Shabani: Nisma “Thurrje” gati për angazhime politike në zgjedhje
Ndryshimet kushtetuese, të cilat u votuan së fundmi në Kuvend, i hapën rrugë hapjes së pjesshme të listave dhe një formule të re për koalicionet që do duhet të dalin në zgjedhjet e 2021-shit me një listë unike kandidatësh për deputetë. Duket që kjo risi, ka ngacmuar edhe disa struktura të reja të aktivizohen në politikë. Një ndër aktivistët e angazhuar në zhvillimet e fundit politike, Endri Shabani nga Nisma “Thurrje”, tha për emisionin “Në fokus” të gazetarit Nertil Agalliu, se nuk e përjashton mundësinë e kyçjes në politikë në zgjedhjet e ardhshme, dhe se tashmë janë duke e shqyrtuar një mundësi të tillë.
“Nëse do t’ja dalim duke qenë jashtë angazhimit politik, sigurisht se do ta shqyrtojmë dhe po e shqyrtojmë mundësinë për tu angazhuar politikisht , por këtu më shumë rëndësi ka çfarë instrumentesh ka në dorë qytetari dhe si ne e menagjojmë pasurinë e përbashkët, se sa se kush hyri në lojë, kush doli, për mua më shumë këto janë të dorës së dytë”.
Për Shabanin, më shumë se kush hyn e del në politikë, ka rëndësi fakti që qytetari do të duhej të mos kishte frikë që voton kundër Ramës ose jo, por të luftoj për një sistem të drejtë politik dhe jo vetëm.
“Ajo që ka rëndësi është fakti se a keni ne një sistem të drejtë ku qytetari, të mos ketë frikë që qytetari voton kundër Ramës dhe vota prodhon mandat për Ramën. Ajo që ka rëndësi është që qytetari të ketë mundësi që administrator publik qe e kemi zgjedhur, të administroj pronën tonë të përbashkët, lajthit dhe sillet sikurse është pronar i pronës së përbashkët, ne të kemi mekanizma për ta shkarkuar atë nga detyra. Kjo është beteja që ne kemi, dhe këtë do të përpiqemi ta bëjmë në të gjitha format”.