Sandër Lleshi: Degradimi i ushtrisë së ‘79-ës, duhen 27-30 bomba atomike të asgjësohet batalioni

Argumente qesharake, komike, që tregojnë degradimin e ushtrisë ose bunkerizim të mendjes! Kështu i konsideron gjeneral Sandër Lleshi në librin e tij “Udhëheqja ushtarake, globalizmi dhe rasti i Shqipërisë”, “strategjitë” dhe “mendimin ushtarak” të kohës. Ndërsa merret me “bunkerizimin” e vendit dhe se si udhëheqësit ushtarakë të kohës e mendonin dhe e llogarisnin mbrojtjen ai jep herë shkresa, herë dokumente, e here referate drejtuesish të lartë, siç është ai i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Maliq Sadushi më 1979.
“Ne nuk kemi armë atomike, por armët atomike të armikut nuk mund të bëjnë efektin e duhur kundër njerëzve tanë, sepse ne jemi përgatitur dhe vazhdojmë të përgatitemi vazhdimisht nga ana politiko-ideologjike dhe psikologjike, për të përballuar forcën e madhe të armeve të armikut…”, thotë diku Sadushi, çka për Lleshin, (që ka studiuar gjatë për të botuar këtë libër, por edhe ka qenë vetë pjesë e ushtrisë, me detyrën e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në vitin 2013) është një farë marrëzie. Tashme keshilltar i Kryeministrit Edi Rama per sigurine dhe mbrojtjen, gjeneral Lleshi vëren se “e vetmja fuqi që mund të trajtonte një përçartje të tillë mund të ishte arti, ai moderni, komiku”, teksa ka shënuar më herët se çfarë thuhej më 1979.

