Sa kushton një votë në Shqipëri? Një deputet shpenzon 166 mijë euro për të hyrë në Parlament
Një kandidati për deputet në Shqipëri, që nga momenti që vendos të kandidojë e deri në momentin që ulet në karrigen e deputetit, një rrugëtim i tillë do t`i kushtojë rreth 166 mijë euro mesatarisht. Në këtë përfundim arrin një studim unik në llojin e tij i kryer nga Fondacioni për Demokraci i Westminster dhe i financuar nga qeveria britanike. Në studim thuhet se, një votë në vendin tonë kushton mesatarisht 15 euro, ç’ka do të thotë se kosto totale shkon në rreth 23 milionë euro, pra 10 herë mbi kostot e deklaruara nga vetë partitë.
Për 140 deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, kjo shumë përkthehet në plot 166 mijë euro për një karrige deputeti. Këto kosto variojnë, kryesisht për nga partia. Partitë e mëdha kanë kosto më të vogla, në rreth 10 euro për vote, ndërsa partitë e vogla deri në 30-40 euro për një votë. Kosto përllogaritet mbi bazën e shpenzimeve për mitingjet, materialet e marketingut, mediat, anketimet, publikimet, transportin, konsulencën, si dhe shpenzimet administrative.
Për të dalë në një shifër sa më të saktë, janë marrë në pyetje 8 deputetë të kuvendit të Shqipërisë si dhe 4 kandidatë. Nga 4 parti të ndryshme. Sa i përket kostos së një mitingu elektoral, ato variojnë nga 1500 euro deri në 40 mijë euro. Në studim flitet edhe për koston e një kryetari bashkie për t`u zgjedhur, por ato variojnë ndjeshëm, nga rreth 10 mijë euro deri në më shumë se 300 mijë euro. /scan