Sadije Agolli: Kur u martova me Dritëroin

“E shtunë, vesha fustanin e bardhë; Kisha zgjedhje edhe kostumin kombëtar, por ishte mjaft i ngarkuar dhe rëndonte shumë. Unë isha 54 kg dhe benevrekët më rrinin të mëdha.

Ai ishte një kostum popullor i trashëguar, që kalonte nga një nuse te tjetra. Më përgatitën dy gra, duke më lyer fytyrën me sarikan.

Por ajo ishte tepër e fortë për lëkurën time të bardhë, me cipë të lëmuar e tejet të bardhë, lëmuar vetëm me ujin e ftohtë të çezmës. Kështu lëkura u acarua dhe u skuq vende-vende dhe vetëm me fasho prej lecke të lagura me ujë të ftohtë u kthye në gjendjen e mëparshme.

Dasmën e bëmë në oborrin e shtëpisë sonë, vilë e bukur dykatëshe, me shumë lule, me dy selvi të larta, me një portë të madhe e të rëndë druri.

Ishin ftuar tërë të afërmit; isha fëmija e parë në shtëpinë tonë të madhe me dhjetë fëmijë, 5 djem e 5 vajza, që mbarova shkollën e lartë.

Dritëroi erdhi në dasmë me të vëllain, Tajarin, dhe një kushëri nga Devolli, Njazimi.

Dritëroi ishte shumë i gëzuar, pak i trullosur e i ndrojtur, ndoshta nga respekti që tregonin njerëzit e mi, pasi po martohesha me një gazetar e shkrimtar.

*Pjesë nga ditari i Sadijes, 4 korrik 1965. Gazeta “Dita”

SHKARKO APP