Santa Quaranta, Isadora Duncan dhe hoteli që bëhet i famshëm nga politikanët shqiptarë

Nga Luan Rama

(Publicist)

Balerina e famshme frako-amerikane Isadora Duncan, nuk e dinte se një ditë një hotel me emrin e saj, të ngritur në atë tokë të varfër por tê dashur për të, një shekulli më vonë do të përjetonte aq shumë aventura mafioze nga politikanët e Shqipërisë së “re”. L. Rama.

Fragment nga romani “Santa Quaranta” (Luan Rama)

Kur zbritën në Skelë, pasi i përshëndetën me përzëmërsi, shqiptarët i hipën një karroje dhe u larguan. Tri sarandiotë që i prisnin aty, nxituan t’i ndihmojnë për të zbritur baullet e tyre. Njëri nga ata ishte Neço, telegrafisti i qytezës, që sapo kishte filluar punën e re në ndërtesën e madhe. Kishte dy muaj që qeveria e re kishte instaluar një telegraf në këtë vënd.

– Motra ime Dora! – i prezantoi Rajmondi telegrafistin, burrin topolak e të qeshur rreth të dyzetave, por me dhëmbë të nxirë nga duhani.

Po atë ditë dy çadrat e tyre ata i ngritën lart në kodrinë, diku pranë bazilikës së vjetër Onheizmos. Pamja ishte e jashtëzakonshme në krah të asaj ngrehine, e cila dëshmonte për një qëndër të rëndësishme të Krishterimit në këto anë. Penelopa e Isadora nxirrnin nga baullet plaçkat dhe sendet e tjera, ndërkohë që Rajmondi, i ndihmuar nga dy vendas ngulte hunjtë në tokë dhe tendoste tendat që po ngriheshin. Isadoras i kishte pëlqyer kur Rajmondi i kishte thënë se më mirë të kishin strehë këto tenda, sesa në ndonjë shtëpi, apo në një kthinë që donte ta lironte për ta telegrafisti i Santa Quaranta-s. Kur tendat u ngritën, ajo i vështroi gjithë gëzim, duke harruar për një çast dhimbjen e madhe. Vështroi Rajmondin dhe iu rijkujtua përsëri ai çast kur ai përpiqej ta bindëte patjetër që të nisej për në Shqipëri.

– Ku bie ky vënd i panjohur? – i kishte thënë ajo me mosbesim.

– Në breg të Jonit, përballë Korfuzit. Do të shohësh… do ta duash menjëherë atë vend …

“Rajmondi erdhi nga Shqipëria. Si zakonisht ishte gjithë entusiazëm: «Atje, i tërë ai vënd është në një mjerim të plotë. Fshatrat janë shkretuar, fëmijët vdesin urije. Si mund të kesh një qëndrim kaq egoist? Eja të na ndihmosh t’i ushqejmë fëmijët e tu japim shpresë atyre grave… Fjalimi i tij pati efekt. Vesha sandalet dhe rrobën time të gjatë greke dhe e ndoqa Rajmondin në Shqipëri. Në një mënyrë shumë origjinale ai kishte menduar të ngrinte një kamp për të ndihmuar refugjatët shqiptarë”.[1]

Tek Rajmondi kishte një lidhje të çuditshme me natyrën, një lidhje mjaft të fortë e të qënësishme dhe kjo gjë Isadoras i pëlqente shumë. Si dhe të tjerët, edhe ajo e konsideronte atë si “bir të natyrës”. Të ecje zbathur, të ngroheshe rreth zjarrit në natyrë, të qulleshe në shi, për të ishte diçka shumë njerëzore. Njeriu kishte lindur i xhveshur përballë natyrës… Çdo gjë tjetër Rajmondit i dukej konvencion, prandaj dhe ai kërkonte t’i thjeshtonte gjërat gjithnjë. Madje i mjaftonte dhe një trung për të mbështetur kokën për të fjetur edhe pse bota atë kohë njoftonte shpikje të mëdha: ballonet gjigande «Zepellin» që udhëtonin në qiell, elektrokardiografi, radio, llampa prej mërkuri, ajri i kondicionuar, kamera me ngjyra, madje dhe frigoriferi… Po, Rajmondi nuk e njihte frikën e vdekjes. Vdekja për të ishte po aq normale sa dhe lindja. „E di se kur do iki një ditë nga kjo botë, unë do të iki i gëzuar“, – thoshte shpesh ai.

