“Sakrifica” që shpëtoi Wuhanin: Gjithçka e ngrirë me urdhër nga lart

Mund të merret Kina si model i përgjigjes ndaj epidemisë? Rastet e para të polmonitit “të panjohur” në Wuhan u zbuluan në fillim të dhjetorit; dhe për disa javë autoritetet e nënvlerësuan, më pas e censuruan. Eshtë fakt që prej 23 janarit, qeveria kineze ka vënë në zbatim një eksperiment karantine që nuk është parë kurrë. Pekini ndali ekonominë dhe aktivitetet sociale të të gjithë vendit.

U mbyllën që nga dita e parë e shpalljes së emergjencës në Wuhan dhe në aeroportet e Hubeit, stacionet e trenave të shpejtësisë së lartë, fabrika, zyra, shkolla. Pjesa tjetër e Kinës pezulloi lëvizjet e brendshme. Në Kinë nuk ka patur “apel për arsyen dhe përgjegjshmërinë”, por “urdhëra” për të qëndruar brenda në shtëpi, pa dalë. Pa asnjë falje për fajet dhe vonesat, pa asnjë tolerim nga një sistem politik autoritar, masat konkrete që u morën në Kinë meritojnë të studiohen. Një shembull i vogël: në Kinë kampionati i futbollit, që sjell miliona të ardhura për futbollistët e huaj, u ngri brenda natës. Dhe të paktën për një herë, edhe kjo mungesë debati për temën, që buron prej sistemit autoritar kinez, duhet marrë si model.

Në Kinë edhe sot janë 827 mijë persona në karantinë. Kush hyn në kryeqytet duhet të plotësojë një formular me vendin nga vjen, vndin ku banon, si dhe të marrë angazhim që nuk do të dalë nga shtëpia për 14 ditë. Kjo në Pekin vlen për të huajt dhe kinezët, nuk ka dalim, sepse Kina e di mirë që kur të kalojë epidemia do të ketë sërish nevojë për sipërmarrës, teknikë, docentë të botës së globalizuar. Në Wuhan, prej më shumë se një muaji popullsia nuk mund të dalë nga shtëpia: shpenzimet për ushqime bëhen me porosi online dhe autoritetet kanë organizuar një sistem dorëzimi të porosive tek kangjellat e pallateve, për të kufizuar në maksimum kontaktet.

Nuk ka radhë dhe shpenzime të ekzagjeruara në supermarkete. Ne italianët, mes polemikave dhe mospërputhjeve po ecim drejt modelit kinez. Që ndoshta atje ku nisi gjithçka, po fillon të japë rezultate. Dje, për ditën e dytë radhaz, nuk u regjistruan raste të reja infektimi në Kinë jashtë Wuhanit: vetëm 36 të infektuar në 11 milion banorë.

Propaganda

Propaganda përhap imazhet e spitaleve të hapur posaçërisht për emergjencën, që po mbyllen: 13 nga 14 qendrat speciale nuk duhen më. I fundit do të çmontohet duke nisur nga sot. Wuhani dhe menjëherë më pas Hubei ishin mbyllur në 23 janar dhe për disa javë, çdo ditë janë numëruar mbi 300 të vdekur dhe mijëra të infektuar. Tani jo më. Duhet shpresuar që të dhënat janë të sakta, natyrisht.

Karantina për të paktën 60 milion banorë në Hubei, ndalimi i lëvizjes dhe punës për qindra milionë të tjerë, mbyllja e simboleve të krenarisë historike si Qyteti i Ndaluar, kanë patur një kosto shumë të madhe. Ka frustrim dhe zemërim: të premten në 6 mars, zëvendës kryeministrja Sun Chunlan u kontestua nga njerëzit që thërrisnin nga ballkonet: “Gënjeshtra, vetëm gënjeshtra. Autoritetet gënjejnë”. Censura urdhëroi shtypin që t’ua vinte fajin “funksionarëve lokalë të panjohur që nuk kishin menaxhuar mirë furnizimet ushqimore për njerëzit në shtëpi, siç urdhëroi qeveria”.

Xinhua ka shkruajtur një lëvdatë të gjatë për shokun president Xi Jinping “që e ka zemrën të pastër si ajo e një fëmije dhe që e vendos gjithmonë popullin në qendër të prioriteteve të tij”.

Në Wuhan u urdhërua një “fushatë mësimi për mirënjohjen ndaj qeverisë”. Tentativa për të rishkruar narrativën është e dukshme: nga e akuzuar, Kina dëshiron që të shfaqet si zonjë e situatës. Xi ngrihet në nivelin e burrështetasit që shpëtoi vendin e tij nga katastrofa shëndetësore dhe ka bërë që pjesa tjetër e botës të fitojë kohë. Tani mbetet për të vendosur nëse masat kineze kanë funksionuar, pas dështimit të fillimit.

Partia-shtet

Pekini për të frenuar epideminë e ndali krejt vendin. Për këtë Partia-Shtet ka premtuar se ekonomia do të kalonte në vdekje klinike. Si mund t’ua japësh këtë siguri miliona sipërmarrësve dhe qindra-miliona punëtorëve? E thjeshtë: Pekini nuk ka turp që të thotë se dora e shtetit do të marrë përsipër kostot e krizës dhe të rimëkëmbjes.

Edhe ne italianët mund ta kemi këtë burim: BE që nuk duhet të dremisë kur Roma kërkon 7.5 miliard Euro më shumë. Unioni me Bankën e vet Qendrore, duhet të sinjalizojë tregjet se Italia dhe vendet e tjera të prekura nga Coronavirusi do të mbështeten pa hezitim (dhe pa ato shprehjet anakronike mbi bilancet). Brukseli duhet t’u thotë tregjeve dhe qytetarëve se dora evropiane nuk do lejojë spread-in që të sulmojë Italinë ndërkohë që kjo lufton me virusin. / corriere della sera – bota.al

SHKARKO APP