Po vjen dimri, qendrat në Tropojë furnizohen me medikamente

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësorë Tropojë (NJVKSH) monitoroi sot shpërndarjen e barnave të paketës shtesë për 6 qendra shëndetësore që janë më larg qytetit të Bajram Currit. Drejtori i NJVQSH, Avni Boshnjaku thotë se me qëllim përballimin e kërkesave për një shërbim shëndetësor të vazhdueshëm, duke qenë se po afron sezoni i dimrit dhe shumë qendra shëndetësore dhe ambulanca mund të bllokohen, tha se: ”Kemi ndërmarrë aksionin për shpërndarjen e barnave për 6 qendra që janë më larg qytetit të Bajram Currit”. Sipas Boshnjakut, kjo nismë e Ministrisë së Shëndetësisë që po zbatohet prej 6 vitesh ka përmirësuar ndjeshëm shërbimin për qytetarët. Nga kjo nismë, theksoi ai, përfitojnë banorët e qendrave shëndetësore të njësive administrative Legbibaj, Bytyç, Margegaj, Tropojë e Vjetër, Bujan dhe Fierzë. ”Synimi është marrja e masave në kohë, që edhe në këto qendra shëndetësore shërbimi shëndetësor të jetë në cilësinë e duhur, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike”.

SHKARKO APP