Nga të gjithë njerëzit e familjes, madje dhe më shumë se nëna, Rajmondi ishte për të njeriu më i afërt, më intimi dhe që e kuptonte më shumë botën e saj. Atë kohë në Paris, Rajmondi ishte bërë një personalitet i njohur. Katër vjet më parë, në një ndërtesë në Rue de Seine, ai kishte hapur një akademi arti e filozofie, të cilën e kishte quajtur thjeshtë «L’Academie». Rajmondi ishte një tip special dhe mjaft i thjeshtë. Mbante flokë të gjata që i binin mbi supe, rrinte zbathur dhe me sandale dhe në trup mbante të hedhur një rrobë të madhe si veshjet e grekëve të lashtë të kohës së Antikitetit. Por mbi të gjitha ishte një natyrë artisti: shkruante poezi, pjesë teatri, madje kur kishin qënë në Greqi me familjen për të jetuar ca kohë, ai vetë i kishte prodhuar enët prej balte, mobiljet e thjeshta prej druri, etj. Ishte një bir i vërtetë i natyrës.

Kur po ngjiteshin në kodër, Isadora kishte parë jo larg nga rruga ato shtëpi të mjera me fëmijë të rreckosur që i shihnin këta udhëtarë në heshtje dhe me habi. Nga vinin? Përse kishin ardhur në atë vënd që digjej e shkretohej? Përse?… Sytë e tyre ishin të trishtë, gjithë dhimbje. Kurrë në jetën e saj ajo nuk kishte parë aq shumë trishtim në sytë e një fëmije. Po kështu ishin dhe fytyrat e heshtura të atyre grave refugjate, disa prej të cilave kishin ardhur me këmbë që nga Janina. Fëmijët i tërhiqnin pas vetes, po në heshtje, pa ditur se ku shkonin, të habitura dhe me një vështrim pyetës: – Po ju, ç’doni këtu? A nuk e shihni që njerëzit po vdesin rrugëve dhe lufta po troket?…

Në një ngrehinë të vjetër e të braktisur, në krah të saj, ajo kishte pikasur diçka të tmerrshme, të paimagjinueshme. Në fillim ajo nuk e kishte kuptuar atë pjesë që ngrihej nga dheu në cep të varreve të reja, por pastaj, duke u afruar, e kishte kuptuar dhe gjithë trupi i ishte rënqethur. Ishte një këmbë njeriu, e verdhë dhe e përbaltur, një këmbë të vdekuri që e kishin varrosur gati në sipërfaqe dhe që qentë apo ndonjë kafshë tjetër e kishte zhvarrosur. Ishin varret e viktimave të para të asaj lufte.

Në mbrëmje, rreth zjarrit, e humbur në botën e saj, papritmas Isadora i kishte thënë Rajmondit:

– E pamundur… Si mund t’i ndihmosh gjithë këta njerëz që shkojnë e vijnë rrugëve duke bredhur nëpër male për një copë bukë? Paratë që mund t’u japim s’mund t’i shpëtojnë nga mjerimi që i ka kapur.

– Do të gjejmë një mënyrë, mos u trishto… nesër e kam lënë të shkoj përsëri në Korfuz që të blej një sasi leshi. Këta njerëz të gjorë e të kërcënuar nga lufta duhet që të punojnë dhe ta fitojnë vetë bukën e gojës.

Mbrëmja ishte e freskët dhe qielli plot yje. Dallgët që përplaseshin në breg bënin një zhurmë të çuditshme, ndoshta ngaqë në pjesën e bregut pranë tyre, kishte vetëm gurë të lëmuar dhe valët, sa herë tërhiqeshin, i merrnin me vete duke i tërhequr në një zhurmë nanuritëse dhe të ëmbël. Ata gurë kishin qindra vjet që tërhiqeshin në të njëjtin ritëm dhe nën të njëjtën muzikë.

Edhe pse ishte e lodhur nga udhëtimi i asaj dite, Isadora ende s’po flinte. Nga cepi i tendës pa drapërin e hënës me një dritë të fortë, e cila i kujtoi dekorin e një skene ku kishte interpretuar gjatë një turneu në Suedi. Atëherë dashurohej me regjisorin Gordon Craig dhe meqë ishte në Stokholm kishte dashur me ngulm të takonte dramaturgun e madh Strindberg, autorin e Shtëpisë së kukullave. Por ai s’kishte pranuar të takoheshin edhe pse e adhuronte atë. Kishte frikë nga gratë e bukura. Ndoshta nga frika se mos jepej pas tyre.

Ajo qeshi me vete me këtë histori dhe mbylli sytë me shpresë se më së fundi gjumi do ta zinte edhe atë.

“Rajmondi shkoi në pazarin e Korfuzit, bleu lesh, e ngarkoi atë në një anije të vogël që e kishte marrë me qera dhe e transportoi në Santa Quaranta, në portin kryesor ku ishin mbledhur refugjatët. – Po si do t’i ushqesh gjithë këta të urritur? Me lesh? – i thoja Rajmondit. – Dora, prit dhe do të shohësh… Po t’u sjell bukë, ajo do të ishte e mjaftueshme veçse për një ditë, por unë u sjell lesh sepse dua të bëj diçka për të ardhmen e tyre.

Ne shkuam në bregun shkëmbor të Santa Quarantës, ku Rajmondi kishte ngritur kampin e tij për fshatarët. Në një afishe ai kishte shkruar: “Ato që duan të tjerrin lesh, do të shpërblehen me një dhrahmi në ditë”.[2]

Kur zbriti për herë të parë poshtë në breg, Isadora u befasua me ngjyrën e detit. Ishte një blu e thellë që vezullonte nga dielli. Rrezet përthyheshin mbi të duke krijuar mijra reflekse dhe yjëzime. Ajo zgjati duart, mori një grusht ujë dhe lagu fytyrën, duke ndjerë kripën e atij uji të pastër. Një rrëkezë i rrëshqiti në gushë duke i zbritur poshtë drejt gjoksit. Ngriti kokën dhe e drejtoi fytyrën nga flladi që sillte aromën e këndshme të detit. Gjithçka i dukej sublime, e virgjër, ku pulëbardhat që silleshin në breg me klithmat e tyre e bënin atë peizazh tepër të gëzuar. E megjithatë, nuk kalonte pak kohë dhe atë e kapte një ndjesi trishtimi. Ankthi dhe ngërçi i pushtonte gjithë gjymtyrët.

Për disa ditë me rradhë ajo ende nuk po e kuptonte mirë se ku dhe përse kishte ardhur në këtë vënd për të cilin shumë rrallë kishte dëgjuar në jetën e saj. Shëtiste e vetme buzë detit me vështrimin e hallakatur diku, shkonte gjer në mol sikur të priste dikë, kthehej gjer në kishëzën e vogël dhe pastaj merrte ngadalë në monopatin që ngjitej drejt çadrave.

– Ç’është jeta vëlla? – i kishte thënë një moment Rajmondit, tek ai ecte krah saj i menduar.

– Jeta? – dhe ai kishte ngritur supet i menduar, si i zënë ngushtë nga një pyetje e tillë.

Vërtet ç’është jeta?…

– Po lumturia? – kishte ngulur këmbë ajo.

– Të ndjehesh e plotë, të duash dhe të arrish ta gëzosh atë që kërkon.

– Unë as dua dhe as nuk mundem të gëzoj më. Si mundem vallë?

– Dora… Jeta nuk është e tëra lumturi. Jeta nuk mund të jetë as vetëm e bardhë dhe as vetëm e zezë. Jeta është një ngjizje e lumturisë me dramën apo dhimbjen e njeriut. Cili njeri nuk ka vuajtur në këtë botë, thuamë. Nuk ka njerëz që lindin e jetojnë të lumtur gjithë jetën. Vjen një moment kur filli i lumturisë këputet, kur ajo që ke ndërtuar rrënohet, kur gjithçka ndërpritet me një dhimbje të madhe. Por në fund të fundit gjërat rifillojnë, gjithnjë ka një dritëz ku mund të kapemi dhe t’i japim kuptim jetës… për më tepër një artist.

„Rajmondi ka të drejtë“, – mendoi me vete ajo. „Por sidoqoftë jeta është një mister“.

– A nuk të ngjan se gjithçka është mister në këtë botë? Ti nuk e di asnjëherë sesi do të vazhdojë jeta tënde dhe se kur do të ndalet udhëtimi yt… Ah, jo, lumturia është veçse një iluzion, mirazh, apo jo?! Mjafton të mendosh vetëm Kazanovën, për të cilin jeta padyshim ishte veçse një iluzion dhe asgjë tjetër…

Ajo nuk e kuptoi se përse atë moment i erdhi në mëndje Kazanova. Ndoshta se në kujtesën njerëzore, apo më saktë në botën femërore, ky personazh ishte kthyer në një lloj iluzioni, kishte hyrë si njeriu që kishte ditur ta jetonte jetën më shumë se askush tjetër dhe se gjatë gjithë jetës së tij kishte qënë i lumtur, i rrethuar nga qindra gra, të të gjitha llojeve, kishte kaluar aventura nga më të pabesueshmet, kishte provuar gjithçka, tërë koleksionin e voluptetit femëror. Por pak e dinin se Kazanova në fund të fundit ishte një personazh tragjik dhe i mjerë, një nga më të trishtët e botës…

SHKARKO APP