Serbia dhe Kosova: “Për çfarë shkruhet tek ju”

 

Albatros Rexhaj, Gëzim Aliu, Jasna Dimitrijević dhe Sasha Ilic ishin panelistët e këtij debati që kanë diskutuar mbi librin, raportojnë mediet serbe. Ky debat është organizuar në kuadër të manifestimit “Muaji i Prishtinës”, e që ka filluar që nga fillimi i qershorit

“Për çfarë shkruhet tek ju”, ishte tema boshte që është diskutuar mes shkrimtarëve të Kosovës dhe të Serbisë, në Beograd, në kuadër të manifestimit “Muaji i Prishtinës”, në Beograd e që po mbahet prej fillimit të qershorit në kryeqytetin e Serbisë.

Albatros Rexhaj, Gëzim Aliu, Jasna Dimitrijević dhe Sasha Ilic ishin panelistët e këtij debati që kanë diskutuar mbi librin, raporton Evropa e Lirë.

Pikat që janë diskutuar në këtë debat letrar ka qenë edhe ndërlidhja e mëparshme letrare në mes këtyre dy vendeve, prania e stereotipeve në letërsi, si dhe mundësia e përkthimit të shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre serb në gjuhët përkatëse, sipas të cilëve, përkthimi do të ishte ura më e qëndrueshme e marrëveshjes në mes të dy palëve duke pas parasysh mospajtimet e politikanëve. 
Albatros Rexhaj ka thënë në këtë takim se pas luftës së fundit në Kosovë, skena letrare vjen me një brez të ri të autorëve. “Tema ku fokusohen shkrimtarët shqiptarë ka të bëjë me modelin e ri të jetës por edhe çështjen e identitetit”, ka thënë Rexhaj në këtë panel. “Me breza të tërë e kemi trajtuar vetën si viktima dhe të tjerët fajtorë, kryesisht serbët, e më herët edhe Perandorinë Osmane, për çdo të keqe që na ka ndodhur”, ka thënë Rexhaj, i cili ka shtuar se pikërisht këto tema edhe kanë dominuar në letërsinë shqiptare. 

Në këtë debat ka folur edhe Gëzim Aliu, i cili ka folur për romanin e tij duke e quajtur si roman alegorik për zhvillimet e një shoqërie në Kosovën e pasluftës. 
Kurse Jasna Dimitrijeviq ka thënë se shkëmbimi letrar mes Serbisë dhe Kosovës ende është i dobët. “Është shumë mirë që ekzistojnë festivale sikurse janë “Mirdita, dobar dan”, apo “Polip”, që janë festivalet me të cilat gjithçka filloi. Por nuk mund të mos them që mes artistëve të Serbisë dhe Kosovës ende është një mur, sidomos te shkrimtarët”, ka thënë ajo. Më pas në këtë debat është folur edhe për gjuhën e urrejtjes që përdoret në Serbi, duke iu referuar një fyerje mediale që është bërë edhe në adresë të Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë./KultPlus.com 

SHKARKO APP