Sa shumë e urreva median sot!

 Në garën e madhe për të qenë lajmi i pari apo për të marrë sa më shumë klikime harrojnë që janë qenie humane…

Nga Etleva Bragjeçi

Edhe pse gazetare në profesion, në ditë si kjo e sotmja dhe shumë të tjera si kjo (kujtoj këtu rastin e vdekjes së Adelajdës), nuk e dua median dhe as kolegët që shpesh nga urdhërat e shefave të tyre dhe herë nga ngazëllimi për të bërë tituj lajmesh “bombastikë” vërshojnë me lajme të tilla si: “Krimi i pasionit i merr jetën 21-vjeçares”; “Ata duheshin por ai e vrau”; “Plagoset me thikë gjimnazistja”; “Nënë e bir digjen në banesë” e shumë tituj të tjerë si këto që ta nisin ditën përvuajtshëm dhe s’kanë minimumin e etikës dhe dhembshurisë për ata që ikën nga kjo botë dhe as për familjet e tyre. Këta të fundit, përveçse u dhemb shpirti për humbjen e fëmijës tyre, do të ligështohen edhe më shumë kur të dëgjojnë apo lexojnë më pas “lajmet” të të gjitha llojeve!

Dhe menjëherë pas bombardimit me këto lloj lajmesh vjen një tjetër valë me demek “reagimi” në rrjetet sociale, ku një syresh shpërfaq dhembshurinë për dy të rinj që emrat ua dëgjuan për herë të parë në ditën që për njërin prej tyre ishte edhe dita e fundit ndërsa për tjetrin ende nuk dihet, ndërsa një tjetër kategori fillon me kritikat apo paragjykimet se kush e kishte fajin dhe se kush duhet të dënohet!

Jo se nuk të dhemb një ngjarje e tillë, edhe atij më të pashpirtit i vjen keq kur dëgjon ngjarje të tilla, por se kjo histeria e reagimeve në rrjetet sociale është kaq tragji-komike sa ta shpif! Është kaq e furishme kjo histeri sa hyn dhunshëm në jetën tonë dhe na bën pjesë dashje pa dashje!

Ka dhe nga ata që kërkojnë falje në emër të opinionit publik e bëjnë predikime, a thua ata nuk janë pjesë e kësaj shoqërie maskiliste, e kësaj shoqërie vrasëse që vlerat po i bjerren çdo ditë e më shumë, por flasin sikur të jetonin në një tjetër kontinent e nuk dinë ç’bëhet në këtë realitetin tonë shqiptar. Çfarë bënë ata që sot kërkojnë falje për të edukuar me mjetet dhe mënyrat që ata kanë në dorë? Çfarë bënë këta që sot hiqen si Shenjt për të ndryshuar këtë realitetet? Bënë një Asgjë të madhe!

Të mos flasim për reagimet e të të quajturave “strukurat e shtetit” që dalin si ‘koshi pas të vjelave’ i thotë populli dhe me demek dënojnë aktet kriminale, por para se ti dënojnë ato duhet ti parandalojnë!

Në një vend me më pak se 3 milionë banorë, kaq është sot Shqipëria, lajm nuk përbën ndotja e frikshme e ajrit prej nga po vdesin me qindra shqiptarë çdo vit, lajm nuk përbën konsumi i ushqimeve të pakontrolluara ku shqiptarët që nga hapja e kufijve janë kthyer në konsumatorin e të gjitha mbetjeve të botës; lajm nuk përbën rritja e taksave, energjisë dhe as rritja e çmimeve të konsumit bazë; lajm nuk përbën ikja e shumicës së të rinjve në emigracion dhe e profesionistëve më të mirë; në një vend si i yni lajm nuk përbëjnë rastet korruptive të politikanëve, gjykatësve, prokurorëve apo drejtuesve të administratës; për Shqiptarët lajm nuk përbën kur i vdes fëmija në spital sepse mjeku nuk e prek me dorë po “nuk fute dorën në xhep”.

Por ajo që është për të ardhur keq është se këto raste nuk përbëjnë lajm dhe për pasojë nuk ka as reagim. Këto ngjarje janë mëse të zakonshme për një popull të mësuar me vuajtje çdo ditë!

Ah sa shumë ka për të thënë këtu, por që nuk thuhen!  Në këtë Shqipërinë tonë të vogël e të mirë, por me njerëz shpesh jo dhe aq të mirë, lajm përbën se Kush vrau Kë apo kush vodhi sa.

Faqet e gazetave dhe portaleve hapen vetëm me lajme të kronikës së zezë që na e nxijnë ditën edhe më shumë ne që, herë prej hallit të punës e herë prej nevojës për tu informuar, i lexojmë çdo ditë. E nëse ndonjëherë fatmirësisht ndodh të mos ketë lajme të zeza (vrasje, tritol, aksidente..) na nxihet dita akoma dhe më shumë me politikë!

Politikanët i lëshojnë broçkullat nga mëngjesi në darkë dhe shqiptarët i përtypin ato broçkulla, në mos nga padija, shpesh nga pamundësia për të ngritur kryet e për të qenë Zot të vetes!

Nëse ndërron faqe, mos kujtoni se do të lexoni ndonjë lajm edukues apo informues, sepse ato lajme nuk i duan shefat e redaksive! Pse? Sepse ato lajme “nuk shesin”!

Lajmet që shesin janë skandalet seksuale,  janë “brekët e Shukriut”, janë ato që tregojnë për ndarje e bashkime çiftesh, janë emisionet ku janë fshirë dhe ato pak gazetarë që dinin të informonin me elokuencë dhe janë zëvendësuar me femra gjysmë të zhveshura që ftojnë po ato të llojit të tyre në studio, duke ua servirur kështu shqiptarëve si emisonet më të ndjekura; lajmet që shesin janë sherret në studiot televizive apo vaniteti i të ashtuquajturve “VIP” duke treguar orat e shtrenjta, markat e çantave apo silikonin që i ka shpërfytyruar!

Kjo media ndodh të jetë jo shpesh për faj të kolegëve të mi gazetarë, sesa prej “politikës redaksionale”! Nuk është për fajin e tyre sepse ata bëjnë çfarë tu thonë shefat e tyre që ndjekin këtë lloj politike! Ata shkruajnë për të marrë sa më shumë klikime dhe jo për të informuar!

Në garën e madhe për të qenë lajmi i pari apo për të marrë sa më shumë klikime harrojnë që janë qenie humane! Por kjo është puna e tyre, përndryshe po informuan si duhet ata nuk mbijetojnë!

Gazetarë të vërtetë ata s’mund të jenë, sepse fluturojnë nga vendi i punës sa hap e mbyll sytë. E nëse shefat e tyre justifikohen me togfjalëshin “këtë kërkon publiku”, unë këtë nuk e besoj! Jam nga ata që besoj se media duhet ta edukojë dhe orientojë publikun dhe jo publiku median!

Kur media degradon vetëm në luftë klikimesh pa marrë parasysh kontentin, më vjen të them që nuk e dua profesionin tim! Nuk e dua gazetarinë, sepse gazetaria e vërtetë këtu ka vdekur!

SHKARKO APP