PJESË NGA LIBRI I SANDËR LLESHIT
Ushtritë e vogla janë të “dënuara” që ta përfundojnë shpejt angazhimin e tyre luftarak. Ato duhet të përpiqen për të siguruar një fitore të shpejtë, ose të gjejnë një formë tjetër ballafaqimi, e cila duhet të shmangë asgjësimin e forcave të veta dhe të sigurojë vijimin e mëtejshëm të luftës. Një luftë frontale mes ushtrish të pabarabarta, pala e vogël ka tri mundësi: të fitojë shpejt, të kalojë në një formë tjetër lufte në një faze të dytë të saj, ose të martirizohet ngadalë në një përpjekje afatgjatë në front.
Supozimi, se në kushte të befasisë strategjike vendi mund të përballej me agresion në çdo kohë e nga çdo drejtim, rëndonte në mënyrë të konsiderueshme çfarëdo lloj planëzimi. Një supozim i tillë i detyronte planëzuesit ushtarakë që të ekzagjeronin planëzimin në dy drejtime. Nga njëra anë, ata detyroheshin që, për të përballuar befasinë strategjike, të vendosnin në kushte gatishmërie të lartë një numër shumë të madh kapacitetesh ushtarake. Nga ana tjetër, droja e një sulmi nga të gjitha anët detyronte një përhapje strategjike të forcave të armatosura në të gjitha anët e vendit. Të dy faktorët e mësipërm e shtonin në mënyrë të paarsyeshme dhe të pakufishme koston e mbrojtjes.
Pritja e agresionit nga çdo drejtim i çoi planëzuesit strategjikë tek ideja e përhapjes dhe e pranisë së përhershme të trupave në rajonet e mbrojtjes. Duke pritur “agresion të njëkohshëm nga të gjitha drejtimet” njësitë e forcave të armatosura ishin “përhapur” që në kohë paqeje në rajonet e tyre të mbrojtjes. Njësitë kishin zonat e tyre të përgjegjësisë, forcat, mjetet dhe bashkë me to, detyrën për të mos lëshuar asnjë “pëllëmbë tokë”. Çdo ushtarak e dinte pozicionin e tij dhe jetonte e stërvitej në të ose shumë pranë tij.
Pretendimi për të krijuar qëndrueshmëri të këtij sistemi të përhapur dhe të shtrirë në të gjithë vendin, kryesisht ndaj sulmeve me armë të dëmtimit në masë, të aviacionit, artilerisë dhe të tankeve, i çoi planëzuesit strategjikë tek ideja dhe nevoja e një fortifikimi të plotë. Fortifikimi besohej se do të ishte “Eureka” shqiptare, formula e fitores.
“Fortifikimi përfshin tërësinë e punimeve që kryhen për ndërtimin e objekteve të zjarrit dhe zonave mbrojtëse. Këtu hyjnë: përgatitja e rajoneve, i brezave dhe e zonave të mbrojtjes, bazave ushtarake detare e ajrore, ndërtimi i pozicioneve të artilerisë, i strehimeve për tanket, për teknikën luftarake, për depot e municioneve, karburanteve, të ushqimeve e të rezervave të tjera materiale, tunelizimi i spitaleve, i industrisë ushtarake e civile, i bazave riparimit të teknikës e të armatimit; ndërtimi i pikave të drejtimit, i objekteve për mbrojtjen e popullatës; punimet për ndërtimin e sistemit të pengesave jo fortifikuese e të elementeve të shpërthimeve shkëmbore, për maskim dhe për mashtrimin e armikut etj..”
Përpjekja për të zgjidhur gjithçka përmes fortifikimit, solli pasoja katastrofike jo vetëm në drejtim të rritjes se ksotos së mbrojtjes por edhe në drejtim të mendimit ushtarak, i cili përpara alternativës së vetme dhe të detyruar të betonit, nuk kishte rrugë tjetër përpos “betonizimit” të vetvetes. Arti Ushtarak i Luftës Popullore e konsideronte fortifikimin si një ndër gjetjet më të rëndësishme të Partisë së Punës.
“Për herë të parë në historinë e mendimit dhe të praktikës ushtarake botërore, Partia dhe shoku Enver Hoxha hodhën idenë dhe realizuan një detyrë të pashembullt: fortifikimin e të githë vendit!”
Në këtë pohim ka një të vërtetë të padiskutueshme. Fortifikimi ishte një program krejtësisht i paprecedent në historinë ushtarake. Aq sa ishte i paprecedent për historinë, fortifikimi ishte, po ashtu, pa asnjë të ardhme. Ashtu sikundër historia zhvillimit të natyrës kishte fosilizuar dinosaurët, po ashtu historia e zhvillimit të strategjisë dhe tekonologjisë ushtarake kishte “fosilizuar” edhe shpatat, heshtat, kështjellat dhe shumë prej veprave të mëdha të fortifikimit. Udhëheqja politike dhe ushtarake e Shqipërisë së viteve ‘70-të kishte “rizbuluar”, në epokën moderne, bunkerët e saj. Fortifikimi shqiptar i viteve ‘70-‘80 të shekullit të 20-të i ngjan një euforie antihistorike, e cila synonte që përmes “përsosjes” së relikeve të neutralizonte progresin e teknikës, të teknologjisë e të mendimit ushtarak. Kjo përpjekje, sa absurde aq dhe gjigante, u shoqërua me pasoja të pallogaritshme për Shqipërinë në tërësi dhe për forcat armatosura në veçanti.
Duke synuar fortifikimin total, sipas motos “fortifikim në bazë të nxënësisë së terrenit”, ose thënë ndryshe, ndërtimi i aq bunkerëve sa mbante toka në kuptimin taktik, iu dha një goditje fatale ekonomisë së vendit. Duke u goditur ekonomia, u goditën, për rrjedhoje, edhe të tjerat që lidhen me të, pra gjithçka. Në një farë mënyre u godit vetë objekti në ruajtje, aq sa duke shpenzuar më shumë për mbrojtjen se sa për zhvillimin e vendit, humbi kuptimin objekti në ruajtje: vetë vendi. Por, dëmi i fortifikimit nuk ishte vetëm i karakterit material.
Futja në bunker edhe e mendjes ishte pa dyshim pasoja më e fundit, por dhe më jetëgjata ndër të gjitha pasojat e paranojës strategjike të fortifikimit. Bunkerizimi i mendjes, shabllonizimi i mendimit strategjik, por edhe i mendimit në tërësi preku jo vetëm ushtrinë, por një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë shqiptare, e cila ishte e përfshirë në sistemin e mbrojtjes, si subjekt, si objekt apo në relacione të tjera. Se deri ku kishte mbërritur asketizmi intelektual dhe se deri në çfarë mase kishte shteruar edhe arsyeja kolektive, mund të përfytyrohet deri diku nga leximi i fragmentit të mëposhtëm, që është marrë nga një referat i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, i cili përdorej edhe si leksion në Shkollën e Lartë të Oficerëve:
“Ne nuk kemi armë atomike, por armët atomike të armikut nuk mund të bëjnë efektin e duhur kundër njerëzve tanë, sepse ne jemi përgatitur dhe vazhdojmë të përgatitemi vazhdimisht nga ana politiko-ideologjike dhe psikologjike, për të përballuar forcën e madhe të armëve të armikut… shantazhit atomik ne i kundërvëmë përgatitjen tonë të lartë moralo-psikologjike, vendosmërinë, guximin, shpirtin vetëmohues, përgatitjen e lartë ushtarake e speciale për t’u mbrojtur nga këto armë”.
Duket se i vetmi argument logjik brenda pasazhit të mësipërm është shpirti vetëmohues”, ose mohimi i vetes.
Megjithatë, autorët e referatit të sipërcituar, përveç argumenteve patetike, përpiqen të japin edhe argumente “shkencore”. Ja se si e kishin “zgjidhur” ata problemin e kërcënimit atomik:
“Sipas dhënave zyrtare të njohura, një bombë atomike e kalibrit (siç) 15-18 KT (bomba e parë atomike që u hodh në Hiroshimë në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte 13 KT dhe ajo që u hodh në Nagasaki 21 KT), po të shpërthejë në sipërfaqe të tokës (jo në ajër), hap një krater me sipërfaqe 1 ha tokë. Kështu që duhet një bombë e tillë atomike që të shpërthejë pikë në një garnizon skuadre me pesë QZ nga tonat (betonarme) të vendosura në një sipërfaqe prej 1 ha tokë (150x70m), atëherë mund të asgjësohet skuadra. Pra, duke u nisur nga kjo llogari, duhen rreth 27-30 bomba atomike si ajo e Hiroshimës dhe çdonjëra prej tyre të godasë pikë në qendër të çdo garnizoni skuadre për të asgjësuar një batalion këmbësorie. A është e mundshme që armiku vetëm për një bk të harxhojë të gjithë municionet atomike që i jepen psh., në dispozicion një armate për të asgjësuar vetëm një bk? Kjo na duket e pabesueshme. Ndërsa po qe se bomba atomike do të shpërthejë në ajër (në qoftë se plasja do jetë ajrore), atëherë qendrave tona të zjarrit dhe njerëzve tanë që gjenden brenda në këto QZ, ose në strehime betonarme, nuk ka ç’u bën, pra efekti dëmtues ose do të minimizohet, ose do të zhduket fare”.
Shkurtimet e këtij paragrafi:
KT = kiloton
QZ = qendër zjarri, bunker
bk = batalion këmbësorie
Çfarëdo komenti racional për një degradim të tillë të arsyes është i pamundur. E vetmja fuqi që mund të trajtonte një përçartje të tillë mund të ishte arti, ai moderni, komiku!
/GSh

SHKARKO APP