Samarxhi: Kurban Bajrami, sakrificë e dimension njerëzor
Gazetari i mirënjohur Ferdinand Samarxhi i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se festa e Kurban Bajramit është një ditë e shenjtë.
Samarxhi u shpreh se kjo festë është e sakrificës, për të qenë njerëz më të mirë.
“Kjo është një festë mjaft e bukur, që na fton për sakrificë dhe për dimension njerëzor. Kjo ditë na fton për më tepër njerëzi, më tepër integritet. Kurban Bajrami është gjithashtu ditë e sublimes. Me anë të kurbanit, Zoti na jep mesazhin e sublimitetit. Kjo festë na fton që njerëzit të ecin me kohën, të sillen më mirë. Besimi i jep njeriut shpresë dhe vizion që të ecë përpara. Kryegjyshi Botëror dhe kreu i KMSH Bujar Spahiu dhanë mesazhe paqeje dhe dashurie për njeriun”, tha Samarxhi.
Ferdinand Samarxhi nënvizoi më tutje se meka është një vend i shenjtë për çdo mysliman dhe shpjegoi se përse.
“Meka është vendi i ndërtuar nga Ibrahimi. Ishte Ibrahimi me gruan dhe djalin që ndërtuan këtë vend të shenjtë. Ibrahimi iu lut Allahut dhe Allahu ia plotësoi dëshirat. Në Arafat njeriu mori bekimin e jetës. Peligrinazhi në Mekë ka mesazh që njeriu të largojë mëkatet dhe të jetë siç ka dalë nga barku i nënës, të largojë mërinë, të heqë të këqijat. Qyteti i Medinës është qyteti i mbretërve. Këtu ndodhet biblioteka më e madhe. Krijuesi do që njeriu të lartësohet në virtyte.”, tha Samarxhi.