Së bashku frymojmë, si në këngën që dëgjohet edhe kur nuk këndohet
Nga Petrit Kuçana
Një gjëmë erdhi nga bregu i detit, si një ushëtimë e zezë. Një gjëmë e rëndë që u përcoll andej e këtej Drinit. Malet e përçuan ushëtimën aty ku i thuhet bukës-bukë e ujit-ujë. Dhe si kushtim, “kur ka ra kushtimi në Kosovë”.. nisen drejt mortit për të qënë bashkë, si dikur, si dje, si përherë, si nesër.
Gjithkush jep nga pak me aq sa mundet. Pak bukë, pak shpresë, pak shpirt duke qënë bashkë krejt natyrshëm si thirrje gjaku, geni. Gjamë e hare i kemi bashkë si ngahera, kur malet përcjellin vajtimin e tokës. E nuk vonojnë bijtë e tokës amë, e pash me pash kalojnë legjendat, për të ardhur për t’u gjendur, aty ku duhet, veshur hijshëm me mantelin e besës dhe fisnikërisë.
Pak bukë, pak shpirt, pak shpresë, nga Prishtina, nga Shkupi, nga Ulqini e Presheva, tashmë më të kthjellët, më të këndellët e me më shumë forcë, më shumë besim ashtu si nga mërgata, që e ndjejnë fort ushëtimën e gjëmës, që erdhi andej nga deti i trojeve shqiptare.
Kohët e pakoha rrukullsen harrimshëm, e thirrja gjëmon; Gjaku nuk bëhet ujë, mortin e kemi së bashku si dikur si përherë, për të qenë aty, për të dhënë pak bukë, pak shpirt pak shpresë, fisshëm si drita e diellit.
Së bashku frymojmë si në këngën e lashtë, të kënduar brez pas brezi, kohë pas kohe, në dheun e Atit; At-Dhe.
Së bashku frymojmë si në këngën që dëgjohet e ndjehet edhe ku nuk këndohet.
Krejt mallkueshëm rrokullisen trarë e kufi, si lodrat e fëmijëve të llastuar të kohëve të pakoha, si mjegulla që ndejti pak ditë e pak netë, e së bashku mejtojmë e reflektojmë, thjeshtësisht duke dëshmuar prajshëm, por fort shndritshëm, se asgjë nuk mund të ndajë shpirtin e një kombi, deri në frymën e fundit me; pak bukë e shumë shpirt; së bashku.