Sesioni shkencor në Krujë….
Ditën e premte më 14 gusht 2015 u mbajt në mjediset e hotelit “Panorama” në Krujë sesioni shkencor me titull: “Populli shqiptar në rrjedhat e historisë dhe roli i personaliteteve nga Epoka e Madhe e Gjergj Kastrotit – Skënderbeut e deri në fund të shekullit XX".
Ky sesion u organizua nga shoqata e Intelektualëve Mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit” e njohur për aktivitetin e saj në ndihmë të rritjes së vetëdijes kombëtare shqiptare.
Në këtë aktivitet një-ditor u paraqitën me dhjetra kumtesa nga studiues dhe lëvrues të mendimit shqip, të cilët sollën me këndvështrimet e tyre, figura historike dhe ngjarje me rëndësi për historinë e kombit.
Aktiviteti nisi me pjesën solemne të këndimit të himnit kombëtar, më tej me respektimin “in memoriam” të disa prej personaliteteve të ndarë nga jeta gjatë këtij viti, për të vijuar me leximin e poemës së Ernest Koliqit kushtuar Kapidan Markut, ndërkohë që pjestarë të familjes së Gjonmarkajve ishin të pranishëm edhe në sallë.
Kryetari dhe nënkryetari i shoqatës “Trojet e Arbrit” përkatësisht Prof. Dr. Muhamet Shatri dhe Mr.Sc. Nue Oroshi duke falënderuar dhe prezantuar të pranishmit, intelektualë nga të gjitha trojet të ardhur nga disa anë të botës, ose shqiptarë që me aktivitetin e tyre kanë kontribuar për kombin, duke veçuar këtu sportistin olimpik nga Kosova z. Aziz Salihu, bënë edhe një panoramë të aktivitetit një-ditor.
Në këtë sesion u mbajtën kumtesa me tematika nga më të ndryshmet si p.sh. nga z. Tomë Mrijaj, z. Frrok Kristaj, at Nikolla Marku, z. Mërlika, pasardhës të Mustafa Krujës etj.
“Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu në letrat shqipe: modeli i heroit në kohë” ishte kumtesa e mbajtur nga z. Prend Buzhala, "Roli dhe Kontributi i Mbretit Leka në mërgim për lirinë e popullit shqiptar dhe çështjen kombëtare" u referua nga z. Sulejman Gjana etj.
Ekspozita fotografike si dhe botime të fundit që hedhin dritë mbi fakte dhe figura të ndryshme të kombit shqiptar ishin të tjerë elementë të këtij sesioni.
Në aktivitet u prezantua edhe botimi i Enciklopedisë, “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje te Shqipërisë Etnike” XII, si fryt i Sesionit të XII Shkencor i mbajtur një vit më parë më 9 Gusht në Gjakovë.
Kjo Enciklopedi ka 720 faqe dhe në të marrin pjesë me studimet e tyre 80 autorë.
Sipas z. Oroshi, një ndër drejtuesit e sesionit “Falënderojmë të gjithë autorët shqiptarë anë e kënd trojeve shqiptare që me studimet e tyre po e vendosin një gur të çmuar në ndriçimin e historisë sonë shqiptare”. Libri u shpërnda gjatë këtij Sesioni të XIII Shkencor i mbajtur në Krujën Kastriotase.
“Urimin po e përfundoj me fjalët e një miku tim studiues i cili kur e mori në dorë Librin e XI m’i tha këto fjalë: “Kur rritet e shtohet gruri, pakësohet egjra”, shprehet z. Oroshi.Në këtë sesion pata mundësinë të prezantohesha edhe me disa miq që shkruajnë në “Zemrën shqiptare” më të cilët shkëmbyem përshëndetje të përzemërta.
Ftesën për pjesëmarrje e mora nga z. Oroshi, i cili më prezantoi në pjesën solemne të sesionit, duke më besuar leximin e poemës së Ernest Koliqit, të cilën po e sjell edhe për të gjithë lexuesit.