Shakira braktis turin: Makthi im vazhdon…

Këngëtarja me famë botërore, Shakira, ka dhënë një lajm jo të mirë për të gjithë miqtë
dhe fansat e saj. Ajo ka shtyrë datat e turit të saj “El Dorado World Tour” për në
vitin 2018, për shkak të një hemorragjie në kordat zanore.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Shakira falënderon fansat dhe iu kërkon ndjesë
për mungesën e saj në skenë. Ajo duhej të performonte më 3 dhjetor në Milano, por
mjekët i kanë këshilluar të pushojë, për të shmangur probleme më serioze me zërin e saj.

“Ndjeva një zhurmë të çuditshme që pengonte këngën time, pas ekzaminimit mjekët
zbuluan se vuaja nga një hemorragji në kordat zanore. Ata më rekomanduan të pushoja.
Për fat të keq, makthi im vazhdon, e gjej veten në një betejë të vështirë, teksa po
përpiqem të shërohem plotësisht. Më vjen keq që nuk mund të këndoj këtë muaj, pasi
mjekët nuk më kanë dhënë mundësinë as për të marrë bileta për të udhëtuar në vendet e
Evropës”, shkruan këngëtarja.

Më tej, ajo sqaron se është e detyruar të marrë këtë vendim, ndonëse me zemër të thyer,
teksa falënderon miqtë, fansat dhe fëmijët e saj.

“Për miqtë, fansat dhe fëmijët e mi, që ishin të ngazëllyer të shikonin nënën e tyre në
koncert, me zemër të thyer më duhet të shtyj turneun evropian për në vitin 2018.
Shpresoj ta kapërcej këtë periudhë të vështirë dhe të kthehem në skenë sa më shpejt të
jetë e mundur, që të dëgjoj sërish zërat tuaj duke kënduar së bashku me mua. Ju duam
shumë dhe do i kujtoj gjithmonë të gjithë ata që kanë qenë pranë meje”, përfundon
Shakira mesazhin e saj.

SHKARKO APP