Sharmi i një politikani: O Anne, sa të dua!

Luan Rama
Vështirë në botën e politikës të gjesh shpirtra të ndjerë që arrijnë të shkëputen nga vorbullat e luftës politike për pushtetin për t’iu përgjëruar ndjenjave më të holla e më fisnike të shpirtit: dashurisë. Fransua Miteran (François Mitterand) ishte një nga ata të rrallët, ku dashuria për një grua e bënte poet, e bënte të shkruante për sytë, buzët, gojën dhe trupin e një gruaje, të fliste aq bukur për të dashurën e tij, për atë ndjenjë shpirti që e çonte drejt ekstazës, pasi ai për të krijonte dhe neologjizma si “Animour” si bashkim i fjalës Anne dhe Amour apo duke e quajtur të dashurën e tij klandestine apo “gruan në hije” siç do të quhej më vonë “femme-fille-fleur-fruit-beau soleil” (grua-vajzë-lule-frut-diell i bukur”) Çfarë fjalori në gojën e një politikani që çdo ditë do t’i duhej t’i kthehej retorikës së politikës! Pikërisht, kur Miterani fillonte luftën e vërtet politike për të udhëhequr Francën, kur ai ishte i martuar dhe kishte fëmijë, pikërisht atëherë ai njohu të dashurën e tij Anne, 19 vjeçare, bijë e një familje tepër katolike dhe konservatore, ndërkohë që ai ishte 45 vjeç, atëherë kur në Hossengor, në jug të Francës luante golf me atin e saj. Por dashuria e tyre do t’i thyente të gjitha barrierat e kohës që i rrethonin. Një dashuri që mbijetoi, siç tregojnë dhe 1218 letrat e tij të dashurisë dhe që këtë vit janë botuar nga shtëpia botuese Gallimard, letra që Anne vendosi t’i botonte vetëm pas vdekjes së gruas së tij, Danielle Mitterand, nën titullin “Letra Anne-s”. Këto letra të kujtojnë padyshim letrat e poetëve të mëdhenj si të një Apollinaire që shkruante “Lettre à Lou” apo të tjerë artistë të mëdhenj të epokave të mëdha të artit. Madje, në letrat e tij Miterani është dhe një lloj artisti, pasi ai i shkruan letrat duke ngjitur fotografi artistesh, si një Monica Viti, të cilën e konsideronte si fytyrën e gruas të epokës moderne, apo harta, fotografi, vizatime të tij, etj, kolazhe të vërteta arti. Madje me fjalë ku ai klithte, ashtu siç dhe shkruante në një letër të vitit 1964: “Së pari dua të thërras: O Anne, sa të dua! Ne të dy në Parisin e imagjinuar…” Më tej, në një tjetër letër ai shkruante: «Do duhej të shtoja fjalë dhe të mos hartoja asnjë frazë për të hshkruar atë ethe e fjalë që të kishin veç simbolikë, alegori, imazhe, dhe ku sëpari të shkruaj fjalën Anne… Ty të quajnë Anne dhe unë të dua…»
Padyshim në ato letra ishte njeriu, shpirti, emocioni i një takimi dhe një dashuri që u mbrujt në vite, pasi shpirti nuk njeh kufijtë e titujve, pushteteve, dekoratave, hierarkive, pasurive. Shpirti di të njohë veç shpirtin tjetër për të cilin di të rrahë dhe të shuhet… Ja pse Miterani shkruante në një nga letrat e tij: «Ti Anne, krijuesi i gëzimit tim”!

23 nëntor 1963.
KulturaE dashur Anne, Duke arritur në l’Aigle, në këtë qytezë të l’Orne-s ku do mbahet mbledhja politike për të cilën të kisha folur mora vesh vrasjen e presidentit Kenedi. Ashtu si dhe shumë njerëz të tjerë, burra e gra të botës, ky lajm më tronditi. Nuk është vdekja që më habit dhe më revolton tmerrsisht,ne atë e piktakojmë në çdo udhëkryq, por është urrejtja. Dhe kështu ndjej një lloj ankthi kur shoh se ajo triumfon njëherë më shumë. U ktheva në Paris tepër vonë pasi ishte ora katër e mëngjesit, përmes një rruge të vështirë, plot stuhi dhe vende me një mjegull të rrezikshme. Në fakt qielli nuk ishte më i keq sesa kur ikëm bashkë në Beauvais. Por drita, ngrohtësia e gëzimi nuk vinte nga asnjë lloj dielli tjetër sesa ai që na kishte pushtuar të dyve. Dhe unë dua të jem me ty. Ndërkohë që kam një lloj eksperience në bisedat me publikun, gjithnjë i panjohur e që duhet bindur me fjalime e ide, kjo duket si një detyrë absurde, kur dimë se vetëm dashuria, aktet dhe shëmbulli kanë forcë që të na pushtojnë.

Paris, e djelë, 10 maj 1964

“Në sytë e përgjumjes time kanë mbetur imazhet e një mbrëmje të mrekullueshme. Në kujtesën e zemrës gjatë gjithë natës, mu ngjiz fytyra e një njeriu shumë të dashur. Pra nuk m’u shqitët veçse për një ëndërr në kufijtë e mallit. Nganjëherë përkulesha mbi ty dhe shijoja atë lumturi të habitshme të jetës tënde dhe time…. Anne, nesër do të shkruaj nga Nervers. Nuk i dua këto katër ditë në mungesë. Do të mendoj për ty si një nevojë për gëzimin dhe shpresën. Duart tona janë të bashkuara fort mes tyre. Dhe tani kam pothuaj katër orë rrugë për të bërë! Të djelë të mbarë e imja Anne. Mos harro të shlodhesh !

Paris, 3 qershor, 1964

E imja Anne, jo, nuk dua të pres këtë mbrëmje, për të të thënë dhe rithënë se çfarë lumturie është të të duash. Nëse do mund të të ofronin gëzimin ashtu siç të ofrojnë një lule iris, apo thjesht një tufë karafilësh, unë do të të dërgoja një buqetë të madhe. Më mbetet ende për tu mrekulluar akoma me ato katër ditë që ne kaluam sëbashku, të bashkuar dhe ku unë të kisha plotësisht. Jo, nuk mund të pres këtë mbrëmje për të të thënë se çfarë lumturie është të të duash. François!
duash…

15 nëntor 1964

Kur të takova, menjëherë imagjinova se do të nisesha me ty në një udhëtim të gjatë. Të paktën, atje ku do të shkoj do të jesh dhe ti. Asnjëherë nuk do të ketë një natë të plotë vetëm për mua. Dhe vetmia e vdekjes do jetë më pak vetmi. Anne… dashuria ime!

E shtunë, 1 janar 1966.

Mesnatë. Jemi në “Pot de Resine». champagne. Të gjithë përqafohen. Vij tek ti dhe të them vit i mbarë. E shtrenjta Anne!» Disa çaste më pas ti del. Unë vij e të gjej më pas. Trishtim? I pari, i pari 1 janar që e kalojmë bashkë. Gëzimi mbi të gjitha. Të dua… në dhomën tënde. Orë të jetës, të harmonisë. Shoh qiellin që pret si me thikë peizazhin tënd. Mendoj itineraret tona…

Hossengor, më 21 janar 1964

« Ah, sikur ta dije Anne-a ime se besimi dhe forca që kam janë në sajën tënde. Besim në bujarinë e jetës, forcë në mundësitë e mia në stadin më të lartë dhe me një harmoni të pabesueshme. Takimet tona, shëtitjet tona, përkëdhelitë tona, nuk kanë qenë diçka vetëm midis nesh. Ato kanë qenë për mua një mënyrë e re për të kuptuar botën, gjërat, qeniet, veprimin dhe në një lloj mënyre ndoshta, shpirtin tim. Ti më ke çliruar nga ajo që më pengonte, më ndryshkte, më zvogëlonte fuqinë. E hoqa qafe çdo lloj kalkulimi. Nuk ndoqa asnjë lloj strategjie dashurie…

Hossengor, 14 prill 1971

Dashuria ime, dashuria ime. Avioni më solli në Biarritz. Ja tek po vij në Hossengor. I trishtë por me një zemër plot dashuri për ty. Të dua me shumë pasion. Mbrëmë më bëre tmerrsisht të trishtë duke parë fytyrën tënde në vagonin 11 (sa shumë më preke); duke lexuar mbi të, përtej maskave, dhimbjen e të vërtetën. E megjithate ti gaboheshe. Vuajtja tënde ishte shkaktuar fare kot. Por ishte dhimbja tënde dhe për këtë ndjehesha fajtor. Zemra ime e adhurueshme, vajza ime e mrekullueshme… E kam parë Gédé-n dhe të kam sjellë librin; kam ëndërruar dhomën tënde, kam ndjerë aromën e lutjeve të Ephese, kam përkëdhelur zogun… të duash, të duash. Duhet ta bësh të jetojë. Lejomë e dashur të të puth përgjatë gjithë trupit tënd, dashurisht e mbi të gjitha të puth gojën tënde të mëngjesit të bukur, duke dashur veçse të të dua, i pazoti për fjalët, lulen, dhimbjen, harenë, shpresën. I yti François.

Belle-Île, 22 shtator 1995

Do të jetë letra ime e fundit nga Belle-Île, pasi nesër nisem për në Paris. Kushtet janë ende të pasigurta, pasi këtu ka një brymë të madhe dhe avioni i vogël me një motorr nuk është e sigurt nëse do ngrihet në orën që më thonë. Pra nuk e di se kur do të mbërrij. Sidoqoftë do të jem në Paris para darke dhe dëshira më e shtrenjtë është ta kaloj me ty. Mund të shkonim dhe në restorant, duke e shmangur të merresh me kuzhinën. Fola përsëri në telefon me Mazarine-n që po merrej me një lojë “escrime”. Sa ide interesnate. Sa e këndshme është, ashtu si di të jetë ajo. Ç farë dhurate më bëre që më linde një vajzë si ajo!
Këtu jam disi i pagjumë. Krahu më dhemb dhe forcat më lenë duke ikur s’dihet në ç’pjesë të trupit. Të shohim. Ajri është i mirë dhe shëronjës. Përpara kam detin që humbet tutje mes shkëmbenjsh. S’ka erë dhe asgjë nuk lëviz. Në «Mendimet» kam shënuar këtë frazë: «Njerëzit që s’kanë mundur ta shërojnë trupin nga vdekja, mjerimi, injoranca, atëherë kanë menduar si të jenë të lumtur dhe të mos mendojnë për vdekjen», ose «Ç’kimerë, çfarë iluzioni që është njeriu, ç’gjë e re, ç’përbindësh, çfarë subjekt kontradiksionesh, çfarë gjenie?! Gjykatës i çdo gjëje, budalla, krimb toke, depozitues i së vërtetës, gjiriz pasigurish dhe gabimesh, lavdi dhe mbetje e universit, kush vallë do ta zgjidhë këtë ngatërresë?» Po, gjithçka është e koklavitur. Por në jetën time shoh një qartësi. Jashtë teje, gjithçka është errësirë, gjithçka errësohet. Ja pra, tashmë s’di ç’të bëj me jetën time. Koha ime mbaroi. Një përbetim i vërtetë. Por do të dal nga kjo gjendje e çuditshme, qesharake, piktoreske. Eshtë e vështirë të dish se ç’duhet të bësh me jetën tënde. Ajo ç’ka mbetet është më e thjeshtë, sepse mjafton të vendosësh! Lumturia ime është të mendoj për ty dhe të të dua. Ti gjithnjë më ke dhënë më shumë! Ti ke qenë shansi i jetës time. Si mos të të dua akoma më shumë? François./shqip

SHKARKO APP