Sekretari Pompeo pritet me protesta në Athinë

Grekët e kanë pritur me protesta vizitën e sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo në Athinë. Mbi 5 mijë veta u mblodhën përpara ambasadës amerikane, ndërkohë që përleshjet me policinë nuk munguan.  Disa protestues hodhën bojë të kuqe mbi statujën e presidentit amerikan Harry S. Truman.

Protesta u organizua nga sindikata e punës që mbështetet nga parti komuniste në shtetin helen, ndërsa edhe djegia e flamurit amerikan nuk mungoi.

Pompeo firmosi një pakt të rishikuar me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Sipas marrëveshjes, kërkohet shtimi i aktivitetit amerikano-grek në bashkëpunim me NATO-n në disa pjesë të atij vendi si Larissa, Stefanovikio dhe Alexandroupoli. Po ashtu kërkohen edhe përmirësime në infrastrukturë dhe bazën detare në Gjirin Souda.

Kryeministri Mitsotakis e shfrytëzoi takimin me sekretarin amerikan të shtetit për tu ankuar për sjelljen e Turqisë.

“Presim një kontribut pozitiv nga SHBA në një moment kur Turqia përmes veprimeve të saj po vë në dyshim sovranitetin e Greqisë dhe Qipros duke çuar anijet turke të eksplorimit në ZEE të Qipros.

Unë po i referohem z. Sekretar, praktikave të Turqisë fqinje, të cilat për fat të keq shpesh nuk përputhen me qëndrimin e miqësisë dhe bashkëpunimit për te cilat insiston Greqia. BE ka marrë një qëndrim zyrtar për këto zhvillime. Por veprimet e fundit të Turqisë në Bllokun 7 te Zonës Ekonomike Ekskluzive të Qipros shkelin të drejtat sovrane të Qipros”, tha Mitsotakis

SHKARKO APP