Saga e jakovajve në një libër dinjitoz

Në Akademinë e Shkencave u promovua “Tuk Jakova, jeta dhe vepra”

Nga Halil Rama/Gjeneral Major Tuk Jakova, ndër personalitetet kryesore shqiptare të fillimshekullit të kaluar ishte padyshim ndër të parët që u ngrit me kurajë kundër ngrehinës totalitare. Më i plotë, profili i këtij kolosi të mendimit e veprimit progresist vjen nëpërmjet librit “TUK JAKOVA, jeta dhe vepra”, të autorit Nikollë Kola. Ky libër u promovua dje në praninë e qindra personaliteteve të shquara të letrave, në sallën e Akademisë së Shkencave, mes të cilëve edhe ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, si dhe gjenerali 98-vjeçar Rrahman Parllaku, “Hero i Popullit” dhe Nderi i Kombit. Duke folur për këtë figurë tejet të rëndësishme të viteve 40-50, që humbi jetën në rrethana të paqarta, Prof. Dr. Anna Lalaj prezantoi një vështrim kompleks, pavarësisht rreshtimit politik që ai zgjodhi. Më konkretisht z.Lalaj, si një ndër njohëset më të spikatura të Historisë së LANÇ dhe figurave qendrore të saj, solli në vëmendjen e pjesëmarrësve në këtë veprimtari promovuese, tre konstatime përcaktuese për veprën dhe dimensionin e Tuk Jakovës. Konstatimi i parë lidhet me raportin e ish- themeluesit të Lëvizjes dhe të PKSH, Tuk Jakova me sistemin. Në këtë këndvështrim, nga historiania e mirënjohur Lalaj, personaliteti i Tuk Jakovës ka një shumëllojshmëri detajesh. Ai ishte dhe mbeti idealist dhe në raport me sistemin diktatorial, ndonëse u investua shpirtërisht në këtë utopi, edhe iu kundërvu me guxim e kurajë atij  sistemi dhe diktatorit Hoxha. Konstatimi i dytë ka të bëjë me raportin e tij me të vërtetat. Tuk Jakova kritikoi hapur në të gjitha forumet udhëheqëse të kohës shtrembërimet në historiografinë komuniste. Parë nga një vështrim analitik, Prof.Dr.Lalaj konkludon se, Tuk Jakova nuk bënte lëshime në të vërtetën dhe kurrsesi nuk lejonte devijimin nga e vërteta. Konstatimi i tretë, sipas znj.Lalaj ka të bëjë me faktin e pakundërshtueshëm se rasti Jakova, bashkë me Bedri Spahiun u shdrruan në referim politik, pas kthesës së madhe në ish – Bashkimin Sovjetik të viteve ‘60-të. Dhe së fundi, duke e parë në hapësirë dhe në kohë veprën dhe jetën e këtij idealisti dhe reformisti të pashembullt, Prof. Dr. Lalaj u shpreh për komunizmin si rrënues të komunitetit katolik dhe se Tuk Jakova u dënua dhe vuajti mizorisht pikërisht pse ishte përfaqësuesi moral i këtij komuniteti. Më pas, Prof. Dr. Zaho Golemi referoi për profilin e Tuk Jakovës, si udhëheqës i formacioneve partizane. Ai tha se libri “Tuk Jakova, jeta dhe vepra” është një autopsi e plagëve të gjysëmshekulllit që shkoi dhe si i tillë, ai është një punim me vlera të spikatura për shkencën e historiografisë. Familja e njohur shkodrane Jakova pati shtatë partizanë në Luftën Antifashiste, ndër të cilët Tuku u bë komisar i Njësive më të mëdha, siç qenë Brigada dhe Divizioni i Parë, duke drejtuar mijëra luftëtarë të lirisë, përkrah komandantëve Mehmet Shehu e Dali Ndreu. Si i tillë Gjeneralmajor Tuk Jakova, Akademinë Ushtarake e kreu në zjarrin e Luftës për liri. Në tërësinë e tij, kjo vepër monumentale na jep në detaje rrugëtimin e këtij idealisti etilar që nisi nga një rrugicë e Shkodrës, deri drejtues kryesor i formacioneve të mëdha partizane. Mbështetur në një bibliografi shumë të pasur, që nga Arkivi Qendror i Shtetit, nga ky libër del fare qartë vizioni dhe largpamësia e Tuk Jakovës, i cili ngre me kurajë në Organizmat Ndërkombëtare problemin çam. Folësit në promovimin e djeshëm evidentuan gjithashtu kapitujt e librit që kanë të bëjnë me rolin e Tuk Jakovës si deputet, ministër dhe zëvendëskryeministër, por dhe me luftën politike kundër tij, që çoi në sagën e pashembullt të Jakovajve, ku padyshim ndër më të rëndat vdekja misterioze e tij në burg, në kapitullin: Likuidimet pa gjyq, metodë djallëzore e diktaturës”. Meritë për këtë botim me vlera të spikatura studimore e shkencore, përveç autorit Nikollë Loka, ka padyshim Familja  Jakova, pasi botimi u realizua me interesimin, përkujdesjen dhe financimin e saj.

SHKARKO APP