Shakaja

 Nga Ilir Levonja/Brenda një harku prej njëzetegjashtë minutash, në pesë kontinentet, në qindra gjuhë u përhap lajmi i shuarjes së Markezit (Gabriel Garcia Marquez). Herët në mëngjes, maestroja u pati thënë atyre përreth (njerëzve të familjes) të shkonin e të bënin punët se, asgjë nuk kishte për të ndodhur. Vdekja kishte bërë një shaka, pastaj ishte larguar.

Mjeshtrin që e kishin gjetur duke qarë, për shkak të fatit të pashmangshëm që i kishte dhënë një personazhi, (ndofta një nga ata qindra që sot na gëzon ne. Si Aurelio Buendia për shembull tek Njëqind vjet vetmi. Apo Florentino Arisa tek Dashuria në kohërat e kolerës etj…) tashmë po luante edhe me veten sikur të ishte një i tillë. Njëri nga personazhet e tij. A njëri nga personazhet e njerëzimit. Ai, brenda realitetit magjik kolumbian. Ai, brenda jetës. Midis një europiani nga Iberia dhe një Indiosi nga rrëpirat e tropikut. Në fund të fundit janë krijesa të kolonizimit.

Nuk ka asnjë dyshim. Çfarë ai krijoi, pavarësisht trillit, apo këmbënguljes së tij të vazhdueshme…, kur thoshte se, gjithçka fillon nga imagjinata, me gishtin tregues tek tëmthat, ka pasur përjetësisht bekimin e tij. D.m.th, ai besoi verbërisht në atë që krijoi. Një botë të cilën ne e kemi nëpër duar.

Isha duke punuar dhe ndjeva më shumë se beftin, magjinë e fjalës së tij. Ne jemi shok në Facebook. Kemi bërë dhe humor me fotot e tij, ku ai, Gaboja lexonte Markezin. I shtrirë, gjithë kënaqësi na dëshmonte një libër me emrin e tij në kopertinë. Po patriarku, ka të drejtën të mburret me veprën e vet.

Në këto çaste, në këtë moment që jam duke hedhur këto rreshta, numri i ndjekësve në faqen e tij është 4,207 503 dhe vazhdon. Ja përse është një botë që e kemi nëpër duar.

Një titull i tij kap mbi pesëdhjetë milionë.

Të paktën pata mundësinë ato çaste të falënderoja atë, që na i solli në Shqipërinë tonë, Aurel Plasarin. Por edhe të tjerët përmes të cilëve e lexova. Si Mira Meksi a Robert Shvarc, Nasi Lera. Janë plot. I tillë është Markezi, me njerëz plot.

Ndjeja, jo nevojën të ngushëlloja për vdekjen e Gabos, por të ngushëllohesha. Në rastin konkret, të humbjes së njeriut të racës, apo mikun në listën e Facebook-ut.

Asesi të patriarkut.

Dhe mu kujtua ëndrra e tij, mbi vdekjen. Kur e varrosën, kur shokët, të njohurit i dhanë lamtumirën. Ai nuk u besonte syve. U ngrit e, i ndoqi nga pas. Tek porta e varrezës ata ndaluan. Kryepërdhe’ e me gjysmë zëri i thanë që, ti nuk mund të vish me ne. Ti duhet të rrish këtu. Dhe ai qëndroi, duke pëshpëritur, se, të vdesësh paska kuptimin që të ndahesh nga miqtë e tu.

Pra, sërish me shaka. Dhe u ul diku të ripërtypte me mendje kohën e shkuar. Jeta është e vetmja lumturi që na vjen pa e ftuar,- tha ai.

Gabriel Garsia Markez është ndoshta i vetmi shkrimtar, i cili gëzon suksesin absolut. Nëse do të shpreheshim me gjuhën e politikës, tejkalon çdo kuorum votash. Pra, votohet me shumicë. Ndofta për shkak të trajtimit magjik që ai i bën jetës. Ndofta për shkak të ekzistencës së shakasë midis anëve. Për shkak se edhe vepra ka, kaq shumë karaktere, magji prej ëndrrash, ngjyra karaibesh etj. Sa zor t’i shpëtosh ndikimit.

As unë nuk kam bërë përjashtim…, u përpoqa të bëja një nga kurat e doktor Huvenal Urbinos. (Personazh i tij tek Dashuri në kohërat e kolerës. Ose i shoqi i Fermina Dasës). Me hudhrën në mëngjes. Pasi mendoja të largoja të gjitha të këqijat nga trupi im, një herë e përgjithmonë. Mirëpo më vajti tensioni në fund të këmbëve, aq sa ime më, mu duk një fantazmë me fshesë në dorë. Pastaj mos të flasim për përpjekjen në ndërtimin e frazës.

Megjithatë është edhe ai vet, që e shpjegon kështu ngjizjen. Brenda meje ekzistojnë dy botë. Dhe siç e shikoni, unë i kam duart plot. Në njërën është ajo e gjyshit, kolonelit plot me luftëra civile. Në tjetrën ajo e gjyshes, kaq e bukur, kaq me fantazi, tërësisht larg prej këtij realiteti. Dhe unë zgjodha këtë të dytën, botën e gjyshes.

Kur jetoja në Lushnjë, e, lexoja Markezin. Bota e Karaibeve, njerëzit, etj…, se si më dukeshin. Megjithëse e kam cekur pjekjen e temave, pasi besoj në një far realiteti magjik edhe tek ne. Si për shembull Vjeshta e Xheladin Beut e Mitrushit tonë. Dhe Vjeshta e Patriarkut e El Gabos. Subjekte që tashmë i kam publikuar në librin me ese Hiret e Letërsisë Moderne Shqipe. Apo indice si “Rrno vetëm për me tregue” e At’ Zef Pllumit. Dhe “Jeto për të treguar”, që sapo doli, e El Gabos.

Gjithsesi tani unë jetoj në brigjet e detit të Karaibeve. E kam lundruar dhe kam shkelur edhe në avulloret e lumenjve të Florentino Arisës. Punoj me kolumbianë. Dhe gjej një shpjegim. Që gjenia e tij është pjesë e së tërës, e asaj bote që quhet populli i tij.

Më kujtohet se asaj darke ndalova në një lokal kolumbianësh. Ata edhe me vdekjen bëjnë shaka.

***

Një mëngjes më pas…

Kur hapa Kompjuterin. Pata një sms. Ishte Gaboja.

Ja çfarë më shkruante.

”Mos ma hiq emrin nga lista e miqve në Facebook. Do flasim prapë. Biles ua thashë këtë dhe vdekatarëve, të njohur e të panjohur”.

I yti El Gabo

***

Është koha të jetojmë.

SHKARKO APP