktorë, duke përfshirë sa kohë qëndruat në lidhje dhe sa serioze ishte marrëdhënia, sa e keqe ishte ndarja dhe se si po shkojnë gjerat.

“Shumica e njerëzve presin të paktën një muaj nëse kanë qenë në një marrëdhënie që zgjati për disa muaj,”-u shpreh psikologu. “Nëse marrëdhënia ishte e rëndësishme atëherë mund të zgjasë tre muaj ose më shumë.”

Megjithatë, nuk keni nevojë të merrni në një afat të caktuar. Për sa kohë i jepni vetes kohë të mjaftueshme për të vlerësuar në mënyrë efektive emocionet tuaja për të siguruar që nuk po dëmtoni njerëz të tjerë gjatë rrugës së rimëkëmbjes pas ndarjes, do të jeni mirë.

“Çdo ndarje është e ndryshme,” -shtoi Winter. “Disa ndarje ju lëndojnë shumë dhe të tjerat kalohen brenda disa ditësh ose javësh. Vlerësimi i së kaluarës suaj është është receta më e mirë për një të ardhme romantike të suksesshme dhe të lumtur.”

SHKARKO APP