Sara Karaj, Miss Shqipëria 2015

 

Nën dritën e fishekzjarreve të festës, pas një spektakli që zgjati më shumë se dy orë, në një nga vendet më turistike të Shqipërisë, në Voskopojë, është shpallur mbrëmë, “Miss Shqipëria 2015”. Bukuroshja nga Fushë-Kruja, Sara Karaj ka qenë bukuroshja që ka marrë shumicën e votave të jurisë së përbërë nga Sotiraq Filo, Arlinda Duaj, Elona Bano, Irfan Hysenbelliu, Rezarta Delisula, Romina Dosti, Herjon Mustafaraj, Milaim Zeka dhe Anisa Petrela. Ndësa dy shoqërueset janë shpallur, Shoqëruesja e Parë e Missit, vajza me numrin 17, Elizabeta Pëllumbi, ndërsa shoqëruese e Dytë, vajza që mbante numrin 28, Rajmonda Cukaj. 

Gjatë spektaklit të zhvilluar në një skenë gjigante, të ngritur në këmbët e Kishës së Kryeëngjëjve në Voskopojë, aty ku atmosfera mistike ndërthurej me muret e lashta të manastireve, kishave dhe ikonave, Petri Bozo ka përcjellë për publikun edhe një herë tjetër, një eksperiencë të paharrueshme. Këtë vit konkurruan për kurorën e bukurisë 30 vajza nga qytete të ndryshme shqiptare por edhe vende të tjera të Evropës dhe SHBA, ku jetojnë shqiptarë. Kjo garë u prezantua nga Enkel Demi dhe Zamira Kita, të cilët ofruan një spektakël më vete me batuat dhe çiftin interesant që krijuan në skenë. Përveç tyre, emocioneve të vajzave që garonin për kurorën e Miss-it, iu shtuan edhe të ftuarit e shumtë që u ngjitën në skenën e “Miss Shqipëria”, jo vetëm artistë korçarë si Eli Fara, David Xherahu dhe vëllezrit korçarë, Endri dhe Stefi, por edhe të tjerë si Manjola Nallbani, Neki Emra, grupi Minatori apo Herjon Mustafaraj, i cili interpretoi një pjesë speciale të shkruar enkas nga Shpëtim Saraçi mbi motivet e këngës “Luleborë”.

Sidoqoftë kryefjala e mbrëmjes ishin vetë konkurrentet. Ato parakaluan në katër sfilita të mëdha me fustane mbrëmje të mundësuara nga “Elisabeth” dhe me bikini, deri kur nga 30 mbetën 10 më të votuarat e jurisë. Gjatë mbrëmjes u votua edhe për çmime të tjerë të rëndësishëm të “Miss Shqipëria”.

E pranishme këtë vit në Tiranë, për Miss Shqipërinë ka qenë edhe Mias Santa Ana Pilar, organizatore zyrtare e Miss Globe 2015 në Toronto të Kanadasë, gjithashtu producente e Miss Globe Canada. Ajo ndoqi nga afër përzgjedhjen e “Miss Shqipëria 2015”, e cila në fundvjeshtën e këtij viti do të udhëtojë drejt Torontos bashkë me stafin shqiptar të Deliart Association, i cili do të kryesojë për herë të parë punën në një event ndërkombëtar, jashtë kufijve të Shqipërisë.

 

Cmimet në Miss Shqipëria:

Miss Eleganca: Efremia Braholli

Miss Bikini: Petrula Basku

Miss Buzëqeshja: Aurora Dyrrahu

Miss Turizmi: Alda Tepshi

Miss Inteligjenca: Majla Koci

Miss Kinemaja: Dea Kapbardhi

Miss Fotozhenia: Feride Kuqi

Miss Interneti: Majla Koci

Miss Press: Iliriana Strumi        

SHKARKO